Lënia e fëmijës gjatë natës mund të shkaktojë një valë emocionesh, por mund të jetë e dobishme për të dy palët.
Kur Cathy Hale, nga Austin, Teksas, la djalin e saj 8-muajsh, Steele, me gjyshërit, në mënyrë që ajo dhe bashkëshorti të largoheshin për një udhëtim përvjetori në Las Vegas, ajo qau derisa prindërit u larguan. Ajo përlotej kur shihte foshnja të tjera rrugës duke u kthyer me gjyshërit e saj dhe telefononte shpesh në shtëpi gjatë gjithë ditës. Megjithatë, në një moment, ajo filloi të shijonte udhëtimin.
“Sigurisht që unë dhe bashkëshorti im shqetësoheshim për fëmijën kur nuk ishim afër, por na duhej dëshpërimisht një mundësi për të pushuar, për t’u çlodhur dhe për t’u fokusuar te vetja,” thotë Hale.
Është krejtësisht normale të shqetësohesh për idenë e lënies së fëmijës tënd. Por, pavarësisht se sa shumë e doni fëmijën tuaj, një pushim 24-orësh ose më i gjatë mund të jetë pikërisht ajo që ju nevojitet: një mundësi për të marrë frymë, për t’u rilidhur me bashkëshortin dhe, ndoshta, për të fjetur pa ndërprerje gjatë natës.
Qoftë për udhëtim pune ose pushim të shkurtër, ndiqni udhëzimet tona për të kapërcyer shqetësimet dhe për të shijuar kohën tuaj larg:
1. Nuk jam i sigurt se kujt t’ia lë fëmijën!
Sa më mirë të njohë fëmija kujdestarin, aq më e qetë do të jetë larg jush. “Një gjyshe, hallë, ose një dado e njohur është gjithmonë më mirë se një kujdestare të re,” thotë Fran Walfish, psikolog. Nëse fëmija nuk ka kaluar shumë kohë me kujdestaren, provoni ta përgatitni me qëndrime të shkurtra, para se ta lini për një natë të tërë.
Kur të jeni gati për ta lënë fëmijën për natën, preferoni që kujdestarja të vijë në shtëpinë tuaj. Ambienti i njohur e bën fëmijën të ndihet më i sigurt.
2. Rutina e fëmijës tim mund të prishet
Nikki Boone, nga Middletown, Delaware, gjatë largimit të parë nga vajza 14-javëshe, Sophie, i dha babait dhe vjehrrës udhëzime të detajuara. “Dërgova email me orarin e Sophie-s për qendrën e kujdesit dhe vendosa orarin e saj edhe në frigorifer.”
Është e mençur t’i ofroni kujdestarit detaje mbi rutinën dhe preferencat e fëmijës. Nëse rutina ndiqet, fëmija do të ndiejë më pak stres. Por, edhe nëse kujdestarja bën gjëra pak më ndryshe nga plani, nuk është fundi i botës.
3. Foshnja është shumë e vogël
Midis 4 dhe 9 muajsh është koha më e mirë për të lënë fëmijën gjatë natës. Para kësaj periudhe, foshnja mund të ketë ende vështirësi me ushqyerjen me gji dhe mund të zgjohet shpesh. Nga ana tjetër, pas kësaj moshe, ankthi i ndarjes fillon të shfaqet, zakonisht midis 9 dhe 15 muajsh. “Nëse dëshironi të largoheni, bëjeni para kësaj faze,” sugjeron pediatri Ari Brown.
4. Jam duke e ushqyer me gji
Një natë larg nuk duhet të prishë rutinën e ushqyerjes me gji. Dana Marlowe, nga Silver Spring, Maryland, kur udhëtonte për punë, merrte gjithmonë pompën e gjirit dhe frigorifer portativ. Gjithashtu, ajo rezervonte hotele me frigorifer në dhomë për të ruajtur qumështin.
Sigurohuni që fëmija të mësohet të ushqehet me shishe disa javë para udhëtimit për të shmangur probleme.
5. Do të më mungojë foshnja ime
Shanset janë që edhe fëmijës t’i mungoni, por disa përgatitje do ta ndihmojnë të përballojë mungesën. Mos u largoni fshehurazi, sidomos nëse fëmija është mbi 9 muajsh. Thoni lamtumirë, kjo do ta ndihmojë fëmijën të përballet më mirë me ndarjen.
Krijoni mënyra për të qëndruar në kontakt. Jennifer MacKenzie Baker, nga Glen Allen, Virginia, foli me djalin 7-muajsh përmes Skype. “Ai u emocionua kur dëgjoi zërat tanë,” thotë ajo.
6. Kam frikë se do të më mungojë shumë fëmija
Mos u ndjeni fajtorë për largimin. Të kalosh pak kohë për veten tuaj do t’ju bëjë një prind më të qetë dhe më të relaksuar. Me teknologjinë e sotme, nuk do të humbisni asgjë. Nëse ndiheni shumë të shqetësuar, zgjidhni një version më të lehtë të largimit, si të rezervoni një dhomë hoteli në të njëjtin qytet, në mënyrë që të jeni afër nëse lind nevoja.
Autore: Melody Warnick, Redaktore
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj