Edukata e tualetit hap pas hapi
E dukata e tualetit është një çështje që veçanërisht nënat i shqetëson shumë. Por po të kihen parasysh disa gjëra të caktuara, edukata e tualetit mund të mos jetë më shqetësuese, madje mund të bëhet e këndshme.
Gjëja më e rëndësishme që duhet pasur parasysh është se për fëmijët e vegjël zbrazja në mbathje është kënaqësi, pasi e çliron pas një shtrëngese, prandaj gjatë kësaj përvoje fëmija përjeton kënaqësi.
Ka shumë fëmijë të cilët gjatë këtij çasti çlirimi u afrohen prindërve dhe lagen pranë tyre. Nënat duhet ta dinë se ajo që i kërkohet një fëmije kur përpiqet t’i jepet edukata e tualetit, është që të heqë dorë nga kjo kënaqësi. Prandaj fëmijët e kanë të vështirë ta kuptojnë pse mërziten e shqetësohen prindërit ndërkohë që ata kënaqen duke u zbrazur në mbathje.
Për këtë arsye, një nga kushtet kryesore që fëmija të fillojë të mësojë zakonin e tualetit, është që të jetë në moshë kur mund të heqë dorë nga kjo ndjenjë kënaqësie. Kjo moshë ndryshon nga fëmija në fëmijë, diku mes 18-24 muajsh.
Krahas kësaj, që fëmija të mësohet me tualetin, duhet t’i jenë pjekur muskujt e rrugëve urinare ashtu që fëmija të mund t’i kontrollojë. Edhe për këtë mund të themi se mosha e duhur është 18-24 muajsh.
Nëse një fëmijë i përmbush këto dy kushte e megjithatë nuk po e përvetëson dot akoma zakonin e tualetit, arsyet kryesore të mundshme janë tre:
Fëmija mund të ketë një problem gjenetik të trashëguar nga prindërit lidhur me lagien. Ndonjëherë, nga tre fëmijë në familje, dy mund të mos e kenë këtë problem dhe mund ta mësojnë që herët zakonin e tualetit, por tek njëri prej fëmijëve mund të shfaqet ky problem i trashëguar nga ndonjëri prej prindërve.
Fëmija e ka gjumin shumë të rëndë dhe nuk e kupton që laget.
Fëmija nuk është i qetë në familje dhe ndihet nën trysni psikologjike.
Nëse janë përmbushur të gjitha kushtet e përmendura më lart dhe nuk ka ndonjë problem si këto, atëherë duhet ndjekur kjo rrugë:
(1) Fëmija duhet ta kuptojë se lagia e cila atij i jep kënaqësi, në fakt është një situatë e papëlqyeshme. Hapi i parë për këtë është që gjatë ditës fëmijës t’i vishet një rrobë që ta bëjë ta ndjenjë lagështinë, për shembull, mbathje thithëse. Sepse me pelena të shtrenjta e cilësore që e thithin mirë lagështinë, fëmija gjatë ditës nuk e ndjen lagështinë dhe nuk bezdiset.
(2) Gjatë edukimit me tualet, së pari fëmija duhet mësuar me kryerjen e nevojës së madhe gjatë ditës. Në përgjithësi prindërit e kuptojnë kur fëmijës i vjen nevoja e madhe.
Nevoja e madhe për fëmijën është shtrëngesë. Nëse i tregohet dhe i mësohet një vend ku mund të çlirohet më i qetë nga kjo shtrëngesë, kalimi mund të arrihet shumë më lehtë. Për këtë qëllim, një mënyrë e mirë është përdorimi i oturakut. Sa herë që fëmija do të kryejë nevojën e madhe, nëse nëna e çon tek oturaku (i cili duhet të gjendet në tualet), fëmija mëson se si mund ta kryejë më i qetë dhe i ulur këtë nevojë.
(3) Pasi fëmija të mësohet në orët e ditës me vajt- jen në tualet, e njëjta gjë duhet zbatuar edhe gjatë natës.
(4) Pasi fëmija mësohet me tualetin e nevojës së madhe gjatë ditës, edhe gjatë natës nuk lëshohet më në mbathje.
(5) Edhe gjatë mësimit me nevojën e vogël, fëmija lihet i lirë që ta ndjejë lagështinë. (Nuk i vishen më bebelina, por mund t’i vishen mbathje thithëse.) Kur të vihet re se fëmija e ndjen lagështinë, çohet në tualet. Kur fëmija ta kuptojë se mund ta mbajë ose ta lëshojë me vullnet urinën, do ta ketë mësuar vajtjen në tualet.
Fëmija që mëson ta bëjë urinën në tualet gjatë ditës, pas njëfarë kohe nuk do të laget më as gjatë natës. Gjatë kësaj kohe fëmijës nuk i vishen bebelina as gjatë natës, por duke përdorur një mbulesë mbrojtëse për krevatin, fëmija ndihmohet në këtë fazë kalimtare.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Adem Güneş, “Si veprojnë fëmijët dhe pse?”