Ç’është vetëvlerësimi?
Nëse të pëlqen njeriu me të cilin shoqërohesh, nuk ndihesh kurrë vetëm. – Wayne Dyer.
Vetëvlerësim do të thotë të ndihemi me vlerë si individë, si dhe të ndihemi të mjaftueshëm për përballur me problemet. Këto dy ndjesi, vlerësimi dhe mjaftueshmëria përbëjnë themelin e vetëvlerësimit. Kur nuk arrijmë të ndiejmë sa duhet njërën nga këto të dyja, përmbushja që marrim nga jeta pakësohet.
Nëse nuk e kemi të zhvilluar ndjesinë e mjaftueshmërisë, jemi të pamjaftueshëm përballë problemeve. Nëse nuk e kemi të zhvilluar ndjesinë e vlerësimit, nuk mund të ndihemi një individ me personalitet e nuk i japim vetes vlerën që kemi. Nëse nuk i kemi të zhvilluara asnjërën nga këto dy ndjesi, jeta për ne shndërrohet në një makth. Poshtërojmë veten sepse e krahasojmë me të tjerët, se nuk jemi e nuk bëjmë si ata.
Themeli i vetëvlerësimit hidhet nga mosha zero deri në moshën gjashtëvjeçare. Nëse prindërit tanë janë të vetëdijshëm në lidhje me rritjen e fëmijës, procesi i zhvillimit natyror është një adoleshencë me pak vuajtje dhe një rritje e pjekur për ne, por për sa prej nesh mund të thuhet se kemi prindër të zhvilluar në lidhje me zhvillimin individual?
Për fat të keq një shumicë shtypëse është vendosur nga prindërit që nuk kanë dalë vetë nga fëmijëria, ose nga personat që zënë vendin e prindërve. Thuajse të gjithë ne jemi si ndërtesa me themele të kalbura. Themelet e një pjese të konsiderueshme janë aq të dobëta sa edhe përballë tërmeteve të vogla (me të cilat përballemi shumë shpesh), mund të pësojmë dëme të mëdha.
Në skemën e treguar, vija vertikale tregon dimensionin e vlerës, ndërsa ajo horizontale dimensionin e mjaftueshmërisë.
Duke treguar lidhjen mes këtyre dy vijave, mund të kuptojmë më mirë konceptin e dinamikës së vetëvlerësimit (self-esteem). Në skemën horizontale, duke u nisur nga pika zero në djathtas mjaftueshmëria shtohet, ndërsa majtas pakësohet. Ndjesia e mjaftueshmërisë (ose pamjaftueshmërisë) matet më lehtë se ndjesia e vlerësimit. Në fusha të ndryshme të jetës, njeriu mund t’i vëzhgojë më me lehtësi fushat e ndryshme të jetës sesa ndjesinë e vlerësimit që është një dimension i brendshëm. Për shembull: performanca, aftësia, suksesi në punë, mund të shënohet më me lehtësi nga zero deri te dhjeta. Ndërsa performanca e pamjaftueshme mund të përfaqësohet nga zero deri te minus dhjeta lidhur me përballimin e vështirësive dhe sforcimin për të qëndruar në këmbë. Tani shënoni pikën ku mendoni se jeni mbi (vijën horizontale).
Ndjenja e vlerësimit zë vend në vijën vertikale. Pjesa mbi vijën vertikale pikësohet nga zero deri te dhjeta, ndërsa pjesa poshtë nga zero deri te minus dhjeta. Vlerësimi i vetëvlerësimit është më i vështirë. Njeriu mund të mos jetë mjaftueshëm objektiv me veten. Sepse ndjenja e vlerësimit ka të bëjë me vlerat sociale dhe egon personale. Ndjenja e vlerësimit zë vend në vijën vertikale sepse kjo ndjenjë ka një strukturë hierarkike.
Ndjenja e mjaftueshmërisë e çon njeriun e zhvilluar përpara të tjerëve, ndërsa njeriun që nuk është zhvilluar mjaftueshëm – pas. Ndjenja e vlerësimit e mban individin e zhvilluar sipër të tjerëve, ndërsa të pazhvilluarin poshtë të tjerëve. Për shembull, një grua e suksesshme në punë (me mjaftueshmëri të zhvilluar), mund të pranojë të poshtërohet nga i shoqi. Siç e shihni, nëse një nga shtyllat e vetëvlerësimit është e ulët, mund të përballemi me një tablo aspak të shëndetshme. Por, nëse ndjenja e vlerësimit dhe mjaftueshmërisë janë të zhvilluara, mund ta gjejmë ekuilibrin. Kur ushqehet vlerësim dhe mjaftueshmëri e lartë ne nuk e ndiejmë nevojën të jemi lart të tjerëve.
Personi që e sheh veten mjaftueshëm me vlerë gjendet në pjesën e sipërme të vijën horizontale, personi që përjeton ndjenjën e mungesës së vlerës dhe e sheh veten më poshtë, ai që ndien se nuk është i denjë për t’u dashur mjaftueshëm zë vend në pjesën e poshtme të vijës horizontale. Tani përcaktoni duke shënuar pikën e ndjenjës së vlerësimit mbi vijën vertikale.
Ju keni pika si në vijën vertikale dhe atë horizontale. Tani bashkoni me vija paralele këto dy pika duke përcaktuar fushën e vetëvlerësimit në një katërkëndor. Në varësi të pikëzimit, kjo fushë mund të jetë edhe katërkëndor ose paralelopiped.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”