7 mënyra për të lehtësuar ankthin gjatë shtatzënisë
Nëse jeni prind në pritje dhe ndiheni i tensionuar për çdo gjë, nga rezultatet e analizës së gjakut tuaj deri në çfarë ngjyre do të lyeni dhomën e bebes, nuk jeni vetëm. Hulumtimi nga ‘’Revista e Shëndetit Mendor dhe Psikologjisë Klinike’’ zbuloi se 20% e njerëzve raportuan fillimin e ankthit të ri gjatë shtatzënisë. Në shumicën e rasteve, ky ankth lidhet specifikisht me brengën e të pasurit një shtatzëni të shëndetshme, lindjen apo beben.
Pavarësisht nëse jeni njohur prej kohësh me ankthin ose po përjetoni atë për herë të parë, ka ndihmë në dispozicion, duke përfshirë këshillimin profesional, medikamentet, akupunkturën dhe më shumë. Vazhdoni të lexoni për të kuptuar më mirë disa nga simptomat dhe shkaqet e ankthit gjatë shtatzënisë, dhe mundësitë për mekanizmat e adaptimit dhe trajtimin.
Shkaqet e ankthit gjatë shtatzënisë
Disa shkaqe biologjike të ankthit gjatë shtatzënisë përfshijnë ndryshimet hormonale që janë të nevojshme për të mbajtur një shtatzëni të shëndetshme. “Gruaja prodhon më shumë kortizol dhe estrogen gjatë shtatzënisë, që mund të shkaktojnë ankth,” shpjegon Kenosha Gleaton, M.D., një gjinekologe-obstetër e certifikuar dhe këshilltare mjekësore e Natalist-it.
“Në tremujorin e parë specifikisht, nivelet e progesteronit dhe estrogenit rriten, të cilat mund të rezultojnë në ankth, irritim, depresion, lodhje dhe ndjenja trishtimi,” shton ajo.
‘’Këto ndryshime në nivelet e hormoneve mund të ndikojnë në zona të trurit që kontrollojnë ankthin dhe rregullimin emocional’’, thekson Kristin Yeung Lasseter, M.D., një psikiatër i certifikuar i riprodhimit dhe anëtar i stafit në Shkollën Mjekësore Dell në Universitetin e Texasit në Austin.
Përveç kësaj, një histori personale ose familjare e mëparshme e ankthit, trauma në fëmijëri, një histori e humbjes së shtatzënisë ose komplikimeve me shtatzëninë, ose lindja mund të jenë faktorë të rrezikut që kontribuojnë në ankth gjatë shtatzënisë, sipas Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG).
Dhe natyrisht ekziston ankthi dhe shqetësimi i kuptueshëm rreth lindjes së një fëmije, që është një ngjarje e madhe jetësore. “Mund të lidhet me stresin e madh mendor që vjen nga stresi i një shtatzënie të paplanifikuar, mbështetja e kufizuar rreth një tranzicioni kaq të madh jetësor ose ndjenja ambivalente rreth shtatzënisë,” shton Dr. Lasseter.
Simptomat e ankthit gjatë shtatzënisë
Ankthi gjatë shtatzënisë mund të shfaqet në një varg mënyrash. Këtu janë disa nga simptomat kryesore të ankthit gjatë shtatzënisë, sipas Dr. Lasseter dhe Georgia Witkin, Ph.D., një psikologe klinike dhe drejtuese e zhvillimit të shërbimeve për pacientët për Progyny:
- Të ndjehesh e tensionuar dhe në gjendje alarmante, për shkak të niveleve më të larta të adrenalinës
- Të kesh shqetësim të tepërt për shëndetin e bebes apo përgatitjen për lindjen
- Të kesh vështirësi për të fjetur ose qëndruar zgjuar
- Të kesh frikë për të qëndruar mes turmave të mëdha apo mjediseve tjera që zakonisht shkaktojnë ankth
- Të kesh vështirësi për t’u relaksuar
- Të ndjehesh e shpërqendruar
- Të kesh mungesë të energjisë dhe humorit
- Të kesh sulme paniku ose mendime intruzive
Sa është një ‘Sasi Normale’ e ankthit gjatë shtatzënisë?
Shumica e grave shtatzëna do të ndjehen të paktën një herë të trazuara gjatë shtatzënisë së tyre, pasi ndjehen se kanë humbur kontroll mbi trupin e tyre dhe rrethanat tjera, thotë Dr. Witkin.
“Kur jeni shtatzënë, ka shumë rishikim të të kaluarës: ‘A kam ngrënë mirë? A pi mjaftueshëm? A kam ngrënë proteinë mjaftueshëm?’” thotë Dr. Witkin. “Ka gjithashtu edhe brengë për të ardhmen apo shqetësim për gjëra që nuk kanë ndodhur ende, si p.sh. sa kohë të ushqeni beben me gji për t’ia ngritur imunitetin, çfarë ndodh nëse beba sëmurët, etj.”
Dr. Witkin thekson se ankthi është i zakonshëm gjatë shtatzënisë, por nëse keni vështirësi në kryerjen e detyrave ditore në shtëpi dhe në punë ose në shoqërimin me të tjerët, do të ishte mirë të kërkoni kujdes të mëtejshëm shëndetësor mendor.
Si të lehtësohet ankthi gjatë shtatzënisë
Në varësi të niveleve të ankthit që përjetoni, teknikat terapeutike dhe ndryshimet në dietë dhe stil jete mund të ju ndihmojnë.
Eksploro terapinë kognitive-behaviorale
Terapia kognitive-behaviorale, ose CBT, është një teknikë terapeutike që përfshin vlerësimin e mendimeve tuaja negative dhe zbatimin e mekanizmave për t’i përballuar ato. Dr. Lasseter e quan CBT-në “trajtimin më efektiv pa medikament për ankthin gjatë shtatzënisë.”
Puna me një terapist të licencuar ose këshilltar për CBT mund të ndihmojë në identifikimin e disa mendimeve ose sjelljeve që shkaktojnë ankthin tuaj. Nga ana tjetër, mund të ndihmojë të mësoni mënyra për t’i tejkaluar ato kur ato shfaqen, thotë Dr. Gleaton.
Përdor teknikat e relaksimit
Përpiqja për të relaksuar trupin fizikisht është vërtetuar që redukton stresin maternal, sipas një studimi të vitit 2021, që analizoi nivelet e stresit te gratë shtatzëna pas teknikave të relaksimit që përfshinin muzikë, imazhe dhe pushim. Praktikat e tjera të dobishme për zvogëlimin e simptomave të ankthit gjatë shtatzënisë përfshijnë meditimin, akupunkturën dhe jogën, sipas Dr. Lasseter.
Modifikoni dietën tuaj
Synoni për një dietë të balancuar të pasur me nutrientë, e cila është dëshmuar se ndihmon me simptomat e ankthit, thotë Dr. Gleaton. Ajo rekomandon shtimin e ushqimeve të pasura me omega-3 si salmoni (një lloj peshku që ka pak hekur) në vaktet tuaja për të ndihmuar në mbështetjen e funksionimit të shëndetshëm të trurit.
Përveç kësaj, një studim i vitit 2020 zbuloi një lidhje mes mungesës së vitaminës D dhe ankthit te gratë shtatzëna. Dr. Gleaton sugjeron shtimin e burimeve të vitaminës D, si vezët dhe sardelet, në pjatën tuaj, pasi mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër zbritjes së hormoneve që rrisin humorin si dopamina dhe serotonina.
Dhe kur bëhet fjalë për kafeinën dhe sheqerin, praktikoni moderimin. “Këto mund të shkaktojnë ose të përkeqësojnë ndjenjat e stresit dhe ankthit,” thotë Dr. Gleaton.
Ushtroni
Nëse mjeku juaj ju jep dritën jeshile për të ushtruar, bëjeni, thotë Dr. Lasseter, pasi hormonet që lëshoni gjatë djersitjes janë shumë të mira për lehtësimin e stresit dhe ankthit. Mund të provoni edhe aktivitete tjera më të lehta, si ecja, joga ose ndonjë sesion meditimi, shton Dr. Gleaton.
Pushoni
Ju keni nevojë për gjumë shtesë kur jeni në ankth ose stres për të ndihmuar trupin dhe trurin tuaj të rimbushet, thotë Dr. Gleaton, e cila rekomandon nga tetë deri në dhjetë orë të qeta gjumi gjatë shtatzënisë. Megjithatë, kjo mund të jetë më e lehtë të thuhet sesa të bëhet – një studim në Obstetric Medicine zbuloi se 73% e grave shtatzëna përjetojnë një formë të pagjumësisë në tremujorin e tretë.
Gjumi i mirë mund të jetë i vështirë për shtatzënat për shkak të rritjes së frekuencës së urinimit, shqetësimit, refluksit dhe shqetësimeve me këmbë, kështu që mund t’ju duhet të ndani pak kohë për një sy gjumë gjatë ditës. Dr. Gleaton rekomandon gjithashtu që të flini me një jastëk shtatzënie për të lehtësuar një pjesë të tensionit në shpinë, dhe një rutinë pa ekran para gjumit, duke përfshirë zakone si joga, leximi ose ditari.
Gjeni gjërat që mund të kontrolloni
“Cdo aktivitet që rrit ndjenjën tuaj të kontrollit do t’ju japë një pushim nga rritjet e adrenalinës,” thotë Dr. Witkin. Provoni të pastroni tryezën ose dollapin tuaj, organizoni portofolin tuaj ose paguani disa fatura, sugjeron ajo, për të balancuar atë që nuk mund të kontrollohet me gjërat që ju keni kontroll mbi to.
Provo një aktivitet ritmik
Këto lloje aktivitetesh mund të ju ndihmojnë të qetësoni mendjen tuaj, sepse ju e dini se çfarë të prisni më pas, thotë Dr. Witkin. Ajo sugjeron të dëgjoni disa ritme të ngadalta, veçanërisht muzikë që është më e ngadaltë se ritmi i zemrës suaj (i cili është rreth 72 rrahje në minutë), të shkoni për një vrapim ose të rishikoni një film ose serial të preferuar.
A mund të merrni medikamente anti-ankthi gjatë shtatzënisë?
Një lloj tjetër i trajtimit për menaxhimin e ankthit gjatë shtatzënisë janë medikamentet. Shumica e çrregullimeve të ankthit trajtohen me SSRI (selective serotonin reuptake inhibitors), të cilët shpesh konsiderohen si lloji më i sigurt i medikamenteve kundër ankthit për t’u përdorur gjatë shtatzënisë, sipas Dr. Lasseter.
“Rreziku më i zakonshëm i lidhur me ekspozimin ndaj SSRI-ve gjatë shtatzënisë është sindroma e adaptimit neonatal, e cila është zakonisht një gjendje e lehtë që zgjidhet brenda disa ditëve pa efekte afatgjata,” thotë Dr. Lasseter. Kjo sindromë mund të përfshijë simptoma si nervozizëm, shqetësim dhe frymëmarrje të shpejtë, kryesisht tek foshnjat nënat e të cilave morën SSRIs deri në lindje. Në shumicën e rasteve, këto simptoma zhduken brenda pesë ditëve të para pas lindjes, sipas një studimi në Nature.
Nga ana tjetër, benzodiazepinet, të cilat përfshijnë disa ilaçe sedative të njohura me emrat e markës Xanax, Valium dhe Klonopin, mund të shkaktojnë probleme shëndetësore neonatale, andaj duhet të zvogëlohen gradualisht gjatë tremujorit të tretë ose të shmangen fare gjatë shtatzënisë, sipas një studimi në Revistën e Shëndetit Mendor dhe Psikologjisë Klinike.
Megjithatë, është e rëndësishme të merret parasysh rreziku për shëndetin e nënës dhe fetusit nga ankthi i patrajtuar kur vlerësohet rreziku i medikamenteve kundër ankthit gjatë shtatzënisë, i cili mund të përfshijë një probabilitet më të madh të komplikimeve duke përfshirë preeklampsinë, lindjen e hershme, peshën e ulët të bebes dhe vonesat në zhvillimin e bebes, sipas Dr. Lasseter.
Kur duhet vizituar doktori?
Nëse jeni shtatzënë dhe përjetoni ndjenja trishtimi, frike ose ankthi për dy javë ose më shumë, kërkoni ndihmë nga mjeku juaj për udhëzime ashtu që të trajtoni ankthin që ndikon në gjumin tuaj, oreksin, punën dhe marrëdhëniet shoqërore, sipas Dr. Witkin.
Në disa raste, këto shqetësime mund të adresohen në seanca me një profesionist të shëndetit mendor, qoftë me një partner apo individualisht. “Shumicës së çifteve që po kalojnë një shtatzëni dhe kërkojnë ndihmë u mjaftojnë tre deri në tetë seanca, por secili është ndryshe,” thotë Dr. Witkin.
Filloni duke diskutuar ankthin tuaj me mjekun tuaj në vizitën tuaj të ardhshme, rekomandon Dr. Witkin. Ai pastaj mund t’ju jap një referim tek një profesionist i shëndetit mendor që adreson mirëqenien mendore të lidhur me shtatzëninë ose fertilitetin.
Mos harroni, shtatzënia nuk ka të bëjë vetëm me mbajtjen e fëmijës tuaj të shëndetshëm – ka poashtu të bëjë me mbajtjen e shëndetit tuaj fizik dhe mental.
Burimi: Forbes Health
Autori: Mara Santilli
Përktheu: Djellza Krasniqi, Prinderimi.com