Nuk është e drejtë që roli i familjes të jetë vetëm ai i fikësit të zjarrit, që nënkupton të jetë vetëm ai i gjërave urgjente dhe emergjente. Një familje e mirë duhet të jetë e fuqizuar për të siguruar për fëmijët e tyre mjedis të përshtatshëm, i cili mbron shëndetin mendor dhe fizik të fëmijës. Kam besim të fortë se sikur të konsolidohet dituria e prindërve për edukimin e fëmijëve, do të kontribuojë gradualisht në rregullimin e një gjendje të mirë dhe pozitive të familjes.
Për rrjedhim, është detyrë e jona t’ua bëjmë me dije prindërve se çfarë duhet të bëjnë për t’i kursyer fëmijët e tyre nga fati i fëmijëve të familjeve injorante dhe të paunifikuara.
Disa prej masave që familjet duhet t’i ndërmarrin për t’i mbrojtur fëmijët e tyre nga ky çrregullim janë:
1. Shumë studime kanë treguar se sëmundja e nënës gjatë shtatzënisë, marrja e ilaçeve dhe drogave të caktuara dhe ekspozimi i saj ndaj shqetësimit dhe tensionit të tepërt për një kohë të gjatë do ta shtojë mundësinë që një fëmijë të vuajë nga hiperaktiviteti në vitet e hershme të jetës. Prandaj, qetësia psikologjike e nënës gjatë shtatzënisë, shmangia e pirjes së duhanit dhe marrjes së ndonjë qetësuesi si dhe drogave janë të rëndësishme në mbrojtjen e fëmijës. Në të vërtetë kësaj duhet t’i përmbahen të gjithë në çdo kohë.
2. Një vendbanim i mirë është një vendbanim i qetë, i bukur dhe i organizuar. Prania e aktiviteteve dhe lodrave të ndryshme ndih- mojnë në përshpejtimin e rritjes së fëmijës dhe pakësojnë nevojën e tij ose të saj për aktivitet të drejtuar nga brenda ose lëvizjeve të shumta për të kompensuar mungesën e lodrave. Është fakt se kur fëmija nuk është i zënë me gjëra me të cilat luan, ai ose ajo do të jetë burim i brengës dhe shqetësimit për familjen. Kemi vërejtur sesi sillen shumica e prindërve kur fëmija është tepër aktiv, ata vazhdojnë të urdhërojnë të jetë i qetë dhe madje mund ta rrahin për atë. Megjithatë, hulumtimet kanë treguar se të qortuarit e fëmijës nga familja nuk do të ndihmojë në zvogëlimin e aktivitetit të tij ose të saj, mirëpo do ta shtojë atë. Për t’i ndihmuar fëmijës të ketë një baraspeshë të sjelljes dhe të lëvizjes, ne duhet t’i sugjerojmë vend të gjerë të lojës dhe lodra.
3. Është fakt se fëmija imiton sjelljen e prindërve dhe të fëmijëve më të rritur në familje. Për këtë arsye kur prindërit janë të përmbaj- tur në sjellje dhe i mbarojnë detyrat që i kanë filluar, ata do të kenë një efekt pozitiv në sjelljen e fëmijës. Efekti do të jetë më i fortë nëse prindërit i shpjegojnë sjelljen e tyre fëmijës me fjalë të qarta.
Kjo funksionoi për bukuri për një baba, i cili u thoshte të gjithë anëtarëve të familjes së tij: “Do të ulem në tavolinë për 40 minuta që të mbarojë librin, ju lutem mos më pengoni.” Një nënë gjithashtu e përdorte këtë mënyrë çdo ditë: “Pastrimi i shtëpisë do të na marrë një orë nga koha jonë, pastaj do të shkojmë në kuzhinë për të përgatitur ushqim dhe kjo do të na marrë një orë tjetër.”
Të qenit i qartë me fëmijët u ndihmon të fokusohen, të jenë të qetë dhe të mbarojnë punën që e kanë filluar.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”