Edhe pse mësuesit bëjnë përpjekje për t’i përfshirë këto aftësi në mësim, ato duhet të fillojnë në shtëpi, me prindërit.
Prindërimi është si të lundrosh në një territor të panjohur. E shikon fëmijën tënd duke u rritur dhe pyet veten nëse po bën mjaftueshëm, nëse po i mëson mjaftueshëm dhe nëse po e përgatit siç duhet për botën që e pret. Shoqëria ushtron një presion të madh mbi shkollat që ato të formojnë mendjet e reja, megjithatë, në thelb, ndikimi i prindërve ka një fuqi që asnjë klasë nuk mund ta zëvendësojë.
Bisedat rreth tryezës së darkës, mënyra se si përballoni stresin dhe reagimi juaj kur fëmija gabon krijojnë përshtypje që mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.
Shtëpia bëhet klasa e parë dhe më e rëndësishme ku formohet karakteri, vendosen themelet e vlerave dhe ndërtohen bazat për marrëdhëniet e ardhshme përmes ndërveprimeve të përditshme që mund të duken të zakonshme, por që kanë ndikim të madh.
Ja 12 gjëra që, si prind, duhet t’ua mësoni fëmijëve tuaj, sepse shkollat tashmë kanë mjaft përgjegjësi mbi supe.
1. Sjelljet e mira dhe mirësjellja
Fëmija juaj mëson respektin duke parë mënyrën se si silleni me arkëtarin në dyqan apo me personin që ju shërben në një restorant. Kur ju dëgjon të thoni natyrshëm “ju lutem” dhe “faleminderit”, këto fjalë bëhen pjesë e sjelljes së tij, jo thjesht një formë mirësjelljeje e imponuar.
Por mësimi i mirësjelljes shkon përtej disa fjalëve të sjellshme. Do të thotë ta ndihmoni fëmijën të kuptojë se njerëzit e tjerë kanë ndjenja, nevoja dhe dinjitet që meritojnë respekt. Kur fëmija mëson të presë radhën dhe të respektojë hapësirën personale të të tjerëve, ai zhvillon një konsideratë të sinqertë për të tjerët që do t’i shërbejë gjatë gjithë jetës.
2. Etika e mirë e punës
Disa prindër shqetësohen se mos po i shtyjnë fëmijët shumë, por ka shumë vlerë t’u mësohet rëndësia e përfundimit të asaj që kanë nisur. Kur adoleshenti përballet me një projekt të vështirë, reagimi i prindit ka rëndësi. A duhet ta zgjidhni menjëherë problemin për të, apo ta ndihmoni të përballojë vështirësinë?
Fëmijët duhet ta përjetojnë kënaqësinë që vjen nga puna, përpjekja dhe rezultatet. Qëllimi nuk është të rrisim fëmijë që punojnë pa pushim, por njerëz që kuptojnë se arritjet kërkojnë përpjekje, këmbëngulje dhe vazhdimësi.
3. Mirënjohja dhe vlerësimi
Fëmijët, veçanërisht të vegjlit, priren të përqendrohen te ajo që u mungon dhe jo te ajo që kanë. Roli juaj është t’ua drejtoni butësisht vëmendjen drejt gjërave të mira që tashmë ekzistojnë në jetën e tyre.
Megjithatë, mirënjohja nuk mund të imponohet përmes ligjëratave apo falënderimeve të detyruara. Fëmijët e mësojnë atë duke parë shembullin tuaj. Kur shprehni mirënjohje të sinqertë për një perëndim të bukur, për ndihmën e partnerit në darkë apo për një përqafim nga fëmija juaj, ata mësojnë të vërejnë të mirën rreth tyre.
4. Vlera dhe respekti për veten
Zëri i brendshëm i fëmijës formohet kryesisht përmes mënyrës se si ndërveproni me të. Kur ai gabon, reagimi juaj mund të bëhet pjesë e mënyrës se si do të flasë me veten edhe vite më vonë.
Të ndërtosh një ndjenjë të shëndetshme të vlerës për veten do të thotë ta ndihmosh fëmijën të kuptojë se vlera e tij nuk varet vetëm nga rezultatet, pamja apo arritjet. Ai duhet ta dijë se është i rëndësishëm dhe meriton dashuri e respekt. Në vend që të lavdëroni çdo gjë që bën, vini re përpjekjen, mirësinë, karakterin dhe përparimin e tij.
5. Parimet morale
Morali nuk ka të bëjë vetëm me respektimin e rregullave. Ka të bëjë me të kuptuarit pse disa parime janë të rëndësishme. Fëmija ka nevojë për një busull morale që ta udhëheqë edhe atëherë kur askush nuk po e shikon. Të trajtosh të tjerët me mirësi, të thuash të vërtetën, të ndihmosh ata që kanë nevojë dhe të marrësh përgjegjësi për dëmin që u ke shkaktuar të tjerëve janë vlera që mësohen kryesisht përmes shembullit.
6. Vendosja e kufijve dhe respektimi i kufijve të të tjerëve
Fëmijët duhet të mësojnë se të thënit “jo” mund të jetë e shëndetshme dhe e nevojshme. Fëmija duhet të ndihet i sigurt të refuzojë diçka që e bën të ndihet në siklet, qoftë nga shokët, të afërmit apo persona të tjerë. Kjo aftësi fillon të ndërtohet brenda familjes. Në të njëjtën kohë, fëmijët duhet të mësojnë të respektojnë kufijtë e të tjerëve. Nëse një motër ose vëlla kërkon hapësirë, edhe kjo kërkesë duhet të merret parasysh.
7. Rregullimi i emocioneve
Kur fëmija juaj shpërthen në zemërim, mënyra se si reagoni i mëson atij më shumë për rregullimin emocional sesa një libër për emocionet. Fëmijët duhet të mësojnë se të gjitha emocionet janë të pranueshme, por jo të gjitha sjelljet janë të përshtatshme. Mund të ndihen të zemëruar pa goditur, të zhgënjyer pa hedhur sende dhe të frikësuar pa u mbyllur plotësisht në vetvete.
Prindërit mund t’i ndihmojnë duke i mësuar të emërtojnë emocionet, të marrin frymë thellë, të bëjnë një pushim, të flasin për problemet ose të përdorin aktivitetin fizik si mënyrë për të çliruar tensionin.
8. Toleranca ndaj të tjerëve
Fëmijët mësojnë të respektojnë dallimet kryesisht duke parë shembullin e prindërve. Mënyra se si flisni për njerëzit që kanë prejardhje, besime apo mënyra jetese të ndryshme ndikon në mënyrën se si fëmija i sheh ata.
Fëmijët vërejnë gjithçka: komentet për fqinjët, reagimet ndaj lajmeve dhe mënyrën se si flisni për njerëzit që janë ndryshe nga familja juaj. Toleranca nënkupton të kuptuarit se njerëzit kanë mënyra të ndryshme të të mësuarit, familje të ndryshme, kushte të ndryshme ekonomike dhe mënyra të ndryshme të shprehjes së vetes. Secili meriton dinjitet dhe respekt.
9. Ndershmëria dhe integriteti
Mënyra se si reagoni kur fëmija juaj thyen diçka pa dashje i mëson atij nëse është e sigurt të thotë të vërtetën në familje. Nëse e vërteta pasohet gjithmonë nga zemërimi i madh, fëmija mund të mësojë t’i fshehë gabimet në vend që t’i pranojë.
Integriteti do të thotë t’i përshtatësh veprimet me vlerat e tua edhe kur kjo nuk është e lehtë. Fëmija juaj vëren nëse i mbani premtimet, i përmbushni angazhimet dhe pranoni kur gaboni. Qëllimi nuk është të rrisim fëmijë që nuk gabojnë kurrë. Është t’u mësojmë të pranojnë gabimet, të kërkojnë falje, të korrigjojnë dëmin dhe të mësojnë prej tyre.
10. Empatia dhe dhembshuria
Kur fëmija sheh prindin duke ndihmuar një fqinj, duke ngushëlluar dikë ose duke u kujdesur për një person në vështirësi, ai mëson se kujdesi për të tjerët është pjesë normale e jetës. Empatia nuk nënkupton vetëm të bësh veprime të mira. Fëmija duhet të mësojë të imagjinojë se si mund të ndihet dikush tjetër dhe të reagojë me kujdes ndaj këtyre ndjenjave.
Këtë mund ta praktikoni duke folur për emocionet e personazheve në libra, duke bërë aktivitete vullnetare së bashku ose thjesht duke diskutuar se si njerëz të ndryshëm mund ta përjetojnë të njëjtën situatë në mënyra të ndryshme.
11. Përgjegjësia personale
Fëmijët natyrshëm përpiqen t’ua atribuojnë të tjerëve fajin kur diçka shkon keq. Roli i prindit është t’i ndihmojë të kuptojnë pjesën e tyre të përgjegjësisë pa ua dëmtuar vetëbesimin. Nëse fëmija merr një rezultat të dobët në një test, për shembull, ndihmojeni të mendojë për përgatitjen e tij dhe çfarë mund të bëjë ndryshe herën tjetër, në vend që të fajësojë menjëherë mësuesin.
Por përgjegjësia nuk duhet të shndërrohet në turp apo vetëkritikë. Fëmijët duhet të mësojnë se gabimet janë mundësi për të mësuar dhe jo dëshmi se janë njerëz të këqij.
12. Shërbimi ndaj të tjerëve
Fëmijët që mësojnë të kontribuojnë në mirëqenien e familjes zhvillojnë një ndjenjë më të madhe përgjegjësie dhe qëllimi. Një fëmijë që ndihmon në përgatitjen e darkës mëson se kontributi i tij ka rëndësi. Një adoleshent që angazhohet në një aktivitet vullnetar mund të zbulojë kënaqësinë që sjell ndihma ndaj të tjerëve dhe komunitetit.
Shërbimi nuk duhet të ndihet si dënim apo detyrim. Fëmijët duhet të kuptojnë se veprimet e tyre mund të sjellin ndryshim pozitiv.
Mësimet që zgjasin gjithë jetën
Ndikimi i prindërve te karakteri i fëmijës shkon shumë përtej viteve të fëmijërisë. Vlerat, zakonet dhe mënyrat e përballimit të emocioneve që formohen në shtëpi bëhen bazë për marrëdhëniet dhe sfidat që fëmija do të përballet gjatë jetës.
Kur investoni kohë për t’i mësuar këto aftësi, nuk po rritni vetëm një fëmijë. Po ndihmoni të formohet një i rritur që di të ndërtojë marrëdhënie, të përballojë vështirësitë, të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë në komunitet.
Shkolla ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e këtyre aftësive, por shumë prej mësimeve më të fuqishme fillojnë në shtëpi — në bisedat e zakonshme, në mënyrën se si prindi reagon ndaj një gabimi dhe në shembullin që fëmija sheh çdo ditë.
Artikull nga: Steve Philips Waller
Përkthim:Prinderimi.com