Të gënjyerit
Të gënjyerit është një problem shqetësues që prindërit e kanë me fëmijët e tyre, mirëpo ai nuk gjendet vetëm te fëmijët. Kur të gënjyerit bëhet shprehi në mesin e të rriturve, kjo është mjaft problematike. Kjo është sikur mjeku të sëmuret me epidemi në kohën kur të tjerët presin që ai t’i shërojë ata nga epidemia. Gënjeshtra përhapet më shumë kur njerëzit janë më tepër materia- listë dhe kur përkeqësohen kushtet e jetesës. Njerëzit në raste të tilla do të gënjejnë më tepër dhe kjo është që po ndodh sot. Për këtë arsye unë them se nëse dëshirojmë të zvogëlojmë këtë dukuri duhet të përmirësojmë kushtet e jetës sonë, në një kuptim të vërtetë dhe gjithëpërfshirës.
Të përkufizuarit e gënjeshtrës
Kur flasim për të gënjyerit e fëmijëve në nënkuptojmë kontra- diktën midis asaj që dikush e thotë dhe asaj që e nënkupton, duke synuar të lajthit dikë dhe të fshehë të vërtetën. Kjo ndodh, për shembull, kur një fëmijë dhjetëvjeçar derdh ngjyrën në orenditë shtëpiake dhe kur pyetet se kush e bëri atë, ai ose ajo mohon se e ka bërë ose nuk ka ide se kush e ka bërë.
Serioziteti i të gënjyerit
Kemi drejtë kur neveritemi nga një gënjeshtar për dy arsye: së pari, gënjeshtra shpesh përdoret me qëllim të mbulimit të një vepre të keqe, një gabimi, dështimi ose të mete. Kjo nënkupton se të gënjyerit është një faktor kryesor në shtyrjen e personit fajtor të kryejë veprën e papranueshme herë pas here, sepse të gënjyerit është dëshmuar si rrugëdalje e tyre dhe shmangie e pasojave për veprën e keqe. Në këtë mënyrë, kur gënjeshtra bëhet shprehi, njeriu bëhet i shthurur dhe përfiton vese të ulëta.
Së dyti, gënjeshtra është ngushtë e lidhur me veset si mashtrimi, vjedhja dhe falsifikimi. Shumë studime shkencore kanë ardhur në përfundim se adoleshentët, të cilët kanë shprehi të gënjejnë, zakonisht kryejnë mashtrime dhe vjedhje. Kjo nuk është çudi sepse e dimë se veset e përmendura burojnë nga një tipar më bazik: tradhtia, të jesh jo besnik ndaj të vërtetës, ndaj besimit (imanit) dhe ndaj besimit të të tjerëve.
Nga kjo mund ta kuptojmë rëndësinë që i Dërguari a.s. i kushtoi luftimit të gënjeshtrës në ligjërimet e tij dhe në rastet e veçanta, kur u drejtohej të rinjve dhe të rriturve. Për shembull, Abdullah in Amir r.a., një shok i të Dërguarit a.s. transmeton se nëna e tij e thirri, duke i thënë, në kohën që i Dërguari a.s. e dëgjonte: “Eja dhe merre këtë nga dora.” I Dërguari a.s. i tha: “Çka dëshiron t’i japësh?”
“Ca hurma”- tha ajo.
“Në rregull atëherë”, – tha ai, “sepse sikur të mos kishit asgjë për t’i dhënë, kjo do t’ju regjistrohej si gënjeshtër në regjistrin tënd”.
Aishja r.a., bashkëshortja e të Dërguarit a.s., ka transmetuar se kur i Dërguari a.s. dëgjonte se një i afërm i tij kishte gënjyer, ai nuk i fliste derisa të pendohej. Veprimi i të Dërguarit a.s. ka qenë shumë praktikë në shprehjen e jomiratimit ndaj gënjeshtrës. Këtë praktikë duhet ta përvetësojë një kryefamiljar.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”