Druajtja
Fenomeni i tërheqjes është shumë i përhapur, disa anketa kanë nxjerrë në përfundim se rreth 40% e adoleshentëve dhe të rriturve deklarojnë se përjetojnë druajtje në shumë situata shoqërore. Këtu do të theksoj dallimin që ekziston midis turpit në kuptimin pozitiv dhe druajtjes. I pari është një tipar i mirë. Ai është modestia fisnike, të cilën e ka lavdëruar i Dërguari a.s., sepse ai nënkupton urrejtjen për t’u përzier në praktika të dyshimta dhe një përpjekje për t’iu përmbajtur parimeve të drejta. Është lloj i mirë i turpit që fëmija të ndalet nga ekspozimi i pjesëve të turpshme, njësoj është turp i mirë kur fëmija nuk bëhet llafazan para të rriturve të huaj ose kur ndien turp kur njerëzit e lavdërojnë. Të gjitha këto situata shfaqin një aspekt pozitiv të turpit.
Atëherë çka është druajtja?
Ajo është një shkallë e lartë e turpit, frikës dhe tërheqjes, të cilën fëmija e ndien kur takon persona jashtë rrethit të tij të ngushtë. Druajtja shfaqet në disa aspekte dhe qëndrime, ndërsa prej më të përhapurave janë:
1. Një fëmijë i druajtur do të shmangë aq sa ka mundësi takimin me njerëz jashtë familjes së tij. Kur të bisedojë me një të huaj, ai do të shmangë kontaktin me sy dhe do të ndiejë panik nëse sytë e tyre takohen.
2. Një fëmijë i druajtur mund të jetë aktiv dhe i zëshëm kur është në shtëpi, mirëpo kur të dalë jashtë ai do të jetë i tërhequr dhe i pasocializuar. Ata mund të shkojnë aq larg saqë e fshehin fytyrën me duar, ose e fusin fytyrën në prehrin e nënës duke mos dashur t’i shoh askush. 3. Një fëmijë i druajtur ka vetëbesim të ulët. Për rrjedhim, ai ngurron t’i përshtatet diçkaje dhe nuk është i prirë të marrë iniciativë ose të paraqitet vullnetar për ndonjë vepër të bamirësisë.
4. Një fëmijë i druajtur shmang konfrontimin e të tjerëve. Ai shpejt heq dorë nga përpjekja për t’u marrë me situata të vështira.
5. Një fëmijë i druajtur ka vështirësi t’i bëjë pyetje një mësuesi. Ai gjithashtu ka vështirësi të ndërveprojë me mësuesit dhe t’u përgjigjet pyetjeve.
6. Një fëmijë i druajtur rrallë është fëmijë që sjell probleme. Për rrjedhim, ai preferon dhe përpiqet të mos vërehet. Ai zakonisht merret me problemet vetë, pa i kërkuar ndihmë askujt.
7. Një fëmijë i druajtur preferon të ulet në kënde të largëta. Ai përpiqet të flasë sa më pak që është e mundur. Nëse flet, zëri i tij do të jetë i ulët.
8. Një fëmijë i druajtur është shumë i ndjeshëm ndaj kritikës. Ai nuk është i qartë kur shprehet. Arsyeja është hutia e përgjithshme që e ndien.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”