Vizita e parë duhet të kryhet sapo të dyshoni se jeni shtatzënë. Vizita e parë para lindjes nënkupton takimin tuaj të parë me shërbimet dhe personelin shëndetësor, të cilët duhet t’ju shërbejnë gjatë shtatzanisë. Në çfarë moshe të shtatzanisë duhet të kryhet vizita e parë? Sa më herët që të jetë e mundur, sapo të mungojnë periodat (që ndryshe ju i quani: zakonet, cikli menstrual ose menstruacionet), Duhet të keni parasysh se llogaritja e moshës së shtatzanisë bëhet duke u nisur nga dita e parë e periodave të fundit. Ju duhet të regjistroheni menjëherë në qendrën më të afërt shëndetësore (konsultore), për të siguruar kujdesin dhe kontrollin për veten tuaj gjatë gjithë shtatzanisë.
Cilat janë qëllimet e vizitës së parë para lindjes?
- Të nxirret në pah një histori e hollësishme familjare dhe personale.
- Të bëhet një vizitë e hollësishme fizike e të gjitha sistemeve të organizmit.
- Të përcaktohet saktë mosha e shtatzanisë dhe dita e parashikuar për lindje.
- Të bëhen analizat bazë laboratorike (gjendja e tanishme e numrit të rruazave të kuqe të gjakut, grupi i gjakut dhe Rhezusi, gjendja e veshkave, nëpërmjet analizës së urinës, pastërtia vaginale etj.).
- Të raportohen në maternitet gratë, shtatzania e të cilave paraqet rrezik të lartë.
VIZITA FIZIKE
Ku përqendrohet vëmendja gjatë vizitës fizike?
Pamja juaj e përgjithshme ka një rëndësi të madhe, si tregues i gjendjes së saj shëndetësore Vizitohen me kujdes sistemet dhe organet e mëposhtme:
- Gjëndra tiroide
- Gjoksi
- Aparati i frymëmarrjes
- Aparati i qarkullimit të gjakut dhe zemra
- Organet që gjenden në bark
- Organet e jashtme dhe të brendshme seksuale
Çfarë shihet në gjendrën tiroide?
Nëse është e zmadhuar, duhet të referoheni tek mjeku specialist për ekzaminime të mëtejshme dhe e gjithë ndjekja e shtatzanisë duhet të bëhet nga ekipi, i përbërë nga gjinekologu dhe endokrinologu.
Çfarë është e rëndësishme në vizitën e gjinjve?
- Thumbat e gjinjve, të cilat nëqoftëse janë të futur nga brenda duhet të përpunohen gjatë shtatzanisë për t’u përgatitur për ushqyerjen me gji të bebit.
- Shihet nëse ka masa të forta në gji apo rrjedhje të tij, të cilat kërkojnë pastaj kontrolle të mëtejshme.
- Gjatë takimeve me personelin mjekësor, ju do të nxiteni të ushqeni me gji fëmijën tuaj, do t’ju bëhen të ditura avantazhet e tij, në krahasim me çfarëdolloj ushqimi tjetër artificial
Çfarë është e rëndësishme për t’u vizituar në aparatin e frymëmarrjes dhe në zemër?
- Zakonisht gjatë kësaj vizite ju zhvisheni nga mesi e sipër dhe personeli shëndetësor vrojton shenjat e mëposhtme: deformime të kafazit të kraharorit, anomali të shtyllës kurrizore, vështirësi në frymëmarrje.
- Duhet të matet tensioni arterial dhe pulsi.
- Dëgjohen me stetoskop rrahjet e zemrës dhe mushkëritë, me qëllim diagnostikimin e zhurmave në zemër dhe në mushkëri. Nëse këto zhurma janë të pranishme, ju do të referoheninë qendra më të specializuara për këto probleme.
Si vizitohet barku në vizitën e parë?
Para kësaj vizite ju duhet të keni boshatisur fshikëzën e urinës, të jeni e shtrirë në kurriz dhe me jastëk nën kokë. Shenjat që kërkohen janë:
- Shtresa të tepruara dhjami.
- Prania e shenjave, cikatrierve (ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme).
- Forma dhe përmasat e mitrës.
- Keqformime të tjera të dukshme.
- Kontrollohet barku me dorë për përmasat dhe ndjeshmërinë e mëlçisë, shpretkës, veshkave,si dhe nëse ka masa të tjera të papërcaktuara mirë në hapësirën e barkut.
Çfarë duhet parë në organet e jashtme dhe të brendshme seksuale?
- Shenja të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, të cilat shpesh duken me sy të lirë, nga prania e “plagëve” apo rrjedhjeve karakteristike.
- Dëmtime të qafës së mitrës nga ndërhyrje të mëparshme, apo nga fillimi i një procesi tumoral. Për të përjashtuar këtë të fundit është mirë të merret një Pap-test që në vizitën e parë.
- Shihet nëse qafa e mitrës është e hapur apo jo.
- Gjatë vizitës vaginale me dy duar (bimanuale), shihet qartë madhësia e mitrës në raport me moshën e shtatzanisë si dhe përjashtohen masat e mundshme në vezore.
Autor: Eduard Tushe, ”Arti i rritjes së fëmijëve”