Prindërit e nxënësve të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë janë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve, meqë drejtoria e shkollës i transferoi në objektin tjetër të shkollës dhe ua ndryshoi orarin mësimor, duke i vendosur nga turni i paradites në atë të pasdites.
Prindërit ankohen se fëmijëve u bie të kryejnë orët mësimore kur terrohet
Berat Rakovica ka vajzën në klasën e tretë në shkollën fillore “Mihal Grameno” në Fushë-Kosovë. Nga shtatori, vajzës së tij dhe nxënësve të tjerë të klasave nga e para deri te e pesta u është ndryshuar turni, nga paraditja në pasdite, e po ashtu janë dërguar në aneksin 1 të shkollës.
Rakovica, që është përfaqësues i prindërve të klasës ku vijon mësimin vajza e tij, është shprehur i shqetësuar për sigurinë e nxënësve.
“Ne jemi të pakënaqur për arsye se p.sh. vajza ime vijon mësimin prej orës 14:30 deri pas orës 18 apo 18:30 diku e përfundon mësimin, deri po dalin po bëhet 19 edhe në ora 19 pas dy muajve është terr, me ndërrimin e orës mandej bëhet shumë terr, fillon me u ba terr prej orës 17 edhe kush garanton që fëmijët tanë nuk kanë me u sulmu prej qenve ose nuk kanë me u shkel prej ndonjë veture në mbrëmje vonë. D.m.th. jemi jashtëzakonisht të shqetësuar”, ka thënë Rakovica.
Ai e ka vlerësuar të padrejtë vendimin, meqë, sipas tij, ky orar nuk është i përshtatshëm për moshën e nxënësve të klasave 1 deri në 5.
“Na e dina që të rriturit munden me udhëtu edhe natën, dinë edhe qysh me u mbrojtë, munden edhe me vrapu më shpejt me ikë edhe prej qenve, janë më të vetëdijshëm edhe në komunikacion, i dinë shenjat e komunikacionit, dinë ku duhet me ec, ku nuk duhet me ec, edhe besoj që ish kanë më e kuptueshme, më e logjikshme që me ju përshtat të vegjëlve, d.m.th. fëmijëve më të vegjël me ju përshtat”, ka shtuar ai.
Përveç ndryshimit të orarit, prindërit ankohen edhe për ndërrim të objektit.
Dardane Sogojeva, prind dhe asambliste nga radhët e PDK-së në Fushë-Kosovë, ka akuzuar Drejtorinë e Arsimit se vendimin e mori pa u këshilluar me prindërit.
“Shqetësimi ynë si prindër është transferimi që e kanë ba të vajzës, d.m.th. kemi qenë në Mihalin në qendër aty dhe na kanë dërguar tash në aneksin 1, siç po e shihni tash mbrapa neve. Arsyeja se na jemi dy prindër dhe jemi të punësuar. Shqetësimi i dytë është orari, prej orës 14:30 deri në ora 18 dhe 20 minuta, nuk e di çfarë sigurie ka me pas për këto rrugë si po i shihni ju këtu, se qysh kemi me i leju ne fëmijët vetë me ardhë….. Të paktën është dashtë klasa e 1-5 me qëndru në qendër dhe klasa e 6-9 me ardhë në aneksin 1 se janë më të rritur, d.m.th. ky ka qenë shqetësimi ynë”, ka deklaruar Sogojeva.
Drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, nuk pranoi të flasë për problemin, por shkurt u shpreh se është duke e bërë riplanifikimin e orarit.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha, por ai nuk ishte i qasshëm tash e sa ditë. /KOHA.net