Alergjitë ushqimore janë të zakonshme – rreth 1 në 13 fëmijë në SHBA jeton me një ose më shumë alergji ushqimore. Edhe nëse fëmija juaj nuk ka alergji ushqimore, pothuajse me siguri një nga shokët ose shoqet e tij të klasës ka. Megjithatë, ndikimi social dhe emocional i këtyre gjendjeve shpesh neglizhohet.
Në punën time si psikologe pediatrike, e specializuar në trajtimin e alergjive ushqimore, si dhe nga përvoja ime personale duke u rritur me disa alergji të rënda ushqimore, shpesh has në komente drejtuar fëmijëve dhe adoleshentëve me alergji ushqimore që, edhe pse bëhen me qëllim të mirë, mund të duken shpërfillëse apo edhe të panevojshme dhe lënduese për fëmijët që përballen me këtë realitet.
Më poshtë janë katër gjëra që nuk ndihmojnë kur i thuhen një fëmije me alergji ushqimore – dhe çfarë mund të thoni në vend të tyre.
1. “Fëmija im është alergjik ndaj gjithçkaje.”
Pse nuk ndihmon
Të prezantohesh ose të njihesh si “fëmija me alergji ushqimore” është një nga shqetësimet e zakonshme që dëgjoj nga fëmijët dhe adoleshentët me të cilët punoj. Kur rritesha, e urreja këtë mënyrë të të shprehurit. Ajo vetëm më kujtonte kufizimet që ndihesha sikur kisha.
Të rriturit mund ta përdorin këtë shprehje për t’i paralajmëruar të tjerët dhe për ta mbajtur fëmijën të sigurt. Por një fëmijë me alergji ushqimore mund ta dëgjojë ndryshe: sikur alergjia është tipari që e përcakton më shumë se çdo gjë tjetër. Kur një gjendje shëndetësore që nuk mund ta kontrollojë ndikon kaq shumë në mënyrën se si e sheh veten, fëmija mund të ndihet i demoralizuar dhe i kufizuar nga alergjitë e tij.
Çfarë të thoni në vend të saj
“Vajza ime është shumë e lumtur që është këtu. Ajo ka disa alergji serioze ushqimore dhe dua vetëm të sigurohem që ju jeni në dijeni për to.”
Mund të pranojmë njëkohësisht se alergjitë ushqimore janë serioze dhe se fëmija është shumë më tepër sesa gjendja e tij shëndetësore. Fillimisht flisni për interesat, entuziazmin dhe aftësitë e fëmijës dhe më pas për nevojat e tij mjekësore. Kjo ndihmon në ndërtimin e një identiteti që nuk përcaktohet nga sëmundja dhe në forcimin e qëndrueshmërisë emocionale.
2. “A ndihesh mirë?”
Pse nuk ndihmon
Kur një fëmijë provon një ushqim të ri, të rriturit me qëllime të mira mund të fillojnë ta monitorojnë vazhdimisht për shenja alergjie: A të dhemb stomaku? A ke vështirësi në frymëmarrje? A ndien diçka të çuditshme në gojë?
Alergjitë ushqimore duhet të merren seriozisht, por monitorimi i vazhdueshëm mund të krijojë hipervigjilencë të panevojshme te fëmijët.
Lidhja mes mendjes dhe trupit është reale. Për më tepër, simptomat e një reaksioni alergjik dhe ato të ankthit mund të jenë të ngjashme. Disa fëmijë kanë vështirësi të dallojnë nëse ajo që po përjetojnë lidhet me alergjinë apo me ankthin. Vëmendja e vazhdueshme ndaj çdo ndjesie trupore mund ta shtojë këtë frikë.
Çfarë të thoni në vend të saj
“Gjithmonë më trego nëse mendon se mund të jesh duke përjetuar një reaksion alergjik.” Fëmijët me alergji ushqimore duhet të mësojnë, në përputhje me udhëzimet e mjekut, të njohin shenjat dhe simptomat e reaksioneve të rënda alergjike dhe të dinë se çfarë duhet të bëjnë nëse ato shfaqen.
3. “Nuk po humbet asgjë” ose “Do të doja të isha alergjik/e ndaj kësaj.”
Pse nuk ndihmon
Edhe nëse mendoni se ushqimi nuk është edhe aq i shijshëm, t’i thoni një fëmije me alergji se “nuk po humbet asgjë” mund ta bëjë atë të ndihet i pavlerësuar. Fëmijët me alergji ushqimore mund të humbasin vërtet mundësinë për të marrë pjesë plotësisht në aktivitete ku ushqimi është pjesë e rëndësishme, për të ngrënë pa kufizime dhe për të provuar vetë shijet që të tjerët shijojnë.
Çfarë të thoni në vend të saj
“E di që mund të jetë e vështirë t’i shohësh të tjerët duke e ngrënë këtë dhe ti të mos mund ta provosh. Le të gjejmë diçka të sigurt dhe të shijshme që mund ta hash edhe ti.” Fillimisht pranoni emocionet e fëmijës. Pastaj ofroni një alternativë të sigurt dhe të këndshme, në mënyrë që ai të mund të marrë pjesë në përvojë pa u ndier i përjashtuar.
4. “Unë nuk mund të jetoja pa gjalpin e kikirikut” ose “Do të vdisja pa djathë.”
Pse nuk ndihmon
Të rriturit nuk duhet t’i minimizojnë vështirësitë e fëmijëve me alergji ushqimore, por as t’ua bëjnë ato edhe më të rënda. Komente të tilla mund të synojnë të shprehin simpati, të bëjnë shaka ose ta lehtësojnë situatën. Por, për një fëmijë me alergji, ato mund të jenë veçanërisht irrituese. Kjo është edhe më problematike kur kemi parasysh se disa alergji ushqimore mund të shkaktojnë reaksione kërcënuese për jetën.
Çfarë të thoni në vend të saj
“Në rregull, faleminderit që ma tregove për alergjitë e tua. Cilat janë disa nga ushqimet e tua të preferuara?” Lavdërojini fëmijët kur ju tregojnë për alergjitë e tyre. Për disa prej tyre, komunikimi me të rriturit për këtë çështje mund të jetë i vështirë ose frikësues. Në vend që t’i bombardoni me pyetje për ushqimet që nuk mund të hanë – “A je alergjik ndaj kësaj? Po kësaj? Po kësaj?” – kërkoni një pikë të përbashkët: flisni për ushqimet që mund t’i shijoni së bashku.
Një fëmijë me alergji ushqimore nuk duhet të ndihet i përcaktuar vetëm nga ushqimet që nuk mund t’i hajë. Ai është, para së gjithash, një fëmijë me interesa, miqësi, emocione, talente dhe dëshira – dhe alergjia është vetëm një pjesë e jetës së tij.
Artikull nga: Melissa Engel
Përkthim: Prinderimi.com
