Në emër të Rrjetit të Prindërve Edukues të Kosovës, i drejtohemi me këtë apel të hapur të gjithë aktorëve të sistemit arsimor dhe shoqërisë sonë:
Të nderuar mësimdhënës, prindër, drejtori shkolle, zyrtarë të Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Inspektoratit të Arsimit, mediave dhe shoqërisë civile,
Tash e një kohë të gjatë, arsimi në Kosovë po përballet me një fenomen alarmues: faljen e notave dhe kalimin automatik të nxënësve në klasat vijuese, pavarësisht mungesës së dijes, pavarësisht vlerësimit me nota të dobëta për gjatë gjithë vitit, pavarësisht mungesës së përkushtimit dhe shpesh edhe sjelljes së duhur në mjedisin shkollor.
Nxënës me nota të shumta negative, që sipas udhëzimeve dhe kornizës ligjore duhet të përsërisnin vitin shkollor, po kalojnë me nota të falura. Kjo praktikë, e cila tashmë ka marrë përmasa të rrezikshme, po dëmton rëndë fëmijët tanë dhe të ardhmen e shoqërisë sonë, duke:
- Validuar dembelinë, arrogancën, mungesën e përgjegjësisë dhe injorancën si sjellje të pranueshme tek fëmijët.
- Degraduar seriozitetin në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
- Humbur respektin për dijen, mësimdhënësit dhe bashkëmoshatarët.
- Demotivuar nxënësit punëtorë dhe të përkushtuar.
- Ulur disiplinën në shkolla dhe krijimin e një ambienti të pasigurt për mësim.
- Prodhuar breza të rinjve të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të painformuar, që rrezikojnë të dëmtojnë edhe sistemet publike e shoqërore në të ardhmen, por edhe të jenë të padobishëm për tregun e punës.
Falja e notave nuk është ndihmë! Është dëm i drejtpërdrejtë ndaj fëmijëve tanë dhe shoqërisë sonë.
Prindër të dashur, ju bëjmë thirrje të mos kërkoni falje të notave për fëmijët tuaj, mos kërkoni kalim të pamerituar, sepse kjo u mohon atyre mundësinë për t’u përmirësuar, për të fituar disiplinë, dije dhe përgjegjësi. Përsëritja e vitit dhe ri-provimi nuk janë ndëshkim, por mundësi për rritje të vërtetë.
Mësimdhënës të nderuar, ju inkurajojmë të qëndroni të palëkundur në ruajtjen e standardeve profesionale dhe të mos pajtoheni me faljen e notave pa meritë, as nga presioni as nga joshja.
Drejtori shkollash dhe institucione arsimore, ju ftojmë të garantoni që vlerësimi të bëhet me drejtësi, transparencë dhe sipas ligjit, duke mbrojtur dinjitetin e shkollës dhe të gjithë procesit edukativo-arsimor.
Ministri i Arsimit dhe Inspektorat i Arsimit,
Monitoroni dhe garantoni respektimin e ligjit dhe standardeve profesionale në çdo shkollë!
Inspektorat i Arsimit
Krijoni plane dinamike dhe ekipe ad hoc për të monitoruar, analizuar dhe garantuar vlerësimin e nxënësve si një proces inspektues tepër të rëndësishëm!
Mediave dhe shoqërisë civile, ju bëjmë thirrje që ta ngritni këtë çështje si përparësi kombëtare dhe të promovoni kërkesën për cilësi dhe përgjegjësi në arsim.
Ne kërkojmë:
- Vlerësim real dhe meritor për çdo nxënës, pa tolerancë për falje notash të padrejta.
- Ndaljen e presionit të prindërve për faljen e notave dhe orientimin e tyre në drejtim të mbështetjes për cilësi, disiplinë dhe përmirësim të fëmijëve.
- Ndërprerjen përfundimtare të kalimit automatik të klasave pa arritje reale minimale.
- Zbatimin e përsëritjes së vitit dhe ri-provimet si një mekanizëm edukativ, jo si ndëshkim.
- Fuqizimin e bashkëpunimit shkollë-familje, me informim të rregullt dhe të drejtë.
- Angazhim të plotë institucional për të rikthyer dinjitetin e mësimdhënësit, seriozitetin e vlerësimit dhe autoritetin e shkollës.
Arsimi nuk është dhuratë – është një përpjekje dhe një arritje.
Dija nuk falet – fitohet me mund, përkushtim dhe respekt.
Shoqëria nuk ndërtohet mbi iluzione – por mbi vlera të vërteta dhe të fituara me dinjitet.
Le të ndalim së bashku dëmtimin e fëmijëve tanë.
Le të mbrojmë të ardhmen tonë.
Le ta rikthejmë dinjitetin e arsimit në Kosovë.
Me respekt dhe përkushtim,
Rrjeti i Prindërve Edukues të Kosovës
Prishtinë, Maj 2025