Sot jetojmë në një botë ku rrjetet sociale janë bërë norma. Ato shpesh janë vendi i parë i komunikimit për thuajse të gjithë. Shkollat dhe organizatat sportive i përdorin rrjetet sociale si mjetin kryesor të komunikimit. Termi “miq në Facebook” tashmë nënkupton një lloj marrëdhënieje të mirëkuptuar. Megjithatë, pavarësisht kësaj përfshirjeje të gjerë, edukimi i fëmijëve për rreziqet dhe përdorimin e sigurt të rrjeteve sociale nis shumë vonë, zakonisht vetëm para se të arrijnë moshën ligjore për t’i përdorur ato.
Shumica e aplikacioneve të rrjeteve sociale kanë kufizim moshe prej 13 vjeç, por disa studime tregojnë se 3/4 e fëmijëve të moshës 10-12 vjeç tashmë i përdorin ato. Ky fakt ngre shqetësimin se ndërhyrja jonë vjen shumë vonë.
Shumë fëmijë në moshën 5-8 vjeçare tashmë janë të vetëdijshëm për platformat si Facebook dhe Instagram. Madje, shumë prej tyre kanë bërë video në TikTok, shpesh edhe pa dijeninë e prindërve. Kjo na bën të reflektojmë: nuk do t’i linim fëmijët të kalonin një rrugë të ngarkuar pa mbikëqyrjen tonë, atëherë si mund t’i hedhim në “autostradën e rrezikshme” të rrjeteve sociale pa përgatitjen e duhur?
Reagimet ekstreme të prindërve
Kur bisedoj me prindër për këtë temë, shpesh përballem me dy reagime ekstreme: një grup thotë “fëmija im nuk do të jetë në rrjete sociale”, ndërsa të tjerët shprehen “nuk ka problem, është vetëm një formë komunikimi”. Të dyja këto qasje nuk ndihmojnë fëmijët të menaxhojnë sfidat e botës moderne të rrjeteve sociale. Parandalimi i plotë mund të izolojë adoleshentët nga bashkëmoshatarët e tyre, ndërkohë që dhënia e lirisë së pakufizuar për përdorim mund të ketë pasoja të rënda për shkak të mungesës së impulseve dhe aftësisë për zgjidhjen e problemeve.
Ne si prindër nuk kemi përjetuar të njëjtën botë që përjetojnë sot fëmijët. Nuk kemi pasur bullizëm kibernetik, presion për pëlqime apo përdorimin e filtrave që forcojnë idealet e pamundura të bukurisë. Ne ishim të sigurt sapo ktheheshim në shtëpi, por sot kjo siguri mungon për shkak të lidhjes së vazhdueshme me botën digjitale.
Të fillojmë herët
Nuk sugjeroj që fëmijët e vegjël të kenë qasje në rrjetet sociale, por realiteti është që edhe fëmijët e moshës parashkollore përdorin internetin për të parë programe të preferuara, për të luajtur lojëra ose për të bërë thirrje video. Edhe pse prindërit mund të vendosin kontrolle prindërore, kjo nuk zëvendëson nevojën për edukim. Sipas Dr. Kristy Goodwin, dy shqetësimet kryesore për sigurinë kibernetike të fëmijëve parashkollorë janë:
- Përmbajtja e papërshtatshme: përmbajtje e frikshme, e dhunshme apo pornografike.
-
Kontakti me të panjohur: rreziku i komunikimit me të huaj dhe pedofilë.
Rregullat që duhet të vendosim në moshë të vogël:
- Prania e prindërve: Asnjë kontroll prindëror nuk zëvendëson praninë tuaj fizike. Fëmijët duhet të jenë në ambiente të hapura ku mund t’i mbikëqyrni.
- Komunikimi i hapur: Fëmijët duhet të mësojnë t’ju tregojnë nëse shohin diçka që i shqetëson.
- Përdorimi i kujdesshëm: Shpjegojuni që nuk duhet të klikojnë në faqe të panjohura.
- Rregullat e privatësisë: Mësojuni rëndësinë e ruajtjes së informacionit personal.
- Kufizimi i kohës së ekranit: Si ushqimi, edhe ekrani mund të jetë i shëndetshëm nëse është edukativ dhe i përshtatshëm për moshën, por gjithmonë duhet të ketë kufij.
Përgatitja për rrjetet sociale
Rrjetet sociale mund të jenë pozitive kur përdoren si duhet, por adoleshentët nuk kanë zhvilluar plotësisht aftësitë për kontrollin e impulseve. Për këtë arsye, vendosja e rregullave është thelbësore:
- Kufizoni kohën dhe hapësirat e përdorimit: Shmangni përdorimin e rrjeteve sociale në dhomën e gjumit, veçanërisht natën.
- Diskutoni për përmbajtjen: Qëndroni të përfshirë dhe bisedoni për atë që ndajnë dhe pëlqejnë.
- Rregulla para postimit: Pyetini fëmijët: A do të ishit të qetë po ta shihnin këtë prindërit apo mësuesit tuaj?
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.