Adoleshenca është një fazë zhvillimore e njeriut të cilës fazë njerëzit nuk i kushtojnë shumë rëndësi të madhe dhe nuk janë të njoftuar se çfarë ndikimi ka kjo fazë në jetën e njeriut. Adoleshenca është faza pothuajse kryesore e formimit të personalitetit të njeriut. Në këtë kohë njeriu i zbulon dhe i fiton tiparet, virtytet dhe cilësitë të cilat do ta shoqërojnë atë deri në frymën e fundit. Me këtë kuptojmë që adoleshenca është faza finale e formimit dhe ndërtimit të personalitetit.
Çdo prind i cili është i mençur dhe largpamës ka dëshirë për fëmijën e tij ta ketë një të ardhme sa më të ndritur, sepse i vetmi njeri që ka dëshirë ta shoh dikë më lart se ai, është prindi për fëmijën e tij. Nuk ka të ardhme më të ndritur dhe të premtuar se sa e ardhmja e cila ndër vete ngërthen vlera të shumta. Këtu sot gjendet problemi në shoqërinë tonë. Adoleshentët tanë nuk janë të informuar aq sa duhet për këtë udhëtim jetësor e cila është njëkohësisht edhe pengesë e një rruge tjetër, një rruge e cila i shpie në shfrenim dhe ne vese te këqia, vese të cilat nëse bëhen pjesë e kerakterit të adoleshentit ne këtë moshë delikate, pastaj vështirë që mundet familja, shkolla apo shoqëria ti largojnë nga jeta e tyre. Çfarë po i pengon ata që të jenë pjesë e kësaj rruge të ndritur? Ka disa pengesa të shfaqura në shoqërinë tonë për ta ndalur këtë rrugëtim.
Nga këndvështrimi i një adoleshenti mund të themi se këto janë disa nga pengesat. Mund të themi se element i rëndësishëm i kësaj pengese është përdorimi i pakontrolluar, i pakufizuar dhe i pafiltruar i teknologjisë respektivisht internetit. Në ditët e sotme mundësitë që një adoleshent të zgjedhë rrugëtimin e gabuar dhe të dëmshme nga përdorimi i pafiltruar i internetit, janë shumë të mëdha. Sot një i ri ka mundësinë të kryej shfletime nga më të ndryshmet duke filluar nga më të mirat e deri te më të këqijat. Problemi është se prindi nuk ka qasje të mjaftueshme në shfletimin dhe filtrimin e faqeve të ndryshme të internetit që mund ta formojnë një personalitet të gabuar dhe kundrejt dëshirës së prindërve. Nëse një prind do të kishte më shumë qasje në përdorimin e internetit nga fëmija, atëherë prindi do ta kishte më lehtë menaxhimin e situatës së formimit të personalitetit.
Pengesë tjetër e rrugës drejt suksesit është edhe sistemi joadekuat i arsimit. Sot për dallim nga kohërat e kaluara cilësia e arsimit ka pësuar një degradim të madh. Përveç cilësisë, edhe elementi i përmbajtjes së programit mësimor është në përputhje të plotë me largimin nga kjo rrugë e ndritshme. Sot fëmijët, sidomos adoleshentët e moshave 14-18 vjeqare mësojnë nga sistemi arsimor se një adoleshent mund të jetë i pavarur në zgjedhjen e disa mendimeve dhe çështjeve që kinse u thuhet personale apo ‘’private’’, që i bie se në ato qështje mendimi yt është më i rëndësishëm dhe se prindi nuk ka nevojë të përzihet në çështjet personale tuat. Le të bëjmë një digresion të shkurtër, si mendoni ju se një fëmijë respektivisht adoleshent a mund të bëjë zgjidhjen e duhur për çështjet personale siç është rrugëtimi i së ardhmes e të ngjashme pa pasur ndihmën, mendimin, ndikimin e njeriut që ka përvojë dhe ka kaluar më herët këto faza, pra prindin? Përgjigja është e qartë se një adoleshent do ta zgjidhte rrugën e gabuar po të mos ishte ndikimi i prindërve, shkollës, e që sot mungon në shoqërinë tonë, i cili ndikim sot është zëvëndësuar me ndikimin e grupacioneve të ndryshme që shërbejnë për prishjen e shoqërisë dhe degradimin e sajë.
Gjithashtu element tjetër është edhe shoqëria dhe rrethi që e rrethon. Sot një adoleshent mund të ndihet inferior apo edhe i lënë pas dore nga shoqëria nëse ai kryen veprime dhe detyrime që në të ardhmen të jetojë një jetë me vlera të larta. Kjo sepse sot shoqëria e ka të ngulitur thellë në kokë dhe në mentalitet se planifikimi i një të ardhmeje sa më të ndritur qysh në fëmijëri, është i kohës së shkuar dhe gjëra të vjetra, të cilat gjëra nuk mund ti pranojnë në një shoqëri kaq moderne dhe të civilizuar.
Lirshëm mund të theksojmë se mungojnë edhe metodat adekuate të ligjërimit. Me metodat adekuate nëkuptojmë që për adoleshentët duhet një ligjërues i cili ua kupton botën adoleshentëve dhe shpjegon jetën dhe të ardhmen nga ajo pikpamje e cila është më e kapshme për ta. Gjithashtu nënkuptojmë edhe me qartësimin e asaj se çfarë e pret në të ardhmen çdonjërin. Ligjëruesi i duhur duhet të dijë dhe të kuptojë metodat e duhura për ti orientuar adoleshentët në këtë rrugë të sukseshme e cila rrugë pa dyshim se nuk do e zhgënjejë asnjërin prej nesh.
Autor: Shpëtim Smajli, Prinderimi.com