Ajo që nënkuptohet me performancën e ulët në shkollë është dështimi i nxënësit për të marrë diturinë e kërkuar në shkollë dhe notat e ulëta në lëndë të ndryshme. Kjo performancë e dobët mund të jetë e përgjithshme, nota të dobëta në të gjitha lëndët ose të kufizohet vetëm në një ose në dy lëndë. Ky problem ka zënë vendin e parë në shqetësimin e prindërve.
Kjo ka arritur si shkak i kostos së lartë të jetesës dhe garës më të nxehtë për pothuajse gjithçka. Tani performanca e zakonshme dhe titujt e zakonshëm duket se nuk i tërheqin njerëzit më. Tani njerëzit dhe të arriturat e jashtëzakonshme janë të kërkuara në botë. Tani adoleshentët dhe të rinjtë për të formuar familjet e reja dhe për t’u ofruar kushtet e nevojshme duhet të kenë performancën e shquar në shkollën e mesme dhe në fakultet. Një i ri ose e re do të vijë te një punë e mirë në bazë të rezultateve të shkëlqyeshme në shkollë dhe të diplomimit në një degë atraktive të universitetit.
Kur të diskutojmë për performancën e dobët në shkollë, shumë njerëz kanë në mendje koeficientin e ulët të inteligjencës dhe paaftësinë, edhe pse një studim shkencor tregon se koeficienti i ulët i inteligjencës ndikon vetëm 5% në performancën e dobët në shkollë. Në një studim të bërë, hulumtuesi ka punuar me 31 fëmijë të zgjedhur nga shkolla të ndryshme.
Të gjithë kanë pasur koeficient të lartë të inteligjencës, mirëpo performancë të ulët në shkollë. Studimi ka vërtetuar se të gjithë nxënësit vuanin nga kompleksi i inferioritetit dhe disa nuk ishin të vetëdijshëm për inteligjencën e lartë të tyre. Pas disa terapive, 28 prej tyre arritën sukses që të merrnin me sukses materialin e dy gjysmëvejtorëve brenda një gjysmëvjetori dhe e ngritën performancën e tyre në nivel me aftësitë e tyre. Për rrjedhim, dëshiroj ti theksoj këtu faktorët psikologjik dhe shoqëror në performancën e dobët në shkollë, sepse ata janë më të pranishëm dhe më të rëndësishëm:
– Një vetëbesim i ulët. Nxënësi i dobët mund të ndjejë se puna në shkollë është barrë e rëndë për të, se kjo është mbi aftësitë dhe potencialet e tyre. Për më tepër, ata mund të ndjejnë se nuk mund të arrijnë shumë në shkollë, për shkak të rrethanave dhe presioneve të tyre.
– Nderimi i tepërt (mendimi i lartë) për të tjerët. Ky nderim do të shpie në frikësim nga përgjegjësia, që shoqërohet me ankth të pajustifikuar.
– Turpërimi dhe paaftësia për të biseduar para nxënësve ose për të debatuar gjërat me mësuesit. Një nxënës shumë i turpshëm kurrë nuk do të jetë pjesëmarrës aktiv në aktivitetet e shkollës dhe kjo do të ketë efekt negativ në performancën e tij të saj.
– Dëshira e vogël për të mësuar lëndët që janë në planprogram të shkollës ose e urrejtja e shkollës për shkak të sjelljes së mësuesve të caktuar.
Rrethanat e caktuara shoqërore dhe familjare. Kjo mund të krijojë një situatë të veçantë dhe mund të jetë barrierë për mësimet e adoleshentit dhe për garën për shkëlqyeshmëri. Një situatë e tillë është kur babai i nxënësit është i pasur dhe mendon ta ndalë të birin nga shkolla me qëllim që ta angazhojë në menaxhimin e biznesit të familjes.
Një tjetër është kur nxënësi mendon se familja ka mjaft para dhe nuk ka nevojë të lodhet për të marrë diplomë të univer- sitetit, ose ka raste kur familja është shumë e varfër dhe për pasojë disa fëmijë të familjes e humbin kurajën për mësim, sepse ndihen të pasigurt nëse do të kenë mundësi të mbarojnë studimet e tyre, ata mendojnë të fillojnë të punojnë sa më herët që kanë mundësi.
Mungesa e mbështetjes nga familja e tyre. Kjo mund të pengojë mësimet e adoleshentëve. Motivi për studime shpesh arrihet, pra nuk vjen si cilësi e lindur. Ai zhvillohet nga familja dhe mësuesit. Shumë familje të pashkolluara nuk brengosen shumë për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe nuk i nxisin për të studiuar. Nxënësit e pakujdesshëm dhe me performancë të ulët.
Këta janë një burim i rëndësishëm i ndikimit negativ. Ata vetë nuk synojnë lartë dhe mund të jenë një ndikim i keq ndaj adoleshentëve, të cilët duket se kanë një model për të ngadalësuar ritmin e shkollimit të tyre.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)