Cilado të jetë mosha që kemi, gjithmonë kërkojmë e dëshirojmë diçka. Madje edhe të dënuarve me vdekje u bëhet pyetja: “Cila është dëshira e fundit?” Megjithëse vetëm pesë sekonda para vdekjes, forca e dëshirës nuk humbet. Ne që nga lindja përjetojmë çdo çast duke kërkuar e dëshiruar diçka. Dëshirat e kërkesat tona nuk kanë të ndalur. Dhe në fakt, shumë mirë që nuk kanë të ndalur sepse dëshirat janë ato që na motivojnë. Edhe në momentet më të vështira ne mbetemi në këmbë për shkak të dëshirave, e ripërtërijmë dëshirën për të jetuar. Dëshirat na hedhin ne drejt qëllimeve të reja.
Edhe sikur të kemi përjetuar humbjet më të mëdha, apo të jemi përballur me vuajtjet më të papërballueshme, dëshirat na bëjnë të rikrijojmë veten. Ëndrrat ushqehen nga dëshirat. Ne marrim kënaqësi nga jeta për aq kohë sa joshen dëshirat dhe kërkesat tona.
Qëndrimet e forcës së dëshirës së abuzuar të fëmijës:
Sa të shëndetshme janë reagimet tona kundrejt dëshirave dhe kërkesave të fëmijëve? Në lidhje me këtë çështje mund të flasim për dy reagime të gabuara: ose plotësojmë çdo kërkesë të tyre e nuk dimë të themi “jo”; ose themi jo edhe ndaj kërkesave të tyre që duhet t’u themi po.
Në rastet kur nuk dimë t’u themi jo, ne rrisim fëmijë egocentristë që presin t’u realizohen të gjitha kërkesat e dëshirat. Këta persona, njësoj si fëmijët e tyre, jetojnë me ëndrrën se të gjitha kërkesat dhe dëshirat do t’u realizohen pa pasur nevojë të bëjnë përpjekje. E natyrisht që shpesh herë zhgënjimi i këtyre personave është i pashmangshëm.
Qëndrimet që zhvillojnë forcën e dëshirës së fëmijës:
Si duhet të jetë qëndrimi i shëndetshëm kundrejt kërkesave të fëmijës? Fillimisht duhet të shikojmë nëse kërkesat që kanë janë në përputhje me moshën e tyre. Së dyti, çfarë mund të bëjnë ata për gjërat që kërkojnë. Ne duhet t’ua shpjegojmë se çfarë mund të bëjnë, e ne të plotësojmë pjesën e mbetur. Në këtë mënyrë u zhvillojmë edhe ndjesinë e mjaftueshmërisë dhe u ofrojmë mbështetje për gjërat që kanë nevojë.
Veç kësaj, nuk është aspak e drejtë që ne të plotësojmë në moment çdo dëshirë të fëmijës. Fëmija duhet të mësojë të bëjë durim. Sigurisht që këtu duhet të jemi të kujdesshëm. Është e rëndësishme të mos mendojmë të shtyjmë pafundësisht gjërat me idenë që fëmija të mos llastohet apo të mësojë të bëjë durim. Ne nuk mund t’i themi një fëmije “Do ta bësh më vonë.” Nëse atij i vjen të urinojë, por nëse ai na ngjitet pas pantallonave e kërkon t’i tregojmë një përrallë sapo të hyjmë në shtëpi, mund t’i themi dëshirën e tij mund ta shtyjmë deri para kohës së tij të gjumit.
Si mund të zhvillojmë forcën e dëshirës në maturi?
Nuk mund të zhvillohemi pa rendur e pa kontribuar për dëshirat tona. E rëndësishme nuk është vetëm të realizohen dëshirat tona, por edhe djersa që ne derdhim për to. Sa më i madh mundi, aq më e madhe përmbushja.
Për të arritur në një standard jetese duhet që zhvillimi i ndjesisë së mjaftueshmërisë të jetë i lidhur me të qenët i suksesshëm në jetë, të arrish të paguash faturat, apo të plotësosh nevojat. Prandaj është shumë e rëndësishme të tregojmë kujdes për zhvillimin e shëndetshëm të forcës së dëshirës së fëmijëve tanë.
Duhet të planifikojmë qëllimet për të realizuar dëshirat tona. Është e dobishme të fillojmë nga realizimi i gjërave të lehta, për të bërë gjëra të vogla. Çdo dëshirë që realizojmë na çon drejt qëllimeve të reja.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”