Një marrëdhënie mirëbesimi të ndërsjellë
Është shumë me rëndësi që marrëdhëniet në mes të njerëzve dhe sidomos midis prindërve dhe fëmijëve të tyre, të bazohen në një themel të mirëbesimit të ndërsjellë. Njerëzit me shekuj kanë ndierë se të kesh mirëbesimin e të tjerëve është kapital i tyre shoqëror, përderisa humbja e tij konsiderohet të jetë e dëmshme dhe katastrofale. Nga përvoja e dimë se vetëm disa në mesin tonë janë plotësisht të besueshëm. Kjo është relevante kur flasim për marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve.
Është e njohur për prindërit se besimi i plotë në adoleshentin do të sjellë vetëm katastrofa dhe befasi tragjike, ndoshta shkatërrim të pariparueshëm. Duhet të mbajmë në mend se jo vetëm fëmijët duhet të jenë të besueshëm. Edhe prindërit duhet të jetë të besueshëm. Është fakt i kryer se fëmijët kanë nevojë që prindërit të jenë model i mirë për ta. Nuk imagjinoj dot si mund të pritet që një adoleshent të sillet me përgjegjësi dhe të jetë i besueshëm, duke përmbushur pritjet e babait, kur babai vetë nuk e thotë të vërtetën, nuk i mban premtimet për fëmijët dhe mban të fshehtë të gjitha gjërat që lidhen me punën dhe me marrëdhëniet e tij jashtë shtëpisë!?
Duhet të mos harrojmë se njeriu nuk mund të fitojë mirëbesimin e njerëzve pa pasur një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë, prandaj kur flasim për mirëbesimin e ndërsjellë midis prindërve dhe fëmijëve, ne vërtet flasim për ndenjën e përgjegjësisë së të dy anëve.
Le të përshkruajmë shkurtimisht se çka kërkohet për të ndërtuar këtë mirëbesim:
1. Para se t’i mësojmë adoleshentët se duhet të jenë të besueshëm, ne duhet të fitojmë mirëbesimin e tyre. Kjo mund të realizohet duke i përmbushur disa kushte:
Ndershmëria në ndërveprimin me ta dhe përmbajtja e premtimeve që u japim.
Ruajtja e sekreteve të adoleshentëve. Moszbulimi i tyre, as edhe
me aludim (përmendje e tërthortë).
– Të qenit i hapur në të gjitha rastet kur të diskutojmë çështjet e familjes me adoleshentët.
– Mosmburrja ose ekzagjerimi para adoleshentëve për meritat dhe të arriturat tona.
Kërkimi i faljes nga adoleshentët kur kemi kryer një gabim të sigurt.
– Nëpërmjet mirësive dhe moralit të mirë të fitohet kredibiliteti dhe pastaj besimi.
2. Ndërtimi i mirëbesimit midis prindërve dhe fëmijëve është një proces gradual. Për shembull, fëmijës shtatë vjeçar nuk është e mundur t’i mbillet ndjenja e mirëbesimit, ai/ajo ka aftësi të kufizuara, nuk ka mundësi të bartë përgjegjësi, është pak i aftë të dallojë të mirën nga e keqja dhe të dobishmen nga e dëmshmja. Pastaj me kalimin e kohës, këto aftësi do të shtohen dhe zhvillohen dhe me këtë do të shtohet mirëbesimi i prindërve në adoleshentët Mirëpo, duhet të pranojmë se mirëbesimi pëson ngritje dhe ulje, në familje të ndryshme ai dobësohet për shkak të sjelljeve të këqija të adoleshentëve, si vjedhja, gënjeshtra, shfrytëzimi i dobësive të të tjerëve, ndjenja e dobët e përgjegjësive, aplikimi jo i rregullt i mësimeve fetare, devijimi nga edukata e mirë etj.
Një baba i caktuar, i cili përpiqet t’i edukojë fëmijët mirë, shpreh bindjen e tij me këto fjalë: “Bashkëshortja më thotë që të kem mirëbesim me birin tim kur të ndërveproj me të. Ajo shton se ai nuk është më fëmijë, se ai është i logjikshëm dhe mund të kryejë shumë gjëra. Megjithatë, unë nuk pajtohem dhe kam arsye për të mos u pajtuar. Edhe pse ai është pesëmbëdhjetë vjeçar, ai është zemërak dhe kur refuzoj të bëj diçka që më kërkon, ai bëhet gjaknxehtë. Si mund ta lejoj të ngas veturën e familjes kur ai mund të egërsohet aq shumë mbrapa timonit? Ka mundësi të shkaktojë një aksident të tmerrshëm! E kuptoj se ai është inteligjent dhe i suksesshëm në shkollë, mirëpo fare nuk mund të mbështetesh në të për kryerjen e punëve të veta, e lëre më ato të familjes. Imagjino, ai kurrë nuk i lanë dhëmbët derisa nëna t’ia kujtoj.”
Babai vazhdon t’i përmbledhë ankesat e tij: “Shpesh ndodh që biri im të thotë se dëshiron të shohë një shok të tij për t’u përgatitur për një provim, mirëpo kur e takoj atë shok dhe e pyes, ai më thotë: “Nuk e kam parë kohëve të fundit dhe zbuloj se ai ka qenë në treg me një shok tjetër. Atëherë si mund të pritni nga unë të kem besim tek ai?”
3. Është ide e mirë të shkëmbehen mendime për mënyrat e përmirësimit të marrëdhënieve me fëmijët adoleshentë. Do të na ndihmoj nëse u tregojmë se çfarë duhet të bëjnë që të fitojnë më tepër besimin tonë. Është e vërtetë se shumica e dyshimeve tona dhe të menduarit keq për fëmijët do të zhduket me kohë. Është e vërtetë se sjellja e pahijshme do të largohet, mirëpo nuk ka kuptim që të kalojmë njëzet vjet të jetës sonë në luftë të vazhdueshme me njërin fëmijë pas tjetrit, nga pesë fëmijët e tanë nga koha kur hyn në adoleshencë deri në kohën e moshës së rritur. Andaj duhet t’u tregojmë adoleshentëve gjërat që duhet t’i bëjnë që të dëshmojnë ndjenjën e tyre të përgjegjësisë dhe si rezultat të fitojnë mirëbesimin tonë.
Kjo është një çështje shumë me rëndësi për të cilën mund të shkruajmë shumë, mirëpo do të ndalemi në dy pika të dobishme:
– Trajtimi i adoleshentëve sipas tekave dhe me reagime spontane është shumë i dëmshëm. Për rrjedhim, është e domosdoshme që marrëdhënia të jetë e qartë dhe e bazuar në justifikim të shëndoshë, sidomos kur kemi të bëjmë me shpërblimin dhe ndëshkimin.
“Është e domosdoshme që adoleshenti të dijë saktësisht se çfarë shpërblimi e pret kur vepron në mënyrë të kënaqshme atë që i kërkohet dhe të dijë saktësisht se çfarë ndëshkimi e pret kur bën shkelje.”
Adoleshenti ka nevojë të dijë se jeta nuk është aq tolerante dhe se nuk ka jetë të mirë familjare pa kufizime dhe kushtëzime. Megjithatë, është gabim të jepet ndëshkimi menjëherë pas veprës së tij, sepse në atë rast adoleshenti do të ndjejë se ndëshkimi nuk ishte asgjë tjetër përveç hakmarrje. Dallon rasti kur adoleshentit i bëhen të qarta gjërat përpara dhe pastaj. Në atë rast, adoleshenti do ta fajësojë veten, sepse e di se çfarë ndëshkimi e pret kur e kryen atë vepër.
Gjithashtu është gabim të llastohet adoleshenti dhe të kënaqen të gjitha dëshirat e tyre, sepse kjo do t’i bëjë të varur. Tek ta do të zhvillohet ndjenja e pakujdesisë dhe për pasojë do ta dobësojë ndjenjën e tyre të përgjegjësisë. Adoleshenti duhet të marrë hisen e tij në punët rreth shtëpisë. Mashkulli duhet t’i ndihmojë babait të tij në të paktën disa aktivitetet të tij dhe natyrisht të kryejë vetë shumicën e gjërave që i nevojiten. Kjo do t’i ndihmojë për ta bërë atë person të përgjegjshëm dhe të besueshëm.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)