Kur një anëtar i familjes diagnostikohet me një sëmundje serioze, përplasja emocionale prek çdo cep të jetës familjare. Në këtë kontekst, një nga sfidat më të ndjeshme dhe më të vështira për prindërit është se si t’ua tregojnë fëmijëve të tyre atë që po ndodh.

Shumë prindër tundohen të shmangin bisedën, duke besuar se po i mbrojnë fëmijët nga një barrë e rëndë. Por e vërteta është se fëmijët kanë intuitë të fortë. Ata e ndiejnë se diçka nuk është në rregull, dhe mungesa e informacionit shpesh përkthehet në ankth, frikë dhe fantazi më të errëta se realiteti vetë.
Kur dhe si të zhvilloni bisedën?
Zgjidhni një moment kur jeni emocionalisht të qëndrueshëm dhe jeni në një ambient të qetë. Fundjava është shpesh një zgjedhje e mirë, kur nuk ka nxitim apo shpërqendrime.
Në asnjë mënyrë mos ia komunikoni para gjumit, pasi fëmijët kanë nevojë për siguri dhe stabilitet për të pushuar. Në këtë bisedë nuk keni pse të keni të gjitha përgjigjet. Mjafton që të jeni të sinqertë dhe të tregoni se jeni aty për ta udhëhequr në çdo hap.
Çfarë të thuash dhe si ta ndërtosh mesazhin?
Qëllimi nuk është të jepni të gjitha informacionet menjëherë, por të ndihmoni fëmijën të kuptojë realitetin pa e traumatizuar. Filloni me informacionin themelor: emrin e sëmundjes, pjesën e trupit që prek dhe trajtimin që do të ndiqet.
Biseda duhet të jetë e ndërtuar sipas moshës dhe kapacitetit të fëmijës për të kuptuar. Për fëmijët e vegjël, përdorni fjalë të thjeshta dhe konkrete. Për adoleshentët, ofroni informacion më të plotë, por pa i mbingarkuar me detaje mjekësore që mund të nxisin panik.
Çfarë ndryshon dhe çfarë mbetet e njëjtë?
Fëmijët kanë nevojë për parashikueshmëri. Sqarojini se disa gjëra do të ndryshojnë përkohësisht – për shembull, një tjetër do t’i marrë nga shkolla ose do të kalojnë më pak kohë me personin e sëmurë por theksojini me qëndrueshmëri se dashuria dhe mbështetja e familjes nuk do të mungojnë kurrë. Rutina e zakonshme si shkolla, ushqimi dhe aktivitetet jashtëshkollore janë shtylla stabiliteti që nuk duhet anashkaluar.
Përfshirja e fëmijëve në mënyrë aktive
T’i japësh fëmijës një rol në këtë periudhë të vështirë, sado i vogël të jetë ai rol, mund të rrisë ndjesinë e kontrollit dhe përkatësisë.
Të ndihmojnë në shtëpi, të bëjnë një vizatim ose një letër për të sëmurin, ose thjesht të luten për të, janë gjeste që ndikojnë në mënyrë pozitive. Fëmijët nuk duhet të ndihen të padobishëm, por pjesë e një strukture që po përpiqet së bashku.
Mbështetja e jashtme dhe kujdesi për shëndetin emocional
Fëmijët nuk mund dhe nuk duhet të përballojnë gjithçka vetëm. Mund të përfitoni nga përfshirja e një këshilltari shkollor, mësuesi, xhaxhai të afërt apo një figure tjetër që ata e respektojnë dhe i besojnë.
Nëse vëreni ndryshime të theksuara në sjellje, këshillimi profesional është një hap i mençur dhe i nevojshëm.
Së fundmi, mbani mend se kjo nuk është një bisedë që ndodh një herë e mbaron. Është një dialog i vazhdueshëm, që mund të zgjerohet dhe thellohet me kohën. Transparenca, dashuria dhe qëndrueshmëria janë mjetet më të fuqishme që një prind mund të ofrojë kur sëmundja godet familjen.

