Drejtoria e Arsimit në Prizren e ka dërguar në komision disiplinor të Komunës drejtorin e institucionit parashkollor në lagjen “Bajram Curri”, Driton Susuri, më 14.10.2024.
Kjo ka ndodhur pasi drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj drejtorit Susuri si pasojë e një vendimi që ai kishte miratuar që të mos i pranojë në çerdhen që drejton fëmijët me nevoja të veçanta dhe fëmijët me pampersa nga data 14.10.2024.
Në një bisedë për kallxo.com Veselaj-Gutaj tha se Susuri nuk ishte konsultuar me Drejtorinë e Arsimit në Prizren për vendimin që e ka nënshkruar.
E Susuri të mërkurën, më 16.10.2024, tha se është konsultuar me një zyrtar të Arsimit në këtë Komunë sa i përket vendimit që në fakt e cilësoi si ‘njoftim’ dhe se kishte ndodhur një ‘gabim teknik’ në shkrimin e tij.
Megjithatë, vendimi që ka nënshkruar Susuri nuk është duke u zbatuar pasi ai tregoi se fëmijët me nevoja të veçanta janë duke vazhduar të shkojnë në çerdhen në lagjen “Bajram Curri”.
Në anën tjetër, Komuna e Prizrenit ka hapur konkurs për pranimin e asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta më 16.10.2024. Kandidatët e interesuar kanë afat të aplikojnë deri më 15.11.2024.
“Na si Drejtori e Arsimit e kemi inicu rastin me urgjencë në komisionin disiplinor duke u thirrur në gjitha ligjet dhe udhëzimet në fuqi të cilat i ka tejkalu kompetencat [drejtori i çerdhes] me një vendim, i cili ka qenë edhe i paprotokoluar po me nënshkrimin e drejtorit edhe me shpërndarjen e tij tek prindërit” – ka thënë Veselaj-Gutaj më 16.10.2024.
Ndërsa, vetë Susuri nuk është në dijeni se është proceduar në komision disiplinor të Komunës, për të cilin pret që të njoftohet nesër, më 17.10.2024.
Të hënën, më 14.10.2024, para se ta dërgonte në komision disiplinor të Komunës së Prizrenit, Veselaj-Gutaj i ka kërkuar Susurit që të jepte arsyetimin e tij zyrtarisht se pse kishte marrë vendim të mos i pranojë fëmijët me nevoja të veçanta në çerdhe.
“Në deklaratën të cilën e ka përcjellë zotëri Susuri në email-in zyrtar, aty deklaron se: “Kam dashtë me ba një njoftim, po e kam ba vendim. Ka qenë një gabim, për shkak të mungesës së asistentëve…”. Kështu e ka arsyetu veten pse e ka bërë një veprim të tillë, të ngutshëm dhe të pakonsultuar [me Drejtorinë e Arsimit në Prizren]” – ka shtuar Veselaj-Gutaj.
Drejtoresha Veselaj-Gutaj nuk e ka konsideruar t’ia shqiptojë ndonjë vërejtje fillimisht Susurit, pasi ka vlerësuar se është “diçka e lehtë karshi veprimeve të cilat kanë ndodhur nga ana e tij”.
E Susuri thotë se për vendimin për fëmijët me nevoja të veçanta është konsultuar me një zyrtar të Arsimit parashkollor në Drejtori të Arsimit në Prizren.
“Zakonisht konsultohemi me zyrtarin në fjalë kur të bëjmë njoftime apo diçka të ngjashme, po megjithatë s’ka pasë kurrgjë zyrtare dhe nuk ka qenë diçka njoftim i jashtëm, ka qenë njoftim i brendshëm, ia kam dërgu edukatoreve edhe iu kam thënë thjesht dërgojani prindërve për me ardhë të hënën në konsultim, prindërve të këtyre rasteve që i kemi” – ka thënë Susuri.
Në lidhje me konkursin për pranimin e asistentëve për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta më 16.10.2024, Veselaj-Gutaj ka treguar se 30 ditë është afati i pranimit të dokumenteve të aplikuesve sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, dy javë është afati për shqyrtimin e këtyre dokumenteve nga Zyra e Burimeve Njerëzore në Komunë, pastaj komisioni vlerësues i konkursit vazhdon me pjesën e testimit me shkrim dhe intervistimit të kandidatëve.
Kur u pyet se si mendon se do të funksionojë çerdhja në lagjen “Bajram Curri” në Prizren gjatë kësaj kohe, derisa të rekrutohen asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta, Veselaj-Gutaj tha se edukatoret e angazhuara në çerdhe duhet të punojnë edhe me këta fëmijë.
“Secila edukatore e ka të kryer, e ka të dhënë një provim për edukimin inkluziv, i cili e përgatit edukatoren, mësuesen edhe mësimdhënësit që si duhet me iu qas edhe me u sjell, me u marrë me fëmijët me nevoja të veçanta. Unë mendoj dhe duhet të jetë ashtu që edukatoret duhet t’i pranojnë këta fëmijë” – tha ajo.
Susuri doli të mos jetë i informuar edhe për hapjen e konkursit për pranimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Nuk kam informatë konkrete ose zyrtare që është shpallë konkursi për asistentët, po megjithatë ne i kemi angazhu dy-tre edukatore tepër që i kemi, i kemi angazhu për këta fëmijët” – tha Susuri.
Çerdhja në lagjen “Bajram Curri” në Prizren nuk ka asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, sipas Veselaj-Gutajt, dhe po mundohen t’i shohin mundësitë e lëvizjes së ndonjë asistenti nga ndonjë shkollë në çerdhe.
Veselaj-Gutaj ka treguar se vitin e kaluar i kanë rekrutuar 20 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, ndërsa deri tani i kanë 29 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta në Prizren.
Ajo ka përmendur se kanë probleme me furnizimin me ushqimin në këtë çerdhe, i cili duhet të sigurohet nga Komuna.
“Nuk është orari i plotë ende [në çerdhe], thash se kena pasë probleme me operatorin ekonomik për furnizimin me ushqim që ende është lënda në OSHP [Organi Shqyrtues i Prokurimit] dhe sigurisht që na sjellin pengesa në zhvillim të mëtutjeshëm” – ka thënë Veselaj-Gutaj.
Sa i përket sigurimit të ushqimit në çerdhe për fëmijët, Susuri tha se Këshilli i prindërve të çerdhes ka vendosur shujtën e mëngjesit t’ua japin me vete fëmijëve.
Ndërkaq, Susuri është rekrutuar si drejtor i çerdhes në lagjen “Bajram Curri” në muajin korrik ose gusht 2023, ka njoftuar Veselaj-Gutaj.
Susuri thotë se ia ka sqaruar Sektorit të Inspektimit për Arsim (SIA) në Prizren, më 16.10.2024, vendimin që ka nënshkruar për mospranimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, duke e cilësuar si ‘njoftim’.
Ai e ka mohuar se e ka parë që në dokumentin që ka nënshkruar për mospranimin e fëmijëve me nevoja të veçanta shkruan ‘vendim’.
Sipas Susurit, ai vetë e ka shkruar dokumentin dhe qëllimi ka qenë që dokumenti t’u dërgohet vetëm prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta që i kanë në çerdhen në lagjen “Bajram Curri”, pasi thotë se kishte ankesa të përditshme nga edukatoret e çerdhes se nuk po mund të merren edhe me 23 fëmijë, edhe me fëmijët me nevoja të veçanta.
“Jo, realisht nuk e kam pa… Atë e kam shkrujtë unë, po kam harru, e kam marrë d.m.th. atë format, e kam marrë prej vendimit tjetër që e kemi pasë edhe kam harru m’ia ndërru atë. D.m.th. e kam ndërru veç tekstin si tekst, ato tjerat, kam harru me ia lëvizë, me ia ndryshu. Edhe ai ka qenë d.m.th. njoftim i brendshëm, vetëm me ia dërgu rasteve që i kemi, 4 raste [të fëmijëve me nevoja të veçanta] eventualisht 5 i kemi m’i diskutu qysh me vepru ma tutje, se është d.m.th. raste të pamenaxhueshme” – ka thënë Susuri për KALLXO.com.
Pasi qëllimi ka qenë që t’i thërrasin prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta që i kanë në çerdhe për të diskutuar se qysh të veprojnë më tutje derisa ta angazhojë Drejtoria e Arsimit në Prizren një asistent/e për këta fëmijë, në fakt në vendimin që e ka nënshkruar Susuri nuk duket se i fton prindërit për diskutim.
Në vendimin e çerdhes në lagjen “Bajram Curri”, e cila ndodhet në rrugën “Nexhat Feraj” në Prizren, thuhet se fëmijët të cilët janë me pelena (“pampersa”), nuk mund të pranohen apo të vijojnë mësimin në çerdhen e tyre deri në momentin e heqjes së pelenes (“pampersit”).
Kurse, për fëmijët me nevoja të veçanta, në vendimin e çerdhes në Prizren kërkohet që Drejtoria e Arsimit në Prizren t’i sjellë dy asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta dhe se deri në atë kohë fëmijët me nevoja të veçanta nuk mund të vijojnë edukimin në këtë çerdhe.
“Rastet e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore të cilët janë të regjistruar në kopshtin tonë dhe të cilëve u është bërë vlerësimi në bazë të një instrumenti vlerësues të cilin ia kemi dërguar Drejtorisë Komunale të Arsimit për ta vlerësuar, këto raste nuk mund të vijojnë mësimin deri në momentin kur në kopshtin tonë na e sjellin nga DKA-ja një apo dy asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore” – thuhet në vendimin e çerdhes në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.
Megjithatë, Susuri thotë se i ka takuar prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta më 14.10.2024 dhe kanë gjetur një zgjidhje për këtë situatë të krijuar në çerdhe.
Ai tha se kanë angazhuar edukatore shtesë në ato klasat ku ndodhen fëmijët me nevoja të veçanta në çerdhe. Sipas tij, dy fëmijë me nevoja të veçanta janë në një klasë, dy të tjerë janë në klasa të ndryshme, ndërsa gjithsej 200 fëmijë janë në këtë çerdhe.
Lexo poashtu: https://prinderimi.com/disa-keshilla-per-femijet-me-nevoja-te-vecanta/
Susuri tregoi po ashtu se i kanë gjithsej 21 edukatore të parapara të angazhohen për dhjetë klasa, por për momentin janë 9 klasa funksionale derisa të shtohet edhe një klasë tjetër.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) më 12.10.2024 ka reaguar ndaj vendimit të çerdhes në Prizren.
KOMF ka shprehur shqetësimin lidhur me këtë vendim dhe i ka kërkuar Komunës së Prizrenit që ta shfuqizojë atë.