Siç e përmendën më lartë, grindja në mesin e vëllezërve dhe motrave është një gjë e natyrshme. Edhe pse grindja mund të marrë kahe të rrezikshme ose të dëmshme, të gjitha llojet e grindjeve serioze ose joserioze burojnë nga shkaqe të ngjashme ose identike. Kështu ato që përmenden në paragrafët vijues janë faktorët dhe shkaqet kryesore që gjenerojnë një atmosferë të pashëndetshme dhe provo- kuese:
1. Njëra prej shkaqeve kryesore të konfrontimit dhe fërkimit në mesin e njerëzve është gara për burimet e limituara. Kjo është e vërtetë për fëmijët, të cilët garojnë për disa gjëra të kufizuara në shtëpi. Një faktor kyç në parandalimin e konfrontimit këtu është dashuria e prindërve, vëmendja e tyre, kujdesi dhe përmbushja e nevojave të të gjithë fëmijëve.
Natyrisht se kur prindërit kanë shtatë fëmijë, ata nuk do t’ua japin vëmendjen, kujdesin dhe përmbushjen e nevojave në mënyrë të barabartë të gjithëve. Këtë mund ta bëjnë për një fëmijë ose për dy. Për këtë arsye është gjë e rëndomtë që një fëmijë i parë të përpiqet t’i bëjë dëm një fëmije të dytë, sepse ai ose ajo mendon se kjo arritje e re e ka privuar atë nga pozita që e ka pasur te prindërit. Këtu vijnë në shprehje edhe burimet e kufizuara në vendin e lojës, lodrat me të cilat luajnë fëmijët, instrumentet në shkollë etj. Sa më pak të ketë gjëra të tilla, aq më i hidhur do të jetë rivaliteti dhe konfrontimi në mesin e fëmijëve dhe e kundërta.
2. Përplasja e dëshirave të fëmijëve përderisa janë të angazhuar në aktivitete të caktuara. Për shembull, një nënë thotë: “I kam tre djem, të cilët flenë në dhomën e njëjtë, sepse shtëpia jonë është e vogël. Po të hysh në dhomën e tyre, do të shohësh rrëmujë, asgjë nuk e gjen në vendin e duhur. Nuk kalon asnjë orë dhe do të dëgjosh njërin prej tyre duke bërtitur, ndërsa tjetri vjen duke qarë ose duke u ankuar. Shpesh ndihem e hutuar dhe nuk di çka të bëjë. Kur një njëri dëshiron të flejë dhe e fik dritën, vëllai i tij ngrihet me zemërim për ta ndezur, sepse ai nuk i ka kryer detyrat, njëri e do dhomën për vete, sepse shoku i klasës së tij ka ardhur për t’i bërë detyrat me të, mirëpo vëllezërit e tij janë të nevrikosur, sepse dëshirojnë të qëndrojnë në dhomë. Mirëpo, kjo nuk është asgjë në krahasim me kohën kur dëshirojnë të dalin me veturë për një piknik. Secili prej tyre insiston të ulet pranë babait të tyre.
Gjëja më e keqe lidhur me problemet në mes tyre është se nganjëherë nuk e di për çka po grinden, sepse krejt atë që e dëgjoj janë arsye të ndryshme dhe kontradiktore. Reagimi im është t’u bërtas të gjithëve dhe të dal jashtë dhomës.”
3. Kur një fëmijë ndien se ai është neglizhuar nga familja për shkak të qetësisë ose dobësisë së tij, ose për shkak se një tjetër fëmijë po e tërheq tërë vëmendjen e familjes, fëmija i qetë mund të provokojë një problem me fëmijët e tjerë në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e familjes.
4. Një fëmijë mund të ketë një energji jashtëzakonisht të lartë ose mund të jetë fëmijë hiperaktiv. Një fëmijë i tillë është i prirë të sillet në mënyrë agresive ndaj fëmijëve të tjerë. Gjërat do të jenë më keq kur fëmija aktiv është një fëmijë inteligjent, sepse në atë rast ai do të ketë një ndjenjë të superioritetit ndaj fëmijëve të tjerë dhe ajo do të shfaqet në lëndimin e tyre në mënyra të ndryshme.
5. Kur fëmija ndien se prindërit e tij e preferojnë një fëmijë tjetër ndaj tij, zemra do t’i digjet nga inati dhe do t’i vlojë me dëshirën për t’u hakmarrë ndaj atij fëmije. Meqenëse ai nuk ka mundësi ta zbrazë inatin e tij ndaj prindërve, inati i tij do të drejtohet ndaj fëmijëve të tjerë. Në Kur’an kemi tregimin e Jusufit dhe vëllezërve të tij. Allahu ka thënë në Kuran:
“Për të gjithë ata që pyesin, në historinë e Jusufit dhe të vëllezërve të tij, ka shumë mësime.
Vëllezërit e tij thanë: “Jusufi dhe vëllai i tij, janë më të dashur se ne për babanë tonë, ndërkohë që ne jemi një grup i tërë. Babai ynë, me të vërtetë, po gabon. Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët, 1 se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë.”
(Jusuf 7-9).
Vëllezërit e Jusufit ndienin se Jusufi dhe vëllai i tij Benjamini ishin më të afërt te babai i tyre. Ata planifikuan komplotin për hakmarrje ndaj tij në tregimin e njohur.
6. Mund të ndodhë që njëri prej fëmijëve ka aftësi më të vogla në krahasim me fëmijën tjetër, i cili është i afërt në moshë, të paktën në një fushë. Ka gjasë që fëmija më inferior të shfaqë një lloj agresiviteti ndaj vëllait ose motrës së tij. Kjo ndodh sepse familja është e padrejtë kur e krahasojmë atë me fëmijën tjetër, duke thënë se vëllai ose motra e tij është më i mirë në diçka.
7. Nëse babai dhe nëna grinden dhe kjo bëhet pjesë e atmosferës së familjes, atëherë ka gjasë që fëmijët të ndjekin shembullin e prindërve dhe të grinden. Në këtë rast prindërit janë ata që e kanë krijuar atmosferën e tensionuar dhe është e natyrshme që çdonjëri në familje të marrë hisen e tyre të tensionit.
8. Njëri ose të dy prindërit mund të jenë të prirë të përdorin një politikë të ashpër në rritjen e fëmijëve. Në këtë rast fëmijët nuk do të ndiejnë se shtëpia e tyre siguron dashuri, mëshirë dhe kujdes të cilin e kërkojnë në familje.
9. Të keqkuptuarit gjithashtu nuk është problem i rrallë në shtëpi – a nuk ndodh që shumë prej fërkimeve në mesin e të rriturve të jenë për shkak të keqkuptimeve? Në të vërtetë shumë shpesh fëmijët i keqkuptojnë fjalët ose sjelljen e fëmijëve të tjerë në familje. Prandaj është gjë e natyrshme që si kundërpërgjigje fëmija t’i lëndojë ata. Po ashtu është mjaft e mundshme që fëmija të tallet me këshillën e vëllait të tij ose ta përbuzë atë, ose ta marrë pa të drejtë një gjë nga fëmija tjetër.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”