Në përditësimin e fundit të muajit korrik 2024, bërë nga Cybermetrics Lab, që është pjesë e Këshillit Kombëtar Kërkimor të Spanjës, Universiteti i Prishtinës ka regjistruar një total prej 88483 citimesh në “Google Scholar Citations” nga ekzaminimi i mbi 5000 institucioneve. Ky numër shënon një rritje prej 8220 citimesh nga publikimi i fundit, i bërë në korrik të vitit 2023, në të cilin UP-ja ka pasur 80263 citime.
Ndërsa rritja totale nga korriku 2023 deri në korrik 2024 është 16739 citime. Ndërkohë, në një kontekst më të gjerë, krahasimi midis korrikut 2020 dhe korrikut 2024 tregon një rritje prej 60903 citime.
Modeli i ndjekur në këtë edicion, në kategorinë e transparencës, është mbështetur në mbledhjen e citimeve nga 310 top profilet publike të autorëve më të cituar, duke përjashtuar 20 të parët. Kjo metodë siguron pavarësi nga ndikimi i madhësisë së institucionit dhe përfaqësueshmëri nga profilet e mbetura.
Metrikat e tilla luajnë pa diskutim një rol të rëndësishëm, jo vetëm në renditje, por edhe në imazhin ndërkombëtar të universitetit.
Në funksion të përmirësimit të renditjes ndërkombëtare të UP-së dhe të përcaktimit të fuqisë reale kërkimore të tij, tashmë janë ndërmarrë edhe një numër veprimesh, duke përfshirë korrigjimin dhe regjistrimin e profileve të anëtarëve të personelit akademik me adresën zyrtare të universitetit në “Google Scholar”.
Në mënyrë paralele, janë duke u ndërmarrë veprime, të tilla si krijimi i qasjes në databaza akademike dhe rritja e mbështetjes për projekte kërkimore, punime akademike dhe libra, si dhe mobilitete akademike, me qëllim ngritjen dhe vlerësimin e punës shkencore në UP.
Në krahasim me institucionet e tjera, Universiteti i Prishtinës ka më tepër se dyfishin e citimeve të të gjitha institucioneve të tjera shqipfolëse marrë së bashku.