Mikpritja, mirësjellja dhe kujdesi janë universalisht të mirëpritura, mirëpo ato peshojnë edhe më shumë në sytë e adoleshentëve, sidomos kur shfaqen nga familjet e tyre për shokët e tyre.
“Miqësia ka kuptim më të thellë për adoleshentët sesa për të rriturit.”
Kur babai viziton shokun e adoleshentit në spital, kur i dërgon një dhuratë në rast të suksesit të tij në shkollë dhe kur babai i jep komplimente një shoku të caktuar, ose i kërkon të birit ta ftojë shokun e tij në shtëpi, adoleshenti ndihet shumë mirënjohës ndaj babait dhe e çmon interesimin e tij. Kjo ka shumë domethënie për adoleshentin. Në njërën anë kjo nënkupton se ai i ka zgjedhur shokët mirë, sidomos nëse kujtojmë se shumë adoleshent i mbajnë të fshehur emrat e shokëve të tyre nga familja.
Në anën tjetër, adoleshenti do të ndihet i gëzuar para shokëve, sepse në këtë ka më tepër dëshmi se ai vjen nga një familje e respektueshme dhe e edukuar, një gjë që e thoshte vazhdimisht. Do të rrëfejë përvojën e një mësuesi. Ai ka thënë: “Kur isha në shkollën e lartë, kisha dy shokë të ngushtë nga lagjja jonë. Emri i njërit prej tyre ishte Ahmed dhe emri i tjetrit ishte Sad. Nëna e Ahmedit ishte një grua e mrekullueshme, njëmend e mrekullueshme. Ajo që e shquante më së shumti ishte kujdesi i saj për fëmijët dhe shokët e tyre. Ajo ishte spontane dhe e thjeshtë. Sa herë që kishte përgatitur një shujtë të veçantë, edhe nëse ishte e kushtueshme, ajo insistonte që biri i saj të ftonte Sadin dhe mua në shtëpinë e tyre. Kjo ndodhte dy herë ose tri herë në muaj. Përveç që na ftonte të hanim në shtëpinë e tyre, ajo dërgonte ushqim për familjet tona. Të gjithë shokët e uronin Ahmedin për nënën e tij të shkëlqyer. Sa i përket Sadit, nëna e tij ishte një grua e rëndomtë, mirëpo babai i tij ishte person i mrekullueshëm. Ai kishte gjuhë të ëmbël dhe kishte një ndjenjë shumë të mirë të humorit. Nuk do të harroj se si na priste kur shkonim në shtëpinë e tij dhe si bënte shaka me ne. Ai thoshte:
“E di se qëndrimi me ju nuk ju pëlqen, por më lejoni të qëndroj dy minuta, jo më tepër.” Ai e mbante fjalën. Pasi na pyeste si ishim, si ishin familjet tona, ai na inkurajonte të synonim më të mirën në studimet tona, pastaj na linte vetëm. Ne e donim këtë njeri aq shumë, saqë njëherë i kërkova të ndërmjetësonte te babai im për të më falur për një shkelje që e kisha kryer. Ai ndërmjetësoi dhe nga ajo ditë u bë shok me babanë tim. Mirëpo, nuk mund të themi të njëjtën për babanë tim. Babai im kishte shumë për të na kritikuar në sjelljen time dhe sjelljen e shokëve të mi. Ai na qortonte se qeshnim shumë dhe argëtoheshim shumë dhe pak mendonim për të ardhmen. Ai njëherë na qortoi të treve goxha shumë kur qëndruam në shtëpinë time deri në ora një të natës. As nëna ime nuk ishte kuzhiniere e mirë, si nëna e Ahmedit. E vërteta është se ajo nuk ndihej rehat për ardhjen e tyre, duke thënë se shtëpia jonë ishte tepër e vogël për të akomoduar shokë dhe se unë kisha motra dhe nuk ishte e drejtë të sillja shokë në shtëpi. Për këtë arsye shokët e mi përjashtonin shtëpinë time kur planifikonin ku të takoheshim.
Asnjëherë nuk përmendnin se do të më takonin në shtëpinë time. Natyrisht se ndjeja shumë mundim dhe më poshtëronte fakti se nuk kisha një familje sikur familjet e të tjerëve. Në të vërtetë, Ahmedi nganjëherë më ngacmonte me këtë fakt. Mirëpo çfarë mund të bëja kur askush në shtëpi nuk ndante me mua atë që e ndjeja?” Përvoja e mësipërme është vetëm një prej shumë përvojave të ngjashme nëpër të cilat kalojnë adoleshentët. Mbetet që çdonjëri të mendojë për këtë.
Të gjitha marrëdhëniet e muslimanëve janë një degë në marrëdhëniet e tyre me Allahun. Kjo pikë e fundit është shumë e rëndësishme dhe e kam lënë të fundit, kështu që të shërbejë si kornizë brenda së cilës përshtaten të gjitha çështjet.
“Muslimanët të rritur dhe fëmijë, meshkuj dhe femra janë të gjithë robër të Allahut të Madhërishëm dhe nënshtrimi ynë ndaj Tij vjen para çdo lidhje me këdo.”
Ne mendojmë nënën, bashkëshorten, tezen, hallën si motra në Islam para çdo gjëje tjetër. Ne konsiderojmë babanë, axhën dhe dajën vëllezër në Islam para çdo gjëje tjetër. Ky fakt vjen i pari dhe duhet të mbahet më lartë se çdo gjë tjetër. Natyrisht se kjo zë vend kryesor në diskutimin tonë. Nëse djali im adoleshent është vëllai im në Islam, pa marrë parasysh sa i mirë është ndaj meje, kam detyrë ta trajtoj në pajtim me mësimet për vëllazërinë islame.
Le të mësojmë nga emrat e bukur të Allahut, i Mëshirshmi, Falësi, Durimtari dhe Bujari. Ai pret që robërit e Tij të jenë mirënjohës, durimtarë, bujarë dhe të mëshirshëm. Nëse tiparet e tilla janë të nevojshme në ndërveprimet tona me njëri-tjetrin, atëherë kush mund të jetë më meritor për një trajtim të tillë fisnik, për faljen, trajtimin e mëshirshëm, mbrojtjen dhe mirënjohjen, sesa fëmijët dhe familja jonë? A nuk na urdhëron Allahu këtë? Më besoni ose jo, ka baballarë që i rrahin fëmijët me kamxhik sikur rrihen kafshët (dhe as ato nuk duhet të rrihen)! Këta baballarë sigurisht se kurrë nuk kanë provuar të mësojnë nga cilësitë e Allahut, siç janë Mëshira dhe Butësia e Tij. Këta janë baballarët të cilët kur gabojnë bijtë e tyre, edhe nëse janë gabime të vogla, nuk ua falin për vite të tëra. A ka menduar një baba i këtij lloji se Allahu është Falës? Pse nuk i lexon Emrat e Allahut dhe të mësojë prej tyre?
Ndonëse mund të shkruhet shumë më tepër për marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve të tyre adoleshentë, do ta lë me kaq!
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)