Kur isha gjashtë vjeç, unë kisha dy ëndrra të mëdha:
Ëndrra e parë ishte të bëhesha kampion i Egjiptit në pingpong. Çdo ditë i dëgjoja lajmet, me shpresën që të dëgjoja ndonjë lajm rreth ndeshjeve që zhvilloheshin në Aleksandri, në Egjipt, ku unë jetoja. E ndiqja çdo kampionat… Sa herë bëheshin kampionate, shkoja që herët dhe qëndroja deri në momentin e fundit. I ndiqja kampionët e lojës se si ata lëviznin, si silleshin dhe mënyrën se si luante secili dhe ëndërroja të isha si ata.
Pas disa viteve, vendosa të regjistrohesha në ndonjë ekip. U përpoqa të regjistrohesha në më shumë se njëzet klube sportive, por të gjithë më refuzuan. Më në fund, një trajner më tha: “Do të të stërvit, por me një kusht”… Unë e pyeta me nxitim: “Cili është ky kusht?”… Ai ma ktheu duke thënë: “Do të stërvitesh gjashtë orë çdo ditë, për një vit rresht dhe nuk do të marrësh pjesë në kampionate para se ta ndjej se vërtet je i gatshëm për këtë”. Unë i pranova kushtet pa ngurrim, dhe vërtet filluam stërvitjet mendore dhe fizike. Vetëm pas gjashtë muajsh, trajneri im më tha: “Tani do të bëjmë eksperimentin e parë”. Kishin mbetur vetëm edhe dy turne nga ai sezon.
Për habinë e të gjithëve, unë zura vendin e parë në të dy turnet. Në sezonin tjetër, zura vendin e parë në të gjitha turnet, përfshirë edhe kampionatin kombëtar dhe u bëra kampion i Egjiptit. Unë përfaqësova vendin tim në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Gjermaninë Perëndimore, në vitin 1969, dhe kështu realizova ëndrrën time të parë. Kisha patur shumë besim në vetvete se unë mund ta bëja këtë, dhe vërtet ia dola.
Ëndrra ime e dytë ishte të bëhesha drejtor i përgjithshëm i ndonjë hoteli të madh dhe të udhëtoja nëpër botë… Kur isha në shkollë, ndonjëri nga mësuesit pyeste nxënësit se çfarë donin të bëheshin në të ardhmen. Unë gjithmonë përsërisja se dua të bëhem drejtor i përgjithshëm i ndonjë hoteli të madh, e të gjithë qeshin çdo radhë që e dëgjonin këtë nga unë. Të gjithë sa ishin rreth meje, sikur përpiqeshin të ma shuanin ëndrrën, por unë e ruajta atë ëndërr dhe dëshirën time për ta realizuar atë patjetër. Gjithmonë kur luaja me shokët, aktronim sikur ishim në hotel, ndërsa unë gjithmonë luaja rolin e drejtorit të përgjithshëm. Pastaj, në veten time, unë fillova ta përgatisja veten për këtë rol në jetë dhe studiova gjuhët angleze, franceze dhe gjermane. Lexoja gjith çka që më mundësohej në lidhje me hotelerinë.
Shkoja në hotele të mëdha dhe kaloja shumë kohë duke vështruar njerëzit që silleshin aty… drejtorët, klientët e ardhur… shikoja se si vepronin nëpunësit e të gjitha niveleve dhe të natyrave të detyrave që kishin ndërsa ishin të zhytur në punë.
Në vitin 1970, fillova studimet në Institutin e Hotelerisë. Ditët kaluan dhe në vitin 1975 emigrova në Kanada, bashkë me bashkëshorten time, Amal. Brenda katër ditësh, gjetëm punë të dy. Mua më takoi të laja pjata dhe isha pjatalarësi më i mirë në atë hotel!!! Një ditë prej ditësh, drejtori i hotelit më kërkoi për një takim, dhe gjatë bisedës, unë i thashë: “Zotëri, kam lajme të gëzueshme dhe lajme të këqija…” Ai më tha: “Le të fillojmë me lajmet e gëzueshme”… Unë i thashë: “Unë do të bëhem drejtor i përgjithshëm.”.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “10 çelësat e suksesit”