Agjencia për Barazi Gjinore ka publikuar Raportin përfundimtar të Vlerësimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, duke nënvizuar se ky dokument shënon përmbylljen e një politike detyruese për institucionet e Republikës së Kosovës, e cila është zbatuar gjatë një periudhe katërvjeçare, raporton Prinderimi.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se, Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 është drejtuar nga një mision, që barazia gjinore të jetë në qendër të proceseve transformuese në Republikën tonë.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se, qasja strategjike e këtij raporti ka qenë e shtrirë në tri fusha kryesore, fuqizim ekonomik dhe mirëqenie sociale, avancim të barazisë gjinore përmes arsimit dhe shëndetësisë cilësore e gjithëpërfshirëse, duke bërë njëkohësisht edhe promovimin e të drejtave të barabarta në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi.
Zëvendësministri i Arsimit, Arsim Ademi përmendi se ky Raport tregon progresin e bërë dhe sfidat e hasura në arritjet e barazisë gjinore. Ai theksoi se Ministria e Arsimit ka vendosur barazinë gjinore si një nga prioritetet kryesore që nga fillimi i mandatit.
Zv/ministri Ademi gjithashtu shprehu rëndësinë e bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare dhe përkushtimin për të vazhduar përmirësimin e situatës së grave dhe vajzave në sektorin e arsimit. Ndër të tjera zëvendësministri vuri në dukje sukseset e arritura në uljen e papunësisë së grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje.
U.D. Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ka bërë prezantimin e Raportit, gjetjet e të cilit tha se do të shërbejnë për hartimin e dokumentit të ri strategjik për barazi gjinore, për periudhën dhjetëvjeçare.
Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, zëvendësministri i Ministrisë së Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe Henrik Riby, zëvendësshef për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën e Suedisë.
Raporti i vlerësimit u realizua nga Agjncia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, me mbështetjen e UN Women në Kosovë, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian “Instrumenti për Barazi Gjinore”, si dhe projekti “Financimi Transformues për barazi Gjinore në Ballkanin perëndimor” financuar nga SIDA.
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara.