Tani po të drejtoj këtë pyetje: “A beson në telepati? A të ka rastisur që të kesh qenë duke menduar për një person dhe në të njëjtin moment, të qëllojë që ai person të të marrë në telefon? Ose, a të ka ndodhur të mendosh se do të ndodhë një gjë e caktuar, dhe pastaj kjo gjë të ndodhë vërtet, si për shembull të gjesh vend për të parkuar makinën në një vend tepër të ngarkuar me trafik?
Nëse të ka ndodhur kjo, atëherë pra ti ke përjetuar atë që quhet “Ligji i parashikimeve”, dhe ky ligj thotë: “Gjithçka që ti e parashikon me bindje të plotë, do të të ndodhë vërtet në jetë.”
Nëpërmjet shkencës së metafizikës, ne e dimë se: “Truri është si një magnet, që tërheq drejt vetes njerëzit, situatat dhe rrethanat, për rastet e mendimeve të ngjashme”… Kur mendojmë në mënyrë pozitive, tërhiqen drejt nesh situatat pozitive, dhe e kundërta ndodh kur mendojmë në mënyrë negative, ku ne tërhiqemi patjetër nga situatat negative. Për këtë, Horaci, thoshte: “Ne në përgjithësi arrijmë të marrim atë që parashikojmë”.
Njëri nga shokët e mi punonte drejtor i një hoteli të madh, dhe papritur e humbi punën e tij. Kur e pyeta se si kishin rrjedhur ngjarjet, përgjigjja e tij ishte: “Unë e prisja një gjë të tillë, por ishte thjesht çështje kohe për mua”… Edhe unë personalisht, e parashikoja të isha drejtor i përgjithshëm, dhe ngaqë ndieja një bindje të fortë për këtë, kjo gjë ndodhi vërtet.
Më ka ndodhur një herë, që një nga shokët e mi më thotë se çdo ditë atij i dhembte koka në orën katër pasdite, fiks. Unë i kërkova që të takoheshim një ditë, në orën tre e gjysmë pasdite, dhe prita të shikoj se çfarë do t’i ndodhte. Pas pesë minutash që u takuam, ai filloi të thoshte:
E ndiej se dhimbja e kokës po fillon të më sulmojë… Vërtet e ndiej se do të fillojë të më dhembë në çdo moment. Kjo më ndodh çdo ditë, në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë.”!!!
Ka njerëz që thonë: “Si të pres të ndodhë ndonjë gjë e mirë në këtë jetë?! Punoj dhe lodhem shumë çdo ditë… Kam pesë fëmijë që presin nga unë. Kam probleme në punë dhe në shtëpi, deri aty sa nuk mund t’i paguaj të gjitha detyrimet mujore. Mund të quhem me fat, nëse arrij t’i ruaj këto mirësi që kam, dhe pas gjithë kësaj, pret prej meje të parashikoj gjëra të mira shtesë…? Ti patjetër që tallesh.”
Secili prej nesh mund të mendojë me të njëjtën logjikë. Madje mund të shkruash një libër rreth gjithë asaj që ndodh gabim në këtë jetë dhe që na shkakton probleme, e të komentojmë se sa e padrejtë është kjo jetë. Por, në të njëjtën kohë që një pjesë e njerëzve ankohen për fatin e tyre të keq dhe për vështirësitë që vuajnë në këtë jetë, në të njëjtën kohë, ka njerëz të tjerë që jetojnë ëndrrat e tyre dhe që kanë pritshmëri për sukses të vazhdueshëm, dhe të cilët vërtet ia arrijnë ta marrin suksesin… Duhet të mendosh qoftë edhe për një moment të vetëm, rreth atyre njerëzve të suksesshëm, të cilët u përballën me pengesa të mëdha, por që pritën me patjetër suksesin, dhe vërtet ia arritën ta kenë atë. Arsyeja pse një pjesë e njerëzve e jetojnë jetën në një mënyrë të mjerueshme, është për shkak të pritshmëri- ve të tyre negative, se gjëra jo të mira do t’u ndodhin në jetë. Dhe vërtet, ajo të cilën e ndjellin vetë, është ajo të cilën e korrin në këtë jetë.
Doktor Norman Vincent Peale, në librin e tij “Fuqia e të menduarit pozitiv”, thotë: “Ne mund të kemi pritshmërinë më të mirë për veten tonë, pavarësisht rrethanave të vështira, por realiteti mahnitës është se kur ne kërkojmë dhe presim diçka të mirë, zakonisht, e gjejmë atë.”
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “10 çelësat e suksesit”
Përgatiti: Prinderimi.com