Në një kohë kur fëmijët komunikojnë përmes mesazheve të shkurtra, emoji-ve dhe videove, një letër e shkruar me dorë mund të duket si diçka e së kaluarës. Por më 1 shtator, Dita Botërore e Shkrimit të Letrave na kujton se letra nuk është vetëm një mënyrë komunikimi. Për fëmijët, ajo mund të jetë edhe një mënyrë për të zhvilluar shkrimin, kreativitetin, mirësjelljen dhe aftësinë për të shprehur mendimet.
Çfarë është shkrimi i letrave?
Shkrimi i letrave është komunikimi i një mesazhi të shkruar drejtuar një personi ose institucioni. Fëmija duhet të mendojë se kujt po i shkruan, pse po i shkruan dhe si dëshiron ta përcjellë mesazhin. Kjo e ndihmon të organizojë idetë dhe të kuptojë se mënyra e të shkruarit ndryshon në varësi të lexuesit dhe qëllimit.
Sa lloje letrash ekzistojnë?
Në mënyrë të përgjithshme, letrat ndahen në dy kategori kryesore: letra formale dhe letra joformale. Në disa klasifikime përfshihet edhe letra gjysmëformale.
Letrat joformale shkruhen për familjarë dhe miq. Një fëmijë mund t’i shkruajë një letër gjyshes, kushëririt ose shokut për t’i treguar për pushimet, për ta falënderuar për një dhuratë ose për ta ftuar në ditëlindje.
Letrat formale përdoren për komunikime më zyrtare, për shembull kur një nxënës i shkruan mësuesit, drejtorit të shkollës ose një institucioni. Fëmijët mund të mësojnë përmes tyre si të bëjnë një kërkesë, të kërkojnë informacion ose të shprehin një shqetësim në mënyrë të sjellshme.
Letrat gjysmëformale qëndrojnë mes këtyre dy kategorive dhe përdoren kur ekziston një marrëdhënie personale, por kërkohet një gjuhë më e respektueshme dhe e strukturuar.
Si mund të përdoren letrat në shkollë?
Shkrimi i letrave mund të bëhet një aktivitet praktik në shumë lëndë. Në gjuhë dhe letërsi, nxënësit mund t’i shkruajnë një letër një personazhi të një libri ose një autori. Në histori, mund të shkruajnë një letër imagjinare nga këndvështrimi i një personi që ka jetuar në një periudhë të caktuar. Në shkencë, mund t’i shkruajnë një letër një “shkencëtari imagjinar” për t’i shpjeguar një koncept.
Po në shtëpi?
Prindërit mund ta kthejnë shkrimin e letrave në një ritual të vogël familjar. Fëmija mund t’i shkruajë një letër gjyshit ose gjyshes, një të afërmi që jeton larg, një shoku ose edhe një letër falënderimi për dikë që e ka ndihmuar.
Nuk është e nevojshme që letra të jetë e gjatë. Fëmijët më të vegjël mund të vizatojnë, të shkruajnë emrin e tyre dhe të diktojnë disa fjali, ndërsa prindi mund t’i ndihmojë t’i shkruajnë ato. Ata mund ta dekorojnë zarfin dhe ta vendosin vetë letrën në postë.
Mbi të gjitha, letra i mëson fëmijës të ngadalësojë ritmin. Ndryshe nga një mesazh që dërgohet brenda sekondash, një letër kërkon kohë për t’u menduar, shkruar dhe dërguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse një letër e shkruar me dorë mund të ketë ende një vlerë të veçantë.
Çfarë thonë studimet për shkrimin e letrave?
Shkrimi i letrave nuk është vetëm një aktivitet nostalgjik.
Hulumtimet mbi zhvillimin e shkrimit tek fëmijët tregojnë se praktikimi i shkrimit të dorës dhe i kompozimit të tekstit mund të mbështesë zhvillimin e aftësive të hershme të shkrim-leximit. Një studim mbi fëmijët parashkollorë zbuloi se aftësitë për të shkruar emrin dhe për të shkruar shkronja lidhen me zhvillimin e njohurive alfabetike dhe mund të jenë tregues të rëndësishëm të zhvillimit të hershëm të shkrim-leximit.
Një meta-analizë e vitit 2016, që shqyrtoi studime mbi nxënësit nga kopshti deri në arsimin parauniversitar, gjeti se mësimi i shkrimit të dorës lidhej me përmirësime në qartësinë dhe rrjedhshmërinë e shkrimit, si dhe me rritje në cilësinë, gjatësinë dhe rrjedhshmërinë e teksteve të shkruara.
Edhe udhëzuesit e What Works Clearinghouse rekomandojnë që nxënësve t’u jepet kohë e rregullt për të shkruar dhe të mësohen të përdorin procesin e shkrimit për qëllime të ndryshme. Kjo përfshin edhe zhvillimin e aftësive bazë si shkrimi i dorës, drejtshkrimi, ndërtimi i fjalive dhe përdorimi i teknologjisë për të shkruar.
Pikërisht këtu shkrimi i letrave mund të bëhet një aktivitet i vlefshëm për fëmijët: ata nuk shkruajnë vetëm për të përfunduar një detyrë, por kanë një person real që do ta lexojë atë. Kjo u jep një qëllim shkrimit dhe i ndihmon të praktikojnë organizimin e ideve, ndërtimin e fjalive dhe përshtatjen e mënyrës së të shkruarit me personin të cilit po i drejtohen.
Prinderimi.com
