T’u tregojmë prindërve se çfarë po mësojnë fëmijët në klasë dhe t’u ofrojmë mënyra të thjeshta për të diskutuar rreth mësimeve mund të ndihmojë në përforcimin e aftësive matematikore që nxënësit po zhvillojnë.
Shumica e familjeve mësojnë për përparimin e fëmijëve të tyre në matematikë përmes notave, rezultateve të testeve ose detyrave të përfunduara. Këto janë të dobishme, por jo gjithmonë tregojnë se si mendon fëmija, cilat aftësi matematikore po zhvillon apo ku mund të ketë nevojë për mbështetje shtesë.
Mësuesit e matematikës në ciklin fillor mund të ndërtojnë partneritete më të mira me familjet duke shpjeguar qartë se çfarë po mësojnë nxënësit, si e tregojnë ata të kuptuarit dhe si mund ta mbështesin familjet të menduarit matematikor në shtëpi, pa u ndier sikur duhet ta rishpjegojnë të gjithë mësimin.
Krijimi i lidhjeve mes shkollës dhe shtëpisë në matematikë
Filloni nga ajo që po mëson nxënësi: Kur mësuesit ndajnë standardet aktuale të matematikës ose objektivat e të nxënit me një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për familjet, kjo i ndihmon prindërit të kuptojnë se çfarë po mësojnë fëmijët përtej notave dhe detyrave.
Për shembull, një mësues mund të thotë: “Po mësojmë të krahasojmë thyesat duke përdorur modele dhe të shpjegojmë arsyetimin tonë.” Mund të ndahet edhe një objektiv gjuhësor, si: “Do të shpjegoj se si i krahasova thyesat duke përdorur terminologji matematikore, modele dhe fjali të plota.”
Kjo tregon se suksesi në matematikë nuk nënkupton vetëm gjetjen e përgjigjes së saktë, por edhe shpjegimin e strategjive, argumentimin e arsyetimit dhe përdorimin e një gjuhe të qartë. Familjet mund të bëjnë pyetje si: “A mund të më tregosh se si e zgjidhe?” ose “Pse funksionon kjo strategji?”, pa u ndier sikur duhet ta rishpjegojnë mësimin në shtëpi.
Vendosni komunikim të rregullt: Mësuesit mund të përdorin një model ose mjet të thjeshtë për t’i mbajtur bisedat me familjet të fokusuara, pozitive dhe të rregullta. Në vend që komunikimi të fillojë me nota ose rezultate testesh, mësuesi mund të theksojë pikat e forta të nxënësit dhe të ndajë shembuj nga puna në klasë, vlerësimet ose aktivitetet e fundit matematikore.
Mjeti mund të përfshijë gjithashtu një ose dy hapa të ardhshëm, si për shembull nevoja për ta shpjeguar më qartë arsyetimin ose për të zgjedhur në mënyrë të pavarur strategjinë e duhur.
Një model njëfaqësh, të cilin familjet mund ta ruajnë për referencë, mund të përmbajë pyetjet:
- Çfarë po mëson nxënësi?
- Cilat janë pikat e tij të forta?
- Cila është një fushë ku mund të përmirësohet?
- Cila strategji po përdoret në shkollë?
- Çfarë mund të mbështesë familja në shtëpi?
Bisedat rreth matematikës nuk duhet të ndodhin vetëm gjatë takimeve prindër–mësues ose kur shpërndahen dëftesat. Takimet janë të dobishme për diskutime më të thelluara, por përditësimet më të shkurtra dhe më të shpeshta mund t’i ndihmojnë familjet të ndjekin përparimin e fëmijës gjatë gjithë vitit shkollor.
Mësuesit mund të ndajnë një sukses të fundit, një objektiv aktual të të nxënit, një fushë ku nevojitet përmirësim ose një strategji të thjeshtë që familja mund ta përdorë në shtëpi. Kjo mund të bëhet përmes emailit, telefonatave, raporteve të progresit ose bisedave të shkurtra.
Komunikimi i rregullt i ndihmon gjithashtu mësuesit t’i identifikojnë nevojat më herët. Për shembull, një mësues mund të vërejë se një nxënës ka filluar ta shpjegojë më qartë mënyrën e të menduarit matematikor, por ende ka nevojë për ndihmë me problemet që kërkojnë disa hapa. Një përditësim i shkurtër dhe i fokusuar e mban familjen të informuar, e fton atë të japë mendimin e vet dhe e forcon partneritetin mes shtëpisë dhe shkollës.
Mbajeni komunikimin të menaxhueshëm: Ndërtimi i një komunikimi të mirë me familjet kërkon kohë, ndërsa mësuesit tashmë kanë shumë përgjegjësi: planifikimin, mësimdhënien, vlerësimin dhe detyra të tjera.
Për ta bërë këtë proces më të përballueshëm, mësuesit mund të përdorin informacionin që tashmë mbledhin nga detyrat, vlerësimet dhe vëzhgimet në klasë për të dhënë përditësime të shkurtra dhe të fokusuara, në vend që të shkruajnë raporte të gjata për secilin nxënës.
Një model i gatshëm komunikimi mund ta lehtësojë procesin. Mësuesi mund të shënojë një pikë të fortë, një fushë për përmirësim, një strategji të përdorur në klasë dhe një sugjerim për mbështetje në shtëpi. I njëjti format mund të përdoret gjatë takimeve, në email ose në përditësimet e progresit.
Komunikimi nuk ka pse të ketë të njëjtën shpeshtësi me çdo familje. Mësuesit mund të komunikojnë më shpesh kur një nxënës ka nevojë për mbështetje shtesë, duke ruajtur ndërkohë një kontakt të rregullt me të gjitha familjet. Kjo e bën qasjen më praktike dhe të qëndrueshme.
Ndani një strategji nga klasa që familjet mund ta përforcojnë: Mësuesit mund t’i ndihmojnë familjet ta mbështesin matematikën në shtëpi duke ndarë strategjitë që nxënësit tashmë i përdorin në klasë. Në vend që t’u kërkohet prindërve t’i rishpjegojnë mësimet, mësuesit mund të sugjerojnë pyetje të thjeshta si: “Si e gjete përgjigjen?” ose “A mund të ma tregosh një mënyrë tjetër?”
Familjet mund të përdorin vizatime, objekte të zakonshme të shtëpisë, vija numerike ose modele për ta ndihmuar fëmijën të shpjegojë mënyrën e të menduarit. Mund t’i kërkojnë fëmijës të bëjë një vlerësim, të krahasojë strategji të ndryshme ose të shpjegojë pse funksionon një metodë.
Kur këto praktika janë të thjeshta dhe mund të përfshihen lehtësisht në rutinën e përditshme, ka më shumë gjasa që familjet t’i përdorin. Në të njëjtën kohë, ato ndihmojnë në zhvillimin e arsyetimit, komunikimit dhe vetëbesimit të nxënësve në matematikë.
Ofroni aktivitete: Mësuesit mund t’i ndihmojnë familjet ta gjejnë matematikën në jetën e përditshme duke sugjeruar aktivitete të thjeshta që lidhen me atë që nxënësit po mësojnë. Familjet mund të përllogarisin përafërsisht koston e produkteve gjatë blerjeve, të krahasojnë çmimet, të përdorin thyesat dhe matjet gjatë gatimit ose të llogarisin kohën gjatë aktiviteteve të përditshme.
Nëse nxënësit po mësojnë thyesat, mund të ndajnë një picë ose një recetë në pjesë të barabarta. Për matjet, mund të krahasojnë gjatësinë, peshën ose kapacitetin e objekteve të ndryshme në shtëpi.
Prindërit mund të flasin gjithashtu për mënyra të ndryshme të zgjidhjes së një problemi. Pyetje si “A mund të ma tregosh si po mendon?” ose “Cila është një mënyrë tjetër për të arritur të njëjtën përgjigje?” ndihmojnë në zhvillimin e arsyetimit, zgjidhjes së problemeve dhe komunikimit matematikor.
Ftoni familjet të ndajnë atë që vërejnë: Mësuesit mund të ndërtojnë partneritete më të forta me familjet duke e kthyer komunikimin rreth matematikës në një proces të dyanshëm. Familjet mund të vërejnë kur fëmija ndihet i sigurt, frustrohet, vazhdon të përpiqet ose preferon strategji të caktuara.
Pyetje si “Kur ndihet fëmija juaj më i sigurt në matematikë?” mund të zbulojnë modele të dobishme. Një familje mund të tregojë se fëmija preferon të vizatojë, të bëjë llogaritje në mendje ose t’i shpjegojë idetë me fjalë. Mësuesit mund ta përdorin këtë informacion për ta përshtatur mbështetjen në klasë, për shembull duke ofruar më shumë diskutime në çifte ose modele vizuale.
Kur familjet ndajnë atë që vërejnë, kjo tregon se perspektiva e tyre ka rëndësi dhe ndihmon që puna në shtëpi dhe ajo në shkollë të bashkërendohen për të mbështetur zhvillimin matematikor të nxënësve.
Nga Zoraida Brown
Përkthim: Prinderimi.com
