Nëse jeni duke kërkuar mënyra natyrale për të lehtësuar kollën e fëmijës tuaj, këto kura shtëpiake mund të jenë ndihmuese, sidomos për ata që janë shumë të vegjël për të marrë ilaçe. Këto metoda ndihmojnë në lirimin e mukusit dhe qetësimin e fytit të irrituar:
1. Mjalti
Mjalti është një nga ilaçet më të mira natyrale kundër kollës. Studimet tregojnë se është më efektiv se disa ilaçe për lehtësimin e simptomave dhe përmirësimin e gjumit. Për fëmijët mbi 1 vjeç:
- Jepni gjysmë luge çaji (për fëmijët 1-5 vjeç)
- Jepni një lugë çaji (për fëmijët 6-11 vjeç). Nëse fëmija nuk e konsumon drejtpërdrejt, shtoni mjaltën në një çaj bimor ose në ujë të ngrohtë për t’ia bërë më të lehtë konsumimin.
Kujdes: Mos i jepni mjaltë fëmijëve nën 1 vjeç për shkak të rrezikut të botulizmit (Kjo ndodh sepse mjalti mund të përmbajë spore të bakterit Clostridium botulinum, të cilat janë të padëmshme për shumicën e njerëzve, por mund të jenë problematike për foshnjat. Sistemi tretës i foshnjave nën 1 vjeç nuk është ende i zhvilluar plotësisht dhe nuk ka aciditetin e nevojshëm për të ndaluar rritjen e këtyre sporeve. Kur sporet arrijnë në zorrën e foshnjës, ato mund të shumohen dhe të prodhojnë toksinën botulinike, e cila ndikon në sistemin nervor.)
2. Supë me petë pule
Supa e pulës ka veti anti-inflamatore dhe ndihmon në qetësimin e mukusit në hundë dhe në fyt. Gjithashtu, përmban elektrolite dhe lëndë ushqyese që ndihmojnë trupin të rikuperohet më shpejt.
3. Pije të ngrohta ose të ftohta
Pijet e ngrohta si çaji bimor ndihmojnë në hollimin e mukozës dhe qetësojnë fytin. Pijet e ftohta, si uji me akull, mund të mpijnë dhimbjen dhe të sigurojnë hidratim. Kujdes: Shmangni lëngjet acidike si lëngu i portokallit nëse fytin e kanë të irrituar.
4. Trajtimet qetësuese
Fëmijët mbi 4 vjeç mund të thithin tableta për kollën ose karamele të forta. Për më të vegjlit, përdorni fruta të ngrira ose kube akulli në një qese me rrjetë për të parandaluar ngulfatjen.
5. Lagështues (Humidifikues Cool-Mist)
Një lagështues me mjegull të ftohtë ndihmon në hapjen e pasazheve të bllokuara të hundës dhe në qetësimin e kollës gjatë natës. Pastroni lagështuesin rregullisht për të shmangur bakteret dhe mykun.
6. Gargarë me ujë të kripur
Për fëmijët që dinë të bëjnë gargarë, një tretësirë me ujë të kripur (gjysmë luge çaji kripë në një gotë ujë të vakët) qetëson irritimin dhe inflamacionin në fyt. Sigurohuni që ta pështyjnë tretësirën.
7. Banjo me avull
Një banjo e ngrohtë ose thithja e avullit ndihmon në lirimin e mukusit dhe qetëson traktin respirator. Mund të vendosni fëmijën në një banjo me avull për disa minuta.
8. Hidratimi
Sigurohuni që fëmija të konsumojë shumë lëngje për të mbajtur trupin të hidratuar dhe për të holluar mukusin.
9. Pushimi dhe mbështetja fizike
Një vend i rehatshëm për pushim ndihmon trupin e fëmijës të luftojë infeksionin. Vendosni jastëkë shtesë për ta mbajtur kokën e ngritur gjatë gjumit dhe për të lehtësuar kollitjen.
Këshillë shtesë: Nëse kolla vazhdon më shumë se dy javë ose përkeqësohet, kontaktoni mjekun për këshilla të mëtejshme.
Pozicioni i mbështetur
Një metodë e thjeshtë dhe efektive për të ndihmuar fëmijën të luftojë kollën natyrshëm është mbajtja e tij në një pozicion të mbështetur. Mukusi shpesh grumbullohet në pjesën e pasme të fytit gjatë gjumit, sidomos kur fëmija ka hundë të mbushur.
Për të reduktuar kollën dhe përmirësuar simptomat, përdorni një jastëk shtesë për të ngritur kokën e fëmijës gjatë natës. Kjo hap rrugët e frymëmarrjes, duke lejuar që mukusi të rrjedhë më lirshëm. Për të parandaluar tharjen dhe acarimin e fytit, përdorni një lagështues pranë shtratit të fëmijës, i cili mban ajrin të lagësht dhe të butë për frymëmarrjen.
Zgjidhje fiziologjike
Zgjidhjet fiziologjike me kripë janë një ndër mjetet më të përdorshme për të lehtësuar kollën. Kolla shpesh ndodh nga rrjedhja post-nazale, dhe një solucion fiziologjik mund të ndihmojë shpejt.
Thjesht aplikoni disa pika të solucionit në hundët e fëmijës për të liruar mukozën e bllokuar dhe përdorni një pompë thithëse për ta larguar atë. Kjo metodë është e sigurt dhe natyrale, duke ofruar rehati pa efekte anësore.
Fërkim gjoksi
Për fëmijët mbi 2 vjeç, përdorimi i pomadave mund të ndihmojë në lehtësimin e kongjestionit të gjoksit dhe reduktimin e kollës. Për fëmijët e vegjël, pomada që përmbajnë përbërës si aloe vera, livando, eukalipt dhe rozmarinë, janë një opsion i përshtatshëm dhe ndihmojnë gjithashtu në përmirësimin e gjumit.
Kërkoni pomada që përmbajnë eukalipt, një ekspektorant natyral që ndihmon në lirimin e mukusit, hap rrugët e hundës dhe qetëson fytin e irrituar.
Kur të vizitoni mjekun?
Në shumicën e rasteve, simptomat e ftohjes kalojnë vetvetiu. Megjithatë, disa situata kërkojnë vëmendje mjekësore:
- Kur kolla zgjat më shumë se 10 ditë.
- Kur fëmija ankohet për dhimbje gjoksi ose qafe.
- Kur fëmija ka ethe mbi 38°C për më shumë se tre ditë.
- Kur fëmija tërheq veshët, që mund të sinjalizojë një infeksion të veshit.
Simptomat më të rënda që kërkojnë urgjencë:
- Letargji ekstreme.
- Vështirësi në frymëmarrje.
- Lëkurë, buzë ose thonj me nuanca blu.
Nëse ndonjë nga këto simptoma shfaqet, dërgoni fëmijën menjëherë në dhomën më të afërt të urgjencës.
Shkaqe të tjera të kollës
Nëse kolla nuk përmirësohet, mund të jetë pasojë e një sëmundje tjetër. Pediatri mund të urdhërojë një kontroll më të thellë, përfshirë një radiografi të gjoksit, për të përcaktuar shkakun e saktë:
- ”Krupa” shkakton kollë të lehur, sidomos gjatë natës, dhe shpesh shoqërohet me temperaturë. Trajtohet me steroide.
- Kolla kronike mund të jetë nga alergjitë ose astma. Mjeku mund të referojë fëmijën te një alergolog për të identifikuar shkakun.
Autorët: Jeannette Moninger & Nicole Harris
Rishikuar nga aspekti mjekësore: Mona Amin
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj
- Si të kujdeseni për të ftohtin e fëmijës tuaj. HealthyChildren.org . 2023
- Mjalti dhe shëndeti: një përmbledhje e hulumtimeve të fundit klinike . Pharmacognosy Res . 2017.
- Studimi i ri mbështet supën e pulës si një ilaç për të ftohtin. Kolegji Amerikan i Mjekëve të Gjoksit . 2000.
- Efektet e një pije të nxehtë në rrjedhën e ajrit në hundë dhe simptomat e ftohjes dhe gripit të zakonshëm . Rinologjia . 2008
- Menaxhoni ftohjen e zakonshme . CDC . 2024
- Parandalimi i infeksioneve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes duke bërë gargarë . Am J Prev Med . 2005.