Epoka digjitale ende vazhdon të dëshmojë faktin se si teknologjia është bërë pjesë e pandashme e çdo personi, duke përfshirë këtu edhe fëmijët që nga fazat e para të ardhjes në jetë. Shtrohet pyetja, se si është e mundur që këta fëmijë të ekspozohen kaq herët ndaj teknologjisë?
Studimet dëshmojnë se fëmijët mund të jenë ekspozuar për një kohë shumë të gjatë në mënyrë pasive, si dhe në mënyrë aktive, duke shpenzuar rreth dy orë nga dita e tyre në teknologji. Pavarësisht se kohët e fundit po flitet se teknologjia dhe mediat sociale mund të ndihmojnë fëmijët të mësojnë gjëra të reja, Akademia Amerikane e Pediatërve rekomandon shmangien e teknologjisë për fëmijët më të vegjël se 18-24 muajsh. Një aktivitet i tillë përbën shqetësim dhe shumë studiues janë përpjekur të vendosin në pah efektet negative që ka ky proces gjatë zhvillimit në foshnjëri. /Psika
Mungesa e ndërveprimit
Një ndër pasojat e para negative që përmendet, është mungesa e ndërveprimit. Është dëshmuar se teknologjia pengon fëmijët nga ndërveprimi i drejtpërdrejtë dhe real, dhe shpesh bën që këta fëmijë të mbyllen në vete, duke ngadalësuar kështu procesin e zhvillimit të tyre. Një fëmijë e ka të domosdoshme të marrë përgjigje për veprimet e tij dhe të stimulohet për të vepruar, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kuptojë dhe gjejë mbështetje në ambientin përreth, si dhe të marrë konfirmim se ai është aty dhe të tjerët gjithashtu e ndjejnë prezencën e tij. Përveç ndjesisë që ofron ndërveprimi, njëkohësisht cilësohet si një ndër mënyrat më të mira prej ku fëmijët mund të mësojnë.
Dallimi midis botës virtuale dhe asaj reale
Një tjetër pasojë negative ka të bëjë edhe me mungesën e dallimit midis botës reale dhe asaj virtuale tek fëmijët. Disa nga këta fëmijë, veçanërisht ata në mosha më të vogla, raportohen të dalin në vështirësi me dallimin midis asaj që ndodh brenda pajisjeve të tyre teknologjike dhe asaj që ndodh në realitet.
Sipas Vigotskit, zhvillimi i fëmijëve varet nga çdo stimul i vërtet dhe normal social, duke përfshirë të gjitha ndjesitë siç janë të prekurit, të nuhaturit, të shijuarit, etj. Nëse fëmijët nuk arrijnë të marrin lloje të tilla stimujsh, ata nuk do të mund t’i imitojnë ato dhe të mësojnë prej tyre, duke marrë në kosideratë se imitimi është një aspekt shumë i rëndësishëm i procesit të të mësuarit dhe se duhet të stimulohet që në fazat e para.
Mbështetur në shumë studime, është vënë re se fëmijët nuk mund të imitojnë me të njëjtën efiçensë veprimet që shohin në pajisjet e tyre teknologjike, me veprimet që mund t’i shohin në jetën reale. Kjo njihet ndryshe si “efekti i deficencës së videove”, që shpjegon se fëmijët janë të aftë të imitojnë direkt një veprim të parë realisht dhe nga ana tjetër ju duhet ta shohin disa herë një veprim virtualisht përpara se ta imitojnë atë.
Në një eksperiment të kryer në vitin 1970, disa fëmijëve 3 vjeç i’u shfaq në ekranin e televizorit një pjatë me kokoshka. Ata u pyetën se nëse do ta lëviznin televizorin me drejtim nga toka a do të binin kokoshkat në dyshemenë e tyre dhe përgjigjia ishte: Sigurisht që po. Nëse bëjmë një krahasim, këta fëmijë janë më të rritur se fëmijët e moshës për të cilën po flasim (0-2 vjeç) dhe përsëri nuk ishin në gjendje ta bënin dallimin. Nëse fëmijët e vegjël përfshihen së tepërmi në botën virtuale, ata do ta kenë të vështirë të bëjnë këtë dallim dhe kjo do të çojë në një konfuzion të panevojshëm, prej të cilit mund të jetë e vështirë të dilet, dhe mund të bëhet pengesë për zhvillimin e fëmijës.
Gjuha dhe komunikimi
Mësimi i gjuhës dhe procesi i komunikimit cilësohen si hapa mjaft të rëndësishëm përgjatë zhvillimit të fëmijëve, të cilat nëse nuk arrihen në kohën e duhur, fëmijët mund të hasin në vështirësi apo pasoja të pakthyeshme. Kjo për shkak se truri, në raste të caktuara, nuk është i aftë të absorboj plotësisht një aftësi të cilën fëmija do duhej ta kishte fituar në një periudhë të caktuar. Teknologjia bëhet pengesë në procesin e komunikimit, sepse ajo e largon fëmijën nga ndërveprimi dhe kontakti i drejtpërdrejtë me fjalët dhe njerëzit. Sipas një studimi të bërë me 1000 fëmijë, u vu re se fëmijët që kishin parë DVD më tepër se 2 orë në ditë, kishin arritje më të ulëta në procesin e të folurit dhe mësimin e gjuhës, sesa fëmijët që nuk kishin parë DVD. Madje u zbulua se për çdo orë që fëmijët shikonin DVD, humbnin mundësinë për të mësuar 6-8 fjalë të reja, krahasuar me fëmijët që nuk i shikonin ato.
Atashimi
Atashimi cilësohet si një ndër fazat më të rëndësishme për zhvillimin e fëmijës, e cila nëse lihet pas dore mund të shkaktoj dëme emocionale në të ardhmen. Fjalori i APA përkufizon atashimin, si lidhja emocionale midis një foshnje dhe figurës së prindërve ose kujdestarëve të tij. Futja e teknologjisë midis këtyre lidhjeve të nevojshme, pengon zhvillimin emocional të shëndetshëm të një fëmije. Koha që një foshnje mund të jetë ekspozuar ndaj pajisjeve teknologjike, e shkëput atë nga koha që mund të kalonte duke ndërvepruar me prindin ose kujdestarin, gjë që e largon atë nga krijimi i një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe të sigurtë.
Marrëdhënia midis prindërve dhe teknologjisë
Përveç problemeve që vijnë nga ekspozimi i fëmijëve në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndaj pajisjeve teknologjike, studimet dëshmojnë se efektet negative vijnë edhe nga koha që prindërit shpenzojnë në media sociale dhe pajisjet e tyre teknologjike.
Një artikull nga Psychology Today, identifikon disa studime të kryera në këtë drejtim. Në një studim të realizuar me fëmijë nga 7 muajsh deri në 2 vjeç, tregohet se mamatë që shpenzonin kohë në pajisje elektronike dhe media sociale, fëmijët e tyre shfaqnin më tepër sjellje negative. Ndërkaq, studimi tjetër me rreth 6000 fëmijë, dëshmoi se fëmijët ndjenin një lloj konkurence me telefonat, për shkak se këta të fundit po merrnin pjesën më të madhe të vëmendjes së prindërve të tyre.
Duke u bazuar në efektet negative të lartëcekura, rekomandohet që nëse prindërit duan patjetër t’i prezantojnë fëmijët me teknologjinë, të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre dhe të ndërveprojnë në mënyë aktive me ta, njësoj si me procesin e përrallave duke i pyetur për figurat që shohin në pajisjen teknologjike, mënyrën si i interpretojnë ato ose mund t’i japin vetë shpjegime në lidhje me aktivitetin që po kryejnë. Programet e përzgjedhura duhet t’i përshtaten fëmijëve, të jenë të cilësisë më të lartë, duke qenë të kontrolluara dhe të certifikuara paraprakisht.
Pra, si përmbledhje, edhe pse teknologjia është kthyer në një mjet tejet të rëndësishëm në ditët e sotme, për shkak të rrjetit që ka krijuar, mundësive dhe lehtësive që ofron, nuk duhet harruar se fëmijëve ju duhet edhe kujdesi, ngrohtësia, dashuria dhe vëmendja e prindërve apo kujdestarëve të tyre, për një zhvillim optimal.
Autore: Stela Kapo
Prinderimi.com