Një pyetje sfiduese që ka habitur shumë mendje është: Çka e bën fëmijën musliman të paprirë për të lexuar, për dallim nga fëmijët në Amerikë, Evropë ose Japoni, ndonëse fjala e parë që i është shpallur të Dërguarit a.s. ka qenë: lexo? Përgjigja është se gjatë shekujve civilizimi islam ka rënë nga zeniti i tij. Është një periudhë mjaft e gjatë për të na bërë të harrojmë dashurinë për diturinë, shenjtërinë e diturisë dhe njerëzve të dijshëm, gjërat që Islami i kishte mbjellë në vetëdijen e pasuesve të tij në të kaluarën.
Nuk na ndihmon asgjë kur themi: “Ne jemi Umeti i ‘lexo’, sepse ne nuk lexojmë. Në të vërtetë kur i sheh fëmijët në Perëndim duke lexuar, ata nuk lexojnë se e dinë vlerën e diturisë dhe rolin që dituria e luan në jetë, por sepse ata i shohin të rriturit duke lexuar. Duke parë të rriturit dhe të rinjtë duke lexuar, leximi është shndërruar në një komponent të pandashëm nga kultura e komunitetit dhe këtë po përpiqemi ta kuptojmë: se kërkimi i diturisë shndërrohet në një rutinë ditore, se njerëzit lexojnë në të njëjtën mënyrë si hanë, pinë, ushtrojnë dhe shkojnë në punë.
A nuk është për të ardhur keq se në pjesën tonë të botës nuk e kemi parim se duhet të shpenzojmë ca para për shkollim dhe ndritje të mendjes së fëmijëve, në të njëjtën mënyrë si shpenzojmë për ushqimin, veshmbathjen dhe zbavitjen e tyre.
Kështu shumë familje besonin se shkollimi i fëmijëve është përgjegjësi vetëm e shkollës. Disa ua kanë dorëzuar fëmijët kanaleve televizive për fëmijë, të këqija dhe të mira, serioze ose të kota. Disa u kanë derdhur fëmijëve sasi të mëdha lodrash në përpjekje për t’ua larguar mendjen nga diçka tjetër. Një i ri i cili studionte në SHBA na ka treguar këtë: “Kur më vizitonin miqtë e mi, kisha zakon t’i dërgoja në një librari afër banesës sime dhe u thosha: “Do t’ju tregoj diçka që nuk keni parë në vendin tonë.”
Ata të gjithë mahniteshin kur shihnin një resht shumë të gjatë të njerëzve që prisnin për të paguar librat që i kishin blerë. Kati i parë nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për ta zënë tërë rreshtin, kështu rreshti vazhdonte në shkallët që çonin në katin e dytë. Klienti priste njëzet minuta vetëm për të paguar librat që i kishte marrë. Kontrasti i vendit tonë me këtë gjendet në rreshtat e gjatë për të paguar për ushqime dhe rroba. Njerëzit e njëjtë fare nuk i kushtojnë vëmendje ndriçimit të mendjeve të fëmijëve.
Kur u thua atyre njerëzve t’i ndajnë 5% të buxhetit familjar për të blerë libra, ata habiten pse duhet të shpenzohet një shumë aq e madhe, sepse në realitet shumica e tyre nuk shpenzojnë asnjë cent në libra. Atëherë, ky është boshti i problemit, ne pothuajse nuk shpenzojmë asgjë në edukimin e mendjeve dhe kjo e nxjerr të lexuarit jashtë rrethit të vëmendjes dhe shprehive tona, qoftë te të rriturit ose fëmijët.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”