Kur dikush sheh një familje të lumtur që jeton në harmoni, me një ambient shtëpiak paqësor dhe të rehatshëm, dhe (mbi të gjitha) të rregulluar mirë, me fëmijë besimtarë e të devotshëm, ky nuk është rezultat rastësie. Ky është rezultat i punës së vështirë dhe përpjekjeve për të zhvilluar marrëdhënie të mira prind-fëmijë. Prindërimi i mirë është një investim afatgjatë dhe çelësi për suksesin në zhvillimin emocional, psikologjik dhe fizik të fëmijëve.
Në thelb, prindërimi i mirë siguron një ambient të ngrohtë dhe të përzemërt, në të cilin fëmijët mund të lulëzojnë. Një ambient i tillë është thelbësor për krijimin e marrëdhënieve që përmirësojnë komunikimin dhe i afrojnë më shumë fëmijët me prindërit. Komunikimi i suksesshëm kërkon sjellje pozitive, jo të ashpra dhe gjykuese, që i inkurajojnë fëmijët të përpiqen për përsosmëri.
Prindërimi sot është mjaft problematik. Shumica e prindërve nuk ndjekin kurse prindërimi dhe u mungon dija, përvoja dhe shkathtësitë prindërore. Ata mbështeten vetëm në instinktin dhe mendimin praktik, i cili zakonisht është i vjetruar dhe i trashëguar nga stërgjyshërit që janë ose të painformuar, ose për të cilët prindërimi ka domethënie të ndryshme kulturore. Ka të tjerë që janë të arsimuar, por që imitojnë qorrazi kulturat perëndimore. Prindërit gjithashtu mund të ndjekin prindër dhe fqinj të keqinformuar.
Disa prindër përpiqen t’i plotësojnë dëshirat e tyre të paplotësuara nëpërmjet fëmijëve të tyre. Ka të tjerë që shpërfillin apo e shtyjnë detyrën prindërore. Për shkak të mungesës së të kuptuarit apo mungesës së kohës, ata ia delegojnë prindërimin dadove, mësuesve, kushërinjve, televizionit dhe lojërave kompjuterike. Kjo është veçanërisht karakteristikë e disa vendeve të pasura me naftë, ku “shpërdorimi” i importit të dadove ka pasur ndikim negativ mbi karakteret e fëmijëve.
Fatkeqësisht, prindërimi sot në masë të madhe merret si i mirëqenë, me pak vëmendje ndaj asaj që kërkon ky rol i rëndësishëm. Në fakt, sa prej nesh, si prindër, kemi menduar seriozisht për detyrën që na është besuar? Do të na ndihmonte nëse e bënim këtë, pasi do ta kuptonim se prindërimi kërkon strukturën e vet të shkathtësive, strategjive dhe planifikimit.
Autor: H. Altalib, O. Altalib dhe A. Ebusulejman, 2022
Udhëzues për rritjen e fëmijëve: Marrëdhëniet prind-fëmijë