Ndoshta është vetëm përshtypja ime, por të shikoja djalin tim duke kaluar pubertetin ishte ndryshe nga përvoja ime me dy vajzat. Me vajzat, gjithçka dukej më graduale, ndërsa me djalin tim të vogël, çdo ndryshim dukej sikur ndodhte brenda natës.
Një ditë u zgjua dhe m’u duk sikur ishte rritur tre centimetra brenda natës. Ose zëri i tij, që brenda një dite kaloi nga zëri i një fëmije të vogël, në një zë të hollë e të çuditshëm dhe më pas në një zë shumë më të thellë.
Por nuk ishin vetëm ndryshimet fizike ato që më befasuan. Ai filloi të largohej dhe të fliste më pak me mua. Filloi të ankohej më shpesh. Unë dija gjithnjë e më pak për atë që po ndodhte në mendjen dhe zemrën e tij. E dija se djali im i vogël ishte ende aty, por një valë e madhe ndryshimesh po ndodhte njëkohësisht.
Të jem e sinqertë, ishte paksa e frikshme. Ndërsa marrëdhënia me vajzat kishte kaluar nëpër shumë ulje-ngritje, për një periudhë marrëdhënia me djalin tim sikur u errësua plotësisht. Kjo më shqetësoi. Ka disa gjëra që do të doja t’i kisha ditur më herët, sepse ndoshta do të më kishin ndihmuar ta përjetoja këtë periudhë pak më mirë.
Kur fillon puberteti te djemtë?
Sipas Cleveland Clinic, djemtë zakonisht fillojnë pubertetin diku mes moshës 9 dhe 14 vjeç, shpesh rreth dy vjet më vonë se vajzat. Te djemtë është më e zakonshme që puberteti të fillojë pak më vonë, ndaj është e rëndësishme të mbajmë parasysh se çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet.
Shumë profesionistë shëndetësorë rekomandojnë që, nëse një djalë shfaq shenja të pubertetit para moshës 9 vjeç ose nuk ka shfaqur ende shenja pas moshës 14 vjeç, prindërit të konsultohen me mjekun.
Cilat janë shenjat se djali juaj po kalon pubertetin?
Shumë prindër pyesin veten se si do ta kuptojnë nëse djali i tyre ka filluar pubertetin. Disa nga shenjat e para fizike përfshijnë:
– Zhvillimin e muskujve.
– Rritjen e shpejtë në gjatësi.
– Shfaqjen e akneve.
– Thellimin e zërit.
Shumë djem bëhen jashtëzakonisht të vetëdijshëm për pamjen e tyre gjatë kësaj periudhe. Edhe pse shpesh mendohet se vetëvlerësimi dhe pasiguria për pamjen janë më të zakonshme te vajzat adoleshente, edhe djemtë mund të përballen me këto vështirësi. Ata mund ta krahasojnë veten me të tjerët, të shqetësohen për trupin e tyre dhe të ndihen të sikletosur nga ndryshimet që po përjetojnë.
Çfarë do të doja të kisha ditur kur djali im kaloi pubertetin?
Kjo listë nuk përfshin gjithçka, por mund t’ju ndihmojë të ndiheni më të përgatitur nëse përballeni me situata të ngjashme.
1. Do të ketë erë trupi.
Një nga shenjat më të dukshme të pubertetit te djali juaj mund të jetë era më e fortë e trupit. Ndryshimet hormonale ndikojnë në djersitje dhe në aromën e trupit.
Mbani deodorantë dhe produkte për higjienën personale në dhomën e tij, në çantën e shkollës apo të sportit dhe inkurajojeni të zgjedhë vetë ato që preferon. Përfshirja e tij në kujdesin për higjienën personale është një aftësi e rëndësishme jetësore. Gjithashtu, mos supozoni se ai e vëren gjithmonë erën e trupit të tij.
2. Mund të bëhet më i zemëruar dhe emocionalisht i paqëndrueshëm.
Gjatë pubertetit, truri i adoleshentit vazhdon të zhvillohet me shpejtësi. Zhvillimi i korteksit paraballor dhe mënyra se si funksionojnë strukturat e tjera të trurit të lidhura me emocionet dhe impulset mund të ndikojnë në aftësinë e adoleshentëve për t’i menaxhuar emocionet.
Gjatë kësaj periudhe ndodhin edhe ndryshime të mëdha hormonale. Për disa djem, emocionet mund të shfaqen përmes zemërimit, irritimit ose shpërthimeve emocionale.
Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të bëjmë si prindër është t’i ndihmojmë djemtë të kuptojnë dhe të përpunojnë emocionet e tyre. Mund t’i ndihmojmë të identifikojnë emocionet, të kuptojnë se çfarë i nxit zemërimin, të gjejnë mënyra të përshtatshme për ta menaxhuar atë dhe të ndërtojnë miqësi e marrëdhënie të shëndetshme.
Si prindër, duhet t’u japim hapësirë dhe të përpiqemi të mos e marrim personalisht çdo ndryshim humori apo sjellje të tyre. Në vend të kësaj, është e dobishme të qëndrojmë të lidhur me ta dhe të ruajmë kureshtjen për arsyet që mund të fshihen pas sjelljes së tyre.
3. Ushqimi mund të mos mjaftojë kurrë.
Gjatë pubertetit, djemtë mund të përjetojnë rritje të shpejtë dhe ndryshime të mëdha trupore, të cilat rrisin nevojat e tyre për energji. Për këtë arsye, mund të duket sikur janë gjithmonë të uritur. Pica, sanduiçët, frutat, ushqimet e tjera dhe çdo gjë tjetër që keni në kuzhinë mund të zhduken shumë shpejt. Prandaj, përgatituni për një oreks dukshëm më të madh gjatë periudhave të rritjes.
5. Do të bëhet shumë i vetëdijshëm për pamjen e tij.
Mos supozoni se vetëm vajzat shqetësohen për pamjen e jashtme. Edhe djemtë mund të bëhen shumë të ndjeshëm ndaj mënyrës se si duken.
Veshjet, flokët, këpucët, aknet, higjiena dhe ndryshimet në trup mund të bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme për ta. Në vend të kritikave ose komenteve që mund ta bëjnë të ndihet keq, përpiquni të flisni për këto çështje në mënyrë të qetë dhe praktike. Nëse ka probleme me aknet, dhëmbët, higjienën ose ndonjë aspekt tjetër të pamjes, mund ta pyesni nëse dëshiron të kërkojë ndihmë profesionale ose ta mbështesni për të gjetur zgjidhje.
Një ndryshim që mund të shfaqet te disa djem gjatë pubertetit është zmadhimi i përkohshëm i gjoksit, i njohur si gjinekomasti. Kjo mund të ndodhë në njërin ose të dy gjinjtë dhe zakonisht lidhet me ndryshimet hormonale gjatë pubertetit. Në shumë raste, ajo largohet vetvetiu me kalimin e kohës. Megjithatë, nëse prindi ka shqetësime, është e udhës të konsultohet me mjekun.
6. Mund të fillojë t’ju largojë.
Kjo mund të jetë veçanërisht e vështirë për prindërit. Një djalë që më parë dëshironte të kalonte shumë kohë me familjen mund të fillojë të kërkojë më shumë privatësi dhe të preferojë të qëndrojë vetëm në dhomën e tij ose me shokët. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk ju do apo se nuk ka më nevojë për ju.
Marrëdhënia me djalin tuaj thjesht mund të ndryshojë formë. Mund të mos jetë më gjithmonë ai fëmija që kërkon praninë tuaj, por ju ende mund të gjeni mënyra për të qëndruar të lidhur me të: përmes një aktiviteti që i pëlqen, një vakti së bashku, sportit, lojërave, një bisede gjatë një udhëtimi me makinë apo thjesht duke i dhënë hapësirë kur e kërkon.
7. Puberteti është një proces, jo një ngjarje.
Puberteti nuk ndodh brenda një dite. Është një proces zhvillimor që përfshin ndryshime fizike, emocionale, hormonale dhe sociale dhe mund të zgjasë disa vite.
Kjo periudhë mund të jetë sfiduese si për fëmijët, ashtu edhe për prindërit. Është e rëndësishme që prindërit të jenë fleksibël dhe të kuptojnë se ndonjëherë edhe vetë fëmijët nuk e kuptojnë pse po ndihen ose po sillen në një mënyrë të caktuar.
Nëse shmangni gjykimin dhe kritikat e tepërta, i jepni hapësirë, e doni dhe e mbështesni pa kushte dhe punoni edhe me menaxhimin e emocioneve tuaja, mund ta kaloni këtë periudhë duke ruajtur një marrëdhënie të fortë dhe të shëndetshme me djalin tuaj.
Puberteti mund ta ndryshojë përkohësisht mënyrën se si fëmija komunikon me ju, por nuk duhet të nënkuptojë humbjen e lidhjes. Pas gjithë këtyre ndryshimeve, djali juaj ende ka nevojë për një prind që e kupton, e respekton, e udhëzon dhe i qëndron pranë.
Artikull nga: ParentingTeensandTweens
Përkthim: Prinderimi.com
