Nga Fikret Ramadani
“Çfarë është koha? Nëse nuk më pyesni, e di se ç’është. Nëse më pyesni, nuk e di!” Agustini
Që në krye të herës, është e rëndësishme të ndalemi në kuptimet që mbartin me vete këto probleme kaq me peshë në fushën e dijes. Në mesin e çështjeve më të diskutuara në botën e mendimit është edhe koha. Përgjatë viteve, ky koncept është parë në disa këndvështrime, por asnjëherë nuk ka pasur një përfundim të qartë. Pra, ende nuk është dhënë ndonjë shpjegim që përmbush kërkesat e fushave ku koha është objekt hulumtimi dhe studimi. Madje, Henri Bergson mendonte se koha është problemi më kryesor i metafizikës. Kurse shkrimtari dhe dijetari i shquar argjentinas, J. L. Borges, në librin e tij “Pavdekësia dhe ligjërata të tjera”, i kushtoi një ligjëratë të posaçme kohës, në mesin e pesë ligjëratave të njohura.[1] Përveç të tjerash, ai pohon duke argumentuar se: “koha është e vazhdueshme”,2 duke na bërë me dije se ajo përbëhet nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Andaj, ne sot jemi e tashmja që bartim me vete të kaluarën dhe flasim për të ardhme, ku format e edukimit dhe mësimit vazhdojnë të jenë të kombinuara ndërmjet mënyrave tradicionale dhe atyre moderne. Rrjedhimisht, gjendemi në një mes ku ambiciet janë kah moderniteti, por duke mos anashkaluar përvojat tradicionale.
Mësimi dhe edukimi në kohë
Fillimi i shekullit XX solli gjëra të reja në të gjitha aspektet e jetës njerëzore. Kjo është koha që ne e përcaktojmë si modernizëm ose postmodernizëm. Megjithatë, debati për përkufizimin dhe përfaqësimin e drejtë të këtyre dy koncepteve i ka rrënjët nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar. Ishte Federiko de Onis që foli për “postmodernizmin”, si për njëfarë modernizmi të shteruar dhe pak konservator.[2]
Vetë parashtesa post është një formë e zakonshme terminologjike që shumë shpesh përdoret si “një mënyrë asnjanëse dhe e përshtatshme për të treguar pozicionin në kohë të disa ngjarjeve, duke iu referuar një momenti të spikatur pararendës”.4 Por, sipas Calinescut, epiteti “postmodern” u krijua në fillim të viteve ’50 të shekullit XX, nga historiani i mirënjohur, Arnold J. Tonibi. Ky i fundit mendonte se “qytetërimi perëndimor kishte hyrë në një fazë kalimtare gjatë çerekut të fundit të shekullit XIX. Kjo fazë kalimtare (…) iu duk atij më tepër si ‘ndërrim’ dhe shkëputje prej traditave”.5 Pra, flasim për një shkëputje të traditave dhe jo për një refuzim kategorik dhe largim nga dobitë dhe përparësitë që i ofron postmodernizmit tradicionalja, e jo siç aludonin përfaqësuesit e shkollave me elemente ekstreme në këtë drejtim. Fjala vjen, Marineti, përfaqësues i Futurizmit, ishte refuzues i prerë i dijeve të mëparshme, duke sulmuar e shkatërruar çdo gjë tradicionale.[3] Kjo qasje e prerë dhe me elemente të bollshme për t’u quajtur agresive në këtë raport, hapte probleme të konsiderueshme në çështjen e edukimit. Kjo pasi dihet se mësimi dhe sidomos edukimi duhet të gjejnë një terren të kultivuar mjaft mirë për të arritur interesat e shoqërisë dhe nevojat njerëzore.
Të ngjashme me mendimin paraprak, kemi edhe idetë që shpeshherë janë konsideruar të çuditshme, të njërit prej përfaqësuesve të Dadaizmit, Durhamelit. Ky i fundit mendonte dhe ishte i bindur, se zhvillimi i teknologjisë po e mbyste mendjen njerëzore. Një ekran i një kohe pak më të hershme, ose edhe i kohës bashkëkohore, mund të ketë në agjendën e vet transmetimin e një filmi brenda ditës, duke u servirur spektatorëve një kohë të konsiderueshme me pamje filmike, që janë menduar nga një producent i caktuar, me një ekip të përzgjedhur. Mirëpo, sipas Dyhamelit,
“filmi është mënyrë e kalimit të kohës për helotët, zbavitje për qenie të paarsimuara, të mjera, mendjengushta, të brejtura nga pesha e halleve… shfaqje që nuk kërkon asnjë përqendrim, asnjë inteligjencë”. [4]
Ndonëse përfaqësuesi i Dadaizmit nuk zë në gojë çështjen e ndjekjes së një mësimi, ligjërimi apo prezantimi në ekran televiziv (dhe nuk kishte si ta zinte, sepse koha ende nuk e kishte sjellë një përvojë të tillë që mund të komentohej nga ai), besohet se edhe në këtë pikë, me siguri do të kishte të njëjtin mendim, sikurse për filmin. Megjithatë, vërehet se edhe kjo shkollë përqafonte një frymë e cila sikur kundërshtonte çdo gjë që lidhej me largimin dhe distancimin fizik. Me një arsye të argumentuar, se mjetet e kohës së re janë një sfidë më vete për ta “shkatërruar” artin dhe për të shuar ndjenjat shpirtërore të artistëve, duke besuar përherë, se njerëzit e artit janë ata që duhet të mbajnë me “ushqim” shpirtin njerëzor. Së këndejmi, ata mund të kundërshtonin gjithçka që cenonte veprimtarinë e tyre tradicionale.
Mendime të tilla, hasim edhe në shkollat dhe drejtimet e shumta që veprimtarinë e tyre e zhvilluan kryesisht në fillimin e shekullit XX. Mirëpo, këtu po mjaftohemi me argumente që dëshmojnë se këto qëndrime të këtyre shkollave, ndonëse kishin meritat e veta në drejtime dhe fusha të ndryshme, ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Kështu, njëra nga idetë shkonte në kundërshtim me të gjitha elementet tradicionale që kishte trashëguar gjinia njerëzore, duke ia lënë fajin traditës; ndërsa tjetra kundërshtonte çdo risi që sillte koha dhe mbronte me çdo kusht dhe mundësi çdo gjë që kishte mbetur nga tradicionalja, duke supozuar se prurjet e reja apo risitë janë kundërshtarë të rreptë të artit dhe ushqimit të shpirtit njerëzor. Kësisoj, sipas këtyre të fundit, do të kemi njerëz të brishtë, pa kreativitet dhe me probleme të shumta shpirtërore, madje edhe mendore.
E tashmja dhe libri
Ky nëntitull nuk diskuton për asnjë moment një të tashme të diferencuar nga libri, por e tashmja dhe e ardhmja shihen si ndërthurje e librit me mjetet digjitale; përparësitë dhe mungesat e mjeteve prej ku është mësuar e studiuar se si do të vazhdojë edhe më tej.
Sot ne flasim për të ardhmen e e-book, që na mundësojnë të lexojmë në një ekran kristalesh të lëngshme antologji të poezive të shkrimtarëve më të njohur të historisë së letërsisë shqipe, apo të letërsisë botërore. I ulur para ekranit për një kohë të caktuar, gjithashtu, mund të përfundohet së lexuari edhe romani “Ana Karenina”. Mirëpo, a ka përparësi një lexim i tillë, kundrejt leximit dhe mësimit të zakonshëm në fleta letre?!
Shkrimtari, kritiku, mendimtari dhe semiologu italian Umberto Eco, ka diskutuar disa herë këtë problem, duke dhënë mendime dhe ide për këtë çështje. Në një tekst ku shtron përgjigjen, se cilën prej formave të leximit parapëlqen, Eco shprehet qartë, se rreshtohet në grupin e atyre që parapëlqejnë “të lexojnë një vëllim prej letre, nga i cili të kujtohet madje edhe ku i ke kthyer faqen, ose ku është i zhubrosur…”[5] Nisur nga kjo, mund të themi se në bashkëpunim me kujtesën dhe shqisën e të shikuarit aktivizohet edhe shqisa e të prekurit, duke dërguar me anë të kësaj shqise sinjale periferike në sistemin nervor, gjatë kohës kur libri ose letra lexohet dhe preket, apo kur kthehet faqja me dorë. Pra, mund të dalim në përfundimin se libri është pika më e fortë që e mban kujtesën aktive. Por, në vijim do të shohim se edhe ekrani i pajisjeve të mençura që është i dizajnuar për lexim, deklamim ose interpretim, nuk paraqet ndonjë përfundim për probleme në kujtesën e njeriut.
Duke mbrojtur këtë ide, Eco argumenton se:
“qenka një brez hacker-ash, që s’kanë lexuar kurrë një libër në jetën e tyre dhe që tani, me e-book-un, i janë afruar “Don Kishotit” dhe e kanë shijuar për herë të parë. Aq më mirë për mendjen e tyre dhe aq më keq për sytë e tyre. Po arritën të kenë brezat e ardhshëm marrëdhënie të mira (psikologjike dhe fizike) me e-book-un, atëherë fuqia e Don Kishotit do të mbetet ajo që është”.[6]
Nga sa më lart, kuptohet se cilësia e lëndës artistike, në këtë rast e letërsisë, mbrohet, pra nuk zbehet. Mos të flasim pastaj për humbje të ndonjë vlere artistike, sikurse shënuam më lart për disa mendime të përfaqësuesve të shkollave të ndryshme. Por këtu na del një problem i ri, shqisa e të parit!
Përballja e syve me ekranet e telefonave të mençur, gjatë një pjese të konsiderueshme të kohës ditore, ka një ndikim jo të favorshëm për shikimin,[7] plus kur i shtojmë këtu edhe kohën e leximit të e-book-eve, atëherë çështja shkon duke u bërë edhe më serioze. Siç mund të shihet, problemi nuk cenon në asnjë moment vlerat e njerëzve më të rëndësishëm në historinë e botës dhe as produktet e tyre krijuese. Përkundrazi, në këtë situatë ka më shumë mundësi ta pësojë vetë njeriu. Fjala vjen, përveç syve, teknologjia (përkundër meritave të pakontestueshme), vë përballë një sfide serioze edhe trurin e njeriut, përherë sipas mendimeve të Umberto Eco-s. Në letrën dërguar nipit të tij, dallohet ky mendim: “Nëse të shkon në mendje të dish se kush ka qenë Karli i Madh, apo ku bie Kuala Lumpuri, nuk të duhet veçse të shtypësh ndonjë tast dhe menjëherë interneti do të ta thotë. Bëje këtë gjë kur duhet, por, pasi ta kesh bërë, mundohu të kujtosh çfarë të është thënë, për të mos qenë i detyruar ta kërkosh për herë të dytë, nëse do të jetë e domosdoshme, qoftë edhe për një punim në shkollë. Ka rrezik që, ndërkohë që ti mendon se kompjuteri mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen e të nxënit vetë.”[8]
Nga pasazhi i sipërcituar, identifikohet lehtësisht, se flitet për hyrjen e kompjuterit në jetën tonë me të gjitha vetitë, ku mbizotëron fokusi te dobitë që i sjell ky “tru elektronik” njeriut, si qenie që ka nevojë vazhdimisht të marrë njohuri dhe informacione të natyrave të ndryshme. Por, nëse duhet të përpiqemi që trurin ta mbajmë në funksionin e duhur, për të mos rënë në humbjen e asaj që Eco e quan shije e të nxënit, atëherë është e nevojshme që, përveç thithjes së njohurive në vazhdimësi, t’u rikthehemi edhe gjërave që tanimë i dimë. Kështu, nuk lejojmë të na humbasë shija e të nxënit dhe i japim favore forcimit të kujtesës, sepse, siç thoshin latinët e vjetër, repetitio est mater studiorum.
E ardhmja dhe edukimi si problem shoqëror
Ndonëse jeta njerëzore ka ndryshuar thuajse në çdo aspekt, edukimi ende mbetet sfida më e madhe e shoqërisë. Të gjitha traktatet, fletushkat dhe librat që flasin për këtë temë, siç duket, kanë pasur përmirësim në ngritjen e vetëdijes familjare për të qenë sa më afër kushteve të përcaktuara gjatë viteve. Themi gjatë viteve, sepse, si për çudi, qasja ndaj formave të edukimit ka pësuar ndryshime. Për të ilustruar këtë, po sjellim një shembull që citon vetë Eco. Kohë më parë, në New York, saktësisht në kopshtin zoologjik Central Park, disa djem të vegjël po luanin pranë vaskës së arinjve të bardhë. Njëri i sfidon shokët të notojnë përreth arinjve. Djemtë u futën në ujë, u llokoçitën rreth një ariu të qetë, e tallën dhe ai u bezdis. Zgjat një putër dhe copëton dy fëmijë, duke lënë pjesë të tyre vërdallë. Pas gjithë kësaj ngjarjeje, autoritetet vendase diskutojnë se çfarë vendimi duhej marrë për ariun. Kjo nuk është e rëndësishme këtu, por e rëndësishme është të diskutohet, se përse erdhi situata për të pasur një problem të tillë?!
Përgjigjja është e shkurtër: Ky është një problem i edukimit, me të cilin po përballet dhe do të vazhdojë të përballet bota në kohën e mbretërisë së teknologjisë. Si është e mundur një gjë e tillë?
Meqë njerëzimi dikur ka bërë veprime mjaft denigruese, madje deri në shfarosje të kafshëve, tani është rikthyer ideja e një këmbënguljeje për respektimin e tyre, deri në një masë të madhe. Veprime të ngjashme sigurisht që janë të mirëpritura, por thuhet se janë të tepërta, kur në një shfaqje për fëmijë kafshët mishngrënëse maskohen me tipare njerëzore, apo me cilësi kukullash.
Ndonëse “legjendat e dikurshme e tepronin me ujkun e keq, të sotmet e teprojnë me ujkun e mirë”.[9] Pra, orët televizive që përgatiten për publikun, zakonisht për fëmijët, janë të mbushura me histori të tilla, ndonëse fare pak kemi shfaqje edukuese, me qëllim të shpërfaqin dhe të mbjellin respekt për botën e tretë që, fatkeqësisht, gjendet në një situatë të vështirë, sa i përket mënyrës se si sillen perëndimorët[10] kundrejt tyre. Një avaz i tillë, me reklama dhe filma vizatimorë që kanë në qendër arinj me zërin e artë, apo kafshë të tjera që u vishen cilësi njerëzore, ndonjëherë edhe më tepër, është problem i së ardhmes.
Sepse
“fëmijët e shkretë në Central Park vdiqën jo prej mungesës së edukimit (që e ardhmja nuk do ta njohë si problem, shënimi im: F.R.), por prej teprisë së tij. Ata janë viktima të ndërgjegjes sonë të dështuar”.14
Andaj, është e udhës që të kemi një edukim të shëndoshë për fëmijët tanë në familjet tona, duke pasur parasysh se teknologjia na sjell probleme të papritura që mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të mëvonshme për shoqërinë.
Në vend të përfundimit
Çështja e mësimit dhe e edukimit ka qenë dhe do të mbetet ndër sfidat më të rëndësishme të shoqërisë njerëzore. Tani, kur teknologjia mbizotëron kudo: në shkollë, në shtëpi, në universitete, në studio pune, në aktivitete të ndryshme, mësimi është bërë edhe më delikat dhe me sfida jo fort të lehta.
Mësimi dhe marrja e informacioneve të duhura kërkon kohë dhe, siç shprehet edhe Eco, teknologjia është hajduti numër një i kohës sonë, ngase interneti na servir aq shumë gjëra, sa vetëm njerëzit shumë të kujdesshëm e shfrytëzojnë për favore, pa ua grabitur kohën. Ndërsa një pjesë tjetër e shoqërisë nuk e arrijnë dot. Ndodh shpeshherë që të jemi dëshmitarë të rasteve kur të rriturit dhe fëmijët, për një kohë të caktuar, harrojnë ose largohen nga realiteti, gjë që është jo në favor të shëndetit të tyre mendor, sidomos sa u përket fëmijëve, të cilëve duhet t’u kushtohet vëmendje e posaçme në këtë aspekt. Edhe kur para syve të tyre luhet një shfaqje me kukulla, kontrolli dhe këshillimi nga ana e prindërve apo e kujdestarëve do të bënte të mundur një lidhje cilësore me teknologjinë, për një rritje të shëndoshë dhe një zhvillim të kënaqshëm. Duhet të jemi syhapur karshi zhvillimit teknologjik, në mënyrë që të kemi edukim/mësim sa më cilësor, sidomos për brezat e rinj, e aq më pak të kemi raste të tilla, sikurse ai që kishte ndodhur në New York.
Bibliografia
- Dr. Asllani, Persida, Ligjërata të autorizuara nga lënda e Estetikës, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 2018.
- Benjamin, Walter, Iluminacione (Përktheu: Afrim Koçi), Tiranë, 1998.
- Borges, Jorge Luis, Pavdekësia dhe ligjërata të tjera, Biblioteka ALEPH, Tiranë.
- Calinescu, Matei, Pesë fytyrat e modernitetit, (Përktheu: Gëzim Qëndro), Dituria, Tiranë, 2012.
- Eco, Umberto, Për Letërsinë, (Përktheu: Donika Omari), Dituria, Tiranë, 2010.
- Eco, Umberto, Si të udhëtosh me një salmon (Përktheu: Dhurata Shehri), Dituria, Tiranë, 2016.
- Eco, Umberto, Letër nipit tim, në: https://zeri.info/kultura/77393/ letra-prekese-qe-umberto-eco-la-per-nipin-e-tij-para-vdekjes/.
[1] Për këtë shih: Jorge Luis Borges, Pavdekësia dhe ligjërata të tjera, Biblioteka “ALEPH”, Tiranë. 2 Po aty, f. 76.
[2] Matei Calinescu, Pesë fytyrat e modernitetit, (Përktheu: Gëzim Qëndro), Dituria, Tiranë, 2012, f. 146. 4 Po aty, f. 147. 5 Po aty, f. 147.
[3] Sipas një shkrimi të botuar nga Marineti, në faqet e së përditshmes “Le Figaro”, më 20 shkurt 1909. Për këtë shih: Prof. Dr. Persida Asllani, Ligjërata të autorizuara nga lënda e Estetikës, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë, 2018.
[4] Cituar sipas: Walter Benjamin, Iluminacione (Përktheu: Afrim Koçi), Tiranë, 1998, f. 155.
[5] Umberto Eco, Për letërsinë, përktheu: Donika Omari, Dituria, Tiranë, 2010, f. 8.
[6] Po aty.
[7] Studimet për këtë temë janë mjaft të përhapura dhe mjafton vetëm një klikim në internet dhe gjenden materiale të vlefshme për këtë problematikë.
[8] Umberto Eco, Letër nipit tim, në: https://zeri.info/kultura/77393/letra-prekese-qe-umbertoeco-la-per-nipin-e-tij-para-vdekjes/. Shfletuar së fundmi më: 24.09.2020.
[9] Umberto Eco, Si të udhëtosh me një salmon, përktheu: Dhurata Shehri, Dituria, Tiranë, 2016, f. 66.
[10] Kur themi perëndimorët, nënkuptojmë jo vetëm banorët që jetojnë në Perëndim si pozicion gjeografik, por të gjithë ata banorë që kanë një mirëqenie të favorshme ekonomike, jetojnë në një vend ku ka zhvillim të lartë ekonomik, shëndetësi të zhvilluar, arsim të konsiderueshëm, etj. 14 Po aty, f. 66.