Shkolla “Naim Frashëri’’ në Zaskok të Ferizajt është shkolla në të cilën gjysma e nxënësve që vijojnë mësimin janë të komunitetit ashkali. Me angazhimin e mësimdhënësve, braktisja e shkollimit nga ana e tyre është zvogëluar, megjithatë ekipi i shkollës ka akoma një shqetësim.
Drejt klasave po shkojnë me nxitim.
E në bankat shkollore po zënë vend.
Përgatitjet për të filluar orën mësimore po i bën secili.
E me të nisur procesi arsimor, me vëmendje po dëgjojnë mësuesin e tyre.
Është kjo shkolla e mesme e ulët ‘’Naim Frashëri’’ në Zaskok të Ferizajt, të cilën e frekuentojnë rreth 700 nxënës.
E gjysma prej tyre janë nga komuniteti ashkali.
“Relacionet në mes të dy komuniteteve janë super të mira dhe nuk ka asnjë telashe, as nga ana e prindërve të njërit komunitet apo tjetrit që kanë vërejtjen as më të vogël në këtë drejtim”, tha drejtori i shkollës, Bekim Ndrecaj.
Megjithatë stafi menaxhues i shkollës e kanë një brengë.
Kjo pasi nga komuniteti ashkali ka nxënës që nuk po e vijojnë mësimin me rregull.
Madje ka prej tyre që rrezikojnë braktisjen e shkollimit.
“Një numër prej 15-16 nxënës aty diku që kanë mbetë si të pa notuar për shkak të mos vijimit të rregullt. Mirëpo të gjithë ata sivjet janë regjistruar dhe një pjesë e tyre kanë filluar të vijnë, janë sistemu në ato klasë ku e kanë ndërpre mësimin, mirëpo një pjese tjetër nuk kemi gjetë ende një rrugë që t’i kthejmë ata në shkollë”, th ai.
Pavarësisht kësaj, tentimet e ekipit kundër braktisjes së shkollimit nuk janë ndalur.
Mësuesi nga komuniteti ashkali, Shemsi Kodrolli, i cili është pjesë e këtij ekipi thekson se ka shkuar në shtëpitë e nxënësve në Dubravë të Ferizajt për t’i bindur t’i kthehen procesit arsimor.
“Ka qenë pak sfiduese sepse është dashtë me i bind prindërit që fëmijët duhet me u kthy në shkollë ose ka pasë raste kur prindi ka pasë dëshirë me çu fëmijën në shkollë, mirëpo fëmija i tij nuk ka pasë dëshirë me ardhë n’shkollë. Prap jemi marrë edhe me fëmijë që me i bind që shkollimi është shumë i rëndësishëm. Problemi po qëndron edhe se është edhe kjo koha që po dalin edhe jashtë vendit, po emigrojnë. Aty po është problemi edhe më i madh sepse shkojnë për një kohë, nuk po i mbajnë shtetet e Europës edhe prap po kthehen”, tha Kodrolli.
E nga Drejtoria e Arsimit bëjnë të ditur se me angazhimin e ekipit e të mësimdhënësve, numri i nxënësve që kanë braktisur shkollimin është zvogëluar.
“Nëse e marrim aspektin kohor dhe kthehemi nga retrospektiva, unë mund të them me plot kompetencë se e kemi një ngritje jashtëzakonisht të madhe të vijueshmërisë së nxënësve nga radhët e komuniteteve, përkundër sfidave që po i kemi në vazhdimësi nga ajo që po e ndërprejnë procesin arsimor”, tha drejtor i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
Nga komuna e Ferizajt theksojnë gjithashtu se njëra nga sfidat që po ballafaqohen akoma është vetëdijesimi i komunitetit ashkali për mos-braktisje të shkollimit.