Ka ende mënyra që fëmijët të rigjejnë balancën në jetë, edhe kur nuk mund të marrin një ditë pushimi nga shkolla. Ekspertët tregojnë se si mund ta mbështesni fëmijën tuaj kur ai ka nevojë për pak çlodhje.
Vajza ime Mila ishte 5 vjeç kur rutina e saj e zakonshme përfundoi krejtë papritur me izolimin e plotë për shkak të pandemisë COVID-19. Atë vjeshtë, ajo filloi një formë të kopshtit “hibrid”. Së fundi, ne kaluam në klasën e parë me ditë të plota në shkollë, por jo ditë normale shkolle, për shkak të detyrimit për vënie të maskës dhe rasteve në rritje të COVID-19.
Ndërsa Mila përballoi sfidat e pandemisë shumë më mirë se unë, megjithatë pati edhe momente të vështira. E kuptova se një pjesë e stresit të saj lidhej me oraret e paparashikueshme të punës sime të pavarur dhe ato të paqëndrueshme të bashkëshortit tim si zjarrfikës dhe ndihmës social. Përpiqesha të lehtësoja situatën duke mbushur fundjavët me aktivitete. Më në fund, kuptova se po e teproja kur ajo kërkoi ca të ashtuquajtura “të diela dembele (pushimi)”
Një mëngjes të veçantë gjatë javës, ndjeva se nervozizmi i Milës ishte më shumë se thjesht sjellje tipike për moshën e saj. Ajo kishte njëmend nevojë për një ditë për t’u çlodhur. Qëndrimi në shtëpi nuk ishte opsion. Bashkëshorti im ishte në një turn 12-orësh dhe unë kisha një takim menjëherë pas dorëzimit të saj në shkollë. I shkrova një email mësueses së Milës, e cila e mbështeti këtë ide menjëherë. Ajo i dha hapësirën që i duhej atë ditë dhe e dërgoi në shtëpi me një libër të personalizuar me strategji për përballimin e situatave kur ndihej e stresuar.
Mila tani është në klasën e dytë dhe, megjithëse e do shkollën shumë, ka pasur ditë kur do t’i kishte bërë më mirë të qëndronte në shtëpi. Lajmi i mirë është se shumë shtete ditët për shëndetin mendor i njohin tashmë si mungesa të justifikuara. Fatkeqësisht, për mua dhe shumë familje të tjera në situata të ngjashme, puna jonë e bën të vështirë marrjen e pushimeve.
“Prindërit me të ardhura të ulëta përballen me sfida për shkak të mungesës së burimeve, duke përfshirë punë që shpesh nuk ofrojnë sigurime, pushim me pagesë ose ditë për shëndetin mendor,” thotë Bethany L. Cook, Psy.D., psikologe klinike dhe autore e “Për çfarë ia vlen: Një perspektivë se si të lulëzosh dhe të mbijetosh prindërimin e moshave 0–2.”
Në rastin e nxënësve më të rritur, ngarkesa e tyre mësimore mund t’i pengojë për të marrë një ditë për shëndetin mendor – një ditë pushimi nga shkolla mund të përfundojë duke i stresuar më shumë për shkak të detyrave të akumuluara.
Si mund ta mbështesni shëndetin mendor të fëmijës suaj kur nuk keni mundësi t’i ofroni një ditë të plotë pushimi? Ja disa këshilla nga ekspertët:
Jini të vëmendshëm ndaj sjelljes së fëmijës suaj
Së pari, është thelbësore të kushtoni vëmendje shenjave verbale dhe joverbale që fëmija juaj mund të tregojë nëse ndihet në ankth. “Nëse e kanë të vështirë të ngrihen në mëngjes ose shprehin shqetësim për ditën, ata mund të kenë vështirësi, dhe është e rëndësishme t’i inkurajoni të flasin me ju,” thotë Crystal Bowyer, presidente dhe CEO i Muzeut Kombëtar të Fëmijëve në Uashington, DC.
Fëmijët e moshave të ndryshme i shprehin emocionet ndryshe. Amy Dohner, terapiste në integrimin shqisor, thotë se fëmijët më të vegjël mund të shfaqin më shumë nervozizëm ose mund të jenë të shqetësuar kur kthehen në shtëpi, ndërsa fëmijët më të rritur dhe adoleshentët mund të duken të mbingarkuar nga emocionet. Shenjat për t’u vëzhguar përfshijnë trishtimin, frikën, shqetësimin e tepruar, nervozizmin, ankimin për dhimbje fizike, probleme me gjumin ose ushqimin dhe shmangien e aktiviteteve që më parë i pëlqenin.
Kur Bowyer këshillon fëmijët e saj, ajo ulet fizikisht në gjunjë – në nivelin e tyre. “Kështu jemi sy më sy kur më flasin për ndjenjat e tyre. Kjo praktikë ndihmon në lehtësimin e ankthit,” shpjegon ajo.
Vërtetoni ndjenjat e fëmijës suaj
Ndonjëherë, një akt i thjeshtë si dëgjimi mund të vendosë një ton pozitiv për tërë ditën. Bowyer shpjegon se dhënia e diçkaje të vogël për të cilën fëmija mund të gëzohet, si një shëtitje pas shkollës apo një lojë, mund të bëjë ndryshimin. “Është e rëndësishme që fëmija të ndihet se po e dëgjojmë” thotë ajo. Dëgjoni shqetësimet e tyre dhe jepni diçka pozitive për të menduar.
Gjithashtu, mund të ofroni diçka të prekshme për të kujtuar dashurinë tuaj, si një gjerdan i fshehur nën këmishë. Sipas Dr. Cook, ky është një kujtesë për fëmijën që ju jeni gjithmonë aty për ta. Ju mund të thoni: “Unë e di që s’është njësoj si të qëndrosh në shtëpi, por kjo është më e mira që mund të bëj për ty sot.”
Ndërtoni sistemin e mbështetjes së fëmijës suaj
Nëse fëmija nuk dëshiron të flasë me ju, pyesni nëse ka dikë tjetër, si një anëtar familjeje, mik apo terapist, me të cilin dëshiron të flasë. Dr. Cook sugjeron që fëmija të ketë një person të sigurt në shkollë, si një mësues apo ndihmës. “Inkurajoni fëmijën tuaj të ndajë se kush është personi i tij i besuar në shkollë dhe flisni me ta, që ta mbështesin.”
Jashtë shkollës, është e rëndësishme të krijoni lidhje me miqtë ose fqinjët që mund të bëhen një “familje e kërkuar” për mbështetje. Siç thekson Dr. Cook, pyetjet e qarta si “A mund ta ndihmoni fëmijën tim me detyrat e shtëpisë pas shkollës?” mund të jenë një mbështetje e madhe.
Në raste kur fëmija ka nevojë për një ditë pushimi për shëndetin mendor, kontaktoni mësuesin për të ndihmuar fëmijën gjatë ditës. Mësuesi gjithashtu mund të ndajë vëzhgime mbi sjelljen e fëmijës dhe strategjitë e ndryshme mund të ndihmojnë.
Krijo një rutinë
Bowyer përmend se një rutinë e rregullt përfshirë ndalimin e elektronikës nga ora 5:30 deri në 8:30 çdo natë. Kjo ndihmon shumë në mirëqenien mendore të fëmijëve. Përfshirja e fëmijëve në përgatitjen e darkës është një tjetër shembull. “Zakonet e shëndetshme kanë ndikim të madh në shëndetin mendor,” thotë ajo. Ushqimi i shëndetshëm dhe ushtrimet fizike janë thelbësore për mirëqenien e përgjithshme.
Një tjetër element i rëndësishëm është koha individuale cilësore me secilin fëmijë, veçanërisht me fëmijët më të rritur që mund të mos dëshirojnë të flasin. Koha e dedikuar për aktivitete si p.sh; një film në fundjavë ose një lojë mund të forcojë lidhjen tuaj.
Inkurajoni kujdesin për veten dhe vëmendjen
Dohner sugjeron krijimin e një hapësire të veçantë me lojëra qetësuese, si lodra ose ngjitës me gërvishtje, për t’i ndihmuar fëmijët në momentet e stresit. Një kuti e tillë mund t’i ndihmojë të rregullojnë emocionet. Ditari i rregullt gjithashtu ndihmon në zbutjen e ankthit. Nëse shkrimi është sfidë, Dr. Cook rekomandon regjistrime video, audio, ose vizatime.
Jini të sjellshëm me veten
Në fund, Dr. Cook thekson rëndësinë e relaksimit për prindërit. Kujdesi për nevojat bazë si strehimi, ushqimi dhe uji duhet të jetë prioritet. “Bëni më të mirën me burimet që keni dhe mos ndieni faj,” sugjeron ajo.
Autore: Lauren Brown West-Rosenthal, Parents
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj, Prinderimi.com