Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
UDHËZIM ADMINISTRATIV (MASHTI) NR. 11/2023 PËR KURRIKULËN ME ZGJEDHJE NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 24 paragrafi 6 nënparagrafi 6.1 të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar (Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës nr. 17/18 shtator 2011), nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, shtojca 1 paragrafi 7 i Rregullores (QRK) nr. 02/2021 për fushat e
përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të datës 30.03.2021, Udhëzimit administrativ nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative (GZ, nr. 03/2013, dt. 16.05.2013) nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV PËR KURIKULËN ME ZGJEDHJE NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR
Neni 1
Qëllimi
Ky Udhëzim administrativ, përcakton dhe rregullon format e realizimit të kurrikulës me zgjedhje dhe procedurat për propozimin, përzgjedhjen dhe aprovimin e kurrikulës me zgjedhje, në pajtim me Kornizën Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës
Neni 2
Fushëveprimi
Ky Udhëzim administrativ, zbatohet nga të gjitha institucionet arsimore parauniversitare publike dhe private, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës.
Neni 3
Përkufizimet
1. Për qëllime të këtij Udhëzimi administrativ, shprehjet e mëposhtme, kanë këtë kuptim:
1.1. “Kurrikula bërthamë” nënkupton dokumentin themelor kurrikular për arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, dispozitat e së cilës vendosen nga MASHTI dhe janë obliguese për të gjitha shkollat;
1.2. “Shkallët kurrikulare”-nënkupton nën-nivelet formale të arsimit (një deri tre klasë) të cilat paraqesin pikën referuese për përcaktimin e kompetencave kryesore që duhen zotëruar nga të gjithë nxënësit, kërkesat e progresit të nxënies, organizimin e proceseve mësimore, qasjen dhe kriteret e vlerësimit. Ato janë njësia kryesore për planifikimin dhe organizimin e procesit mësimor si dhe për vlerësimin e nxënësve;
1.3. “Kurrikula me zgjedhje” – është pjesë e kurrikulës me bazë në shkollë që zbatohet në kuadër të orarit të obliguar, të përcaktuar me planin mësimor, për adresimin e nevojave dhe kërkesave specifike të nxënësve të shkollës së caktuar si dhe çështjeve me interes për komunitetin në të cilin vepron shkolla;
1.4. “Lënda mësimore (me zgjedhje)” – nënkupton formën e organizimit didaktik të përmbajtjes mësimore si një disiplinë e veçantë e të nxënit në kuadër të një fushe kurrikulare, për ndërtimin e njohurive të reja dhe kompetencave kryesore nga nxënësit. Organizimi i përmbajtjes së një lënde mësimore mund të jetë në formë të moduleve apo temave, të cilat zbërthehen tutje përmes njësive mësimore;
1.5. “MASHT” nënkupton Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
1.6. “DKA” – nënkupton Drejtorinë përkatëse Komunale të Arsimit;
1.7. “KDSH” – nënkupton Këshillin Drejtues të Shkollës.
Neni 4
Forma e realizimit
1. Kurrikula me zgjedhje realizohet në formë të lëndëve të reja, që nuk janë përcaktuar me Kurrikulën bërthamë. Kurrikula me zgjedhje mundëson zhvillimin e kompetencave kryesore, duke adresuar nevojat dhe kërkesat specifike të nxënësve të shkollës përkatëse dhe komunitetit në të cilin vepron shkolla.
2. Gjatë një viti shkollor, për një klasë, mund të realizohet vetëm një lëndë me zgjedhje.
3. Lënda me zgjedhje, realizohet në kuadër të fondit të orëve mësimore të përcaktuara me planin mësimor për klasën përkatëse.
Neni 5
Kohëzgjatja
1. Kurrikula me zgjedhje planifikohet për çdo klasë dhe çdo vit shkollor, duke filluar nga klasa e parë e nivelit fillor deri në klasën e 12 të nivelit të mesëm të lartë.
2. Lënda me zgjedhje mbulon së paku një vit shkollor.
Neni 6
Propozimi i lëndëve me zgjedhje
1. Propozimet për lëndët me zgjedhje, i përgatit shkolla dhe MASHTI, duke pasur parasysh:
1.1. Veçoritë e shkallës kurrikulare, të përshkruara në Kornizën Kurrikulare dhe Kurrikulën Bërthamë;
1.2. Ndërlidhjen me rezultatet e të nxënit për kompetenca dhe për fusha kurrikulare;
1.3. Çështjet me interes të veçantë në nivel nacional, për lëndët e propozuara nga MASHTI dhe në nivel lokal, për lëndët e propozuara nga shkollat.
2. MASHTI, i përgatit së paku nga tri propozime për çdo klasë, të cilat mund të plotësohen apo rishikohen sipas nevojës:
2.1. Lëndët e kurrikulës me zgjedhje të propozuara nga MASHTI publikohen në faqen zyrtare të saj;
2.2. Për çdo plotësim apo rishikim të propozimeve, MASHTI i informon shkollat përmes DKA-ve dhe i publikon në faqen zyrtare të MASHTI-it.
3. Shkolla mund të përzgjedhë nga lista e propozuar e MASHTI-t, të përgatisë propozime të tjera apo t’i kombinojë të dyja;
3.1. Listat e propozimeve për lëndët me zgjedhje përgatiten nga këshillat e klasave, duke pasur parasysh nevojat e nxënësve, nga perspektiva e kritereve të përshkruara në paragrafin I të këtij neni dhe nga mundësitë e shkollës për organizim cilësor të kurrikulës me zgjedhje;
3.2. Lista e lëndëve me zgjedhje përmban së paku 3 propozime, për çdo klasë.
3.3. Secili propozim përmban:
3.3.1. Emërtimin e lëndës së propozuar;
3.3.2. Arsyeshmërinë për propozimin e saj;
3.3.3. Qëllimin e lëndës së propozuar;
3.3.4. Konceptet kryesore të lëndës së propozuar.
4. Këshillat e klasave i dorëzojnë listat e propozimeve te drejtori i shkollës.
5. Drejtori i shkollës emëron Komisionin ad-hoc për administrimin e procedurës së përzgjedhjes së lëndëve me zgjedhje:
5.1. Vendimi për emërimin e Komisionit përcakton listën e anëtarëve, kryesuesin, mënyrën e funksionimit, detyrat dhe afatet për realizimin e tyre;
5.2. Kryesues i Komisionit mund të caktohet njëri anëtar i komisionit nga radhët e mësimdhënësve.
Neni 7
Përbërja dhe detyrat e Komisionit për kurrikulën me zgjedhje
l .Komisioni për kurrikulën me zgjedhje përbëhet nga:
1.1. Tre mësimdhënës, të cilët nuk janë kandidatë potencial për realizimin e kurrikulës me zgjedhje;
1.2. Një përfaqësues i Këshillit të Prindërve;
1.3. Një përfaqësues i Këshillit të Nxënësve.
2. Komisioni për kurrikulën me zgjedhje është përgjegjës për:
2.1. Shqyrtimin e propozimeve të Këshillave të Klasës për kurrikulën me zgedhje;
2.2. Përgatitjen e formularëve të deklarimit të nxënësve dhe prindërve për kurrikulën me zgjedhje;
2.3. Menaxhimin e procesit të deklarimit dhe përzgjedhjes së kurrikulës me zgjedhje për çdo klasë;
2.4. Respektimin e afateve të përcaktuara me këtë UA, për organizimin e kurrikulës me zgjedhje;
2.5. Përgatitjen e dosjes për procesin e organizimit të kurrikulës me zgjedhje;
2.6. Detyra të tjera të lidhura me organizimin e kurrikulës me zgjedhje, të përcaktuara nga drejtori i shkollës me aktin e emërimit të komisionit.
3. Detyrat ndërmjet anëtarëve të Komisionit ndahen me marrëveshje.
4. Raporti i punës së Komisionit i dorëzohet Drejtorit të shkollës.
Neni 8
Deklarimi dhe përzgjedhja
1. Procesi i deklarimit dhe përzgjedhjes, për secilën klasë, administrohet nga Komisioni për kurrikulën me zgjedhje.
2. Formularët e deklarimit përgatiten nga Komisioni për kurrikulën me zgjedhje.
3. Secili formular i deklarimit (përsecilën klasë) përmban emërtimin e lëndëve të propozuara, qëllimin dhe konceptet kryesore për secilën lëndë si dhe hapësirën për emrin e nxënësit i cili bën deklarimin, apo për të cilin bëhet deklarimi.
4. Për nivelin fillor, duke filluar nga klasa e parë, deklarimi bëhet nga prindërit e nxënësve.
5. Për nivelin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, deklarimi bëhet nga nxënësit.
6. Prindërit, respektivisht nxënësit, deklarohen për njërën prej lëndëve të propozuara në formularët e deklarimit.
7. Komisioni përzgjedh lëndën më të kërkuar nga të gjithë prindërit, respektivisht nxënësit e të gjitha paraleleve për secilën klasë.
Neni 9
Hartimi i programit
1. Mësimdhënësi i lëndës me zgjedhje përgatit draftprogramin lëndor, të cilin ia dorëzon për shqyrtim aktivit profesional të fushës përkatëse kurrikulare.
2. Mësimdhënësi e finalizon programin në bashkëpunim me aktivin profesional të fushës kurrikulare përkatëse.
2.1. Mësimdhënësi i lëndës me zgjedhje i përzgjedhur sipas paragrafi 2.2 dhe 2.3 të Nenit 10 finalizon programin në bashkëpunim me aktivin profesional të fushës kurrikulare përkatëse.
3. Struktura e programit të lëndëve me zgjedhje është e njëjtë me strukturën e programeve të lëndëve tjera.
4. Nëse lënda e njëjtë propozohet nga Këshilli i klasës dhe zgjidhet nga nxënësit, respektivisht prindërit, edhe në vitin pasues shkollor, programi i lëndës hartohet edhe për klasën pasuese.
Neni 10
Përzgjedhja dhe angazhimi i kuadrit mësimor
1. Kuadri për realizimin e kurrikulës me zgjedhje, duhet të jetë mësimdhënës i kualifikuar.
2. Kurrikula me zgjedhje mund të realizohet nga kuadri mësimor i shkollës përkatëse:
2.1. Propozimin e mësimdhënësve për realizimin e lëndëve me zgjedhje e bëjnë këshillat e klasave, pas pranimit të njoftimit nga Komisioni për lëndën e përzgjedhur;
2.2. Në rast se për lëndën e njëjtë shkolla ka dy e më tepër mësimdhënës të kualifikuar dhe të interesuar, përzgjedhja bëhet në bazë të cilësisë së programit të hartuar nga mësimdhënësit e propozuar;
2.3. Cilësinë e programit e vlerëson aktivi profesional i fushës kurrikulare përkatëse.
3. Nëse shkollës i mungon kuadri mësimdhënës për realizimin e kurrikulës me zgjedhje, shkolla bën kërkesë në DKA për kuadër përkatës, bashkë me raportin e përzgjedhjes së lëndës përkatëse:
3.1. Kërkesa nga shkolla bëhet në rastet kur Këshillat e Klasave konstatojnë se për realizimin e kurrikulës me zgjedhje mungon kuadri adekuat mësimdhënës;
3.2. Pas miratimit të kërkesës së shkollës, DKA bën thirrje publike për mundësinë e angazhimit të mësimdhënësve;
3.3. Kandidatet që aplikojnë për kurrikulën me zgjedhje, të cilët i plotësojnë kriteret e kualifikimit, që janë të punësuar apo kanë kontratë në komunën përkatëse, përzgjidhen nga DKA dhe përfshihen në hartimin e programit të kurrikulës me zgjedhje;
3.4. Përzgjedhja e mësimdhënësit nga DKA bëhet duke u bazuar në cilësinë e programeve të dorëzuara;
3.5. Angazhimi i tyre nga DKA bëhet njëkohësisht me aprovimin e listës përfundimtare të lëndëve të kurrikulës me zgjedhje.
3.6. Përzgjedhja e kuadrit mësimdhënës për të punësuarit e rinj, bëhet sipas paragrafit 4 të këtij neni.
4. Procedura dhe kriteret e përzgjedhjes së kuadrit për realizimin e kurrikulës me zgjedhje, janë të njëjta me procedurën dhe kriteret e përzgjedhjes së kuadrit të rregullt mësimor.
Neni 11
Aprovimi
1. Komisioni përgatit dosjen për procesin e organizimit të kurrikulës me zgjedhje. Dosja përmban:
1.1. Listën e lëndëve të përzgjedhura për secilën klasë;
1.2. Programet e hartuara dhe planifikimet vjetore për lëndët e përzgjedhura;
1.3. Raportin për procesin e përzgjedhjes, bashkë me dëshmitë e nevojshme, të cilat përfshijnë: procesverbalet e takimeve të këshillave të klasave me listat e propozuara, formularët e deklarimit, deklarimet e prindërve, respektivisht nxënësve.
2. Drejtori i shkollës i prezanton KDSH-së lëndët e përzgjedhura për miratim.
3. Lista e lëndëve të miratuara nga KDSH, bashkë me programet e hartuara dhe planifikimet vjetore për lëndët e përzgjedhura, dorëzohet në DKA.
4. Pas verifikimit, DKA aprovon listën përfundimtare të lëndëve zgjedhore në secilën shkollë për realizim në vitin e ardhshëm shkollor:
4.1. Aprovimin e bën komisioni ad-hoc i DKA-së për kurrikulën me zgjedhje;
4.2. Komisioni i DKA për kurrikulën me zgjedhje përbëhet nga dy zyrtarë të arsimit, një drejtor shkolle, një mësimdhënës dhe një përfaqësues i Këshillit të Prindërve të Komunës.
Neni 12
Planifikimi, realizimi dhe vlerësimi
1. Pas aprovimit. lëndët me zgjedhje marrin statusin e barabartë sikur të gjitha lëndët tjera.
2. Lëndët me zgjedhje planifikohen, realizohen dhe vlerësohen si çdo lëndë tjetër në kuadër të kurrikulës bërthamë.
Neni 13
Afatet e organizimit të kurrikulës me zgjedhje
1. Këshillat e klasave propozojnë lëndët me zgjedhje deri në fund të muajit prill të vitit paraprak shkollor.
2. Komisioni përgatit formularët e deklarimit deri në fund të muajit maj të vitit paraprak shkollor.
3. Deklarimi i prindërve, respektivisht nxënësve për lëndët me zgjedhje bëhet në muajin qershor, para përfundimit të vitit paraprak shkollor. Nxënësit të cilët kanë përfunduar klasën e IX, deklarohen me rastin e regjistrimit në shkollat e mesme të larta.
4. Komisioni përgatit listën e lëndëve të përzgjedhura për çdo klasë, në qershor të vitit paraprak shkollor.
5. Mësimdhënësit e përzgjedhur për realizimin e lëndëve me zgjedhje. në bashkëpunim me aktivet profesionale, hartojnë programet e lëndëve me zgjedhje dhe përgatisin planin vjetor, në korrik të vitit paraprak shkollor.
6. KDSH miraton listën e lëndëve me zgjedhje, programet dhe planet vjetore të lëndëve me zgjedhje, në korrik të vitit paraprak shkollor.
7. Shkolla dorëzon në DKA listën përfundimtare të lëndëve me zgjedhje për çdo klasë, në korrik të vitit paraprak shkollor.
8. DKA aprovon listën e miratuar të lëndëve dhe moduleve zgjedhore dhe të personelit mësimdhënës në gusht të vitit paraprak shkollor, së paku një javë para fillimit të viti të ri shkollor.
9. DKA kthen listën përfundimtare të lëndëve zgjedhore në secilën shkollë në gusht të vitit paraprak shkollor.
10. Lëndët e njëjta për klasë të njëjta, të përzgjedhura vite më herët, që kanë kaluar të gjitha procedurat e përzgjedhjes sipas përcaktimeve me këtë UA, nëse me deklarime të nxënësve/prindërve marrin miratim dhe shkolla ka kuadrin mësimor adekuat, atëherë:
10.1. Nuk ka nevojë të kalojnë në procedura të reja të miratimit nga KDSH dhe DKA;
10.2. KDSH dhe DKA vetëm informohen nga drejtori i shkollës;
10.3. Mësimdhënësit e përzgjedhur për realizimin e lëndëve me zgjedhje, në bashkëpunim me aktivet profesionale, përgatisin rishikojnë vetëm planin vjetor, në korrik të vitit paraprak shkollor.
Neni 14
Zbatimi dhe mbikëqyrja
1. Ky Udhëzim administrativ duhet të zbatohet nga MASHTI dhe nga të gjitha institucionet e arsimit dhe aftësimit parauniversitar (nivelet arsimore 1,2 dhe 3).
2. Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij Udhëzimi administrativ e bën Inspektorati i arsimit.
Neni 15
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, shfuqizohet Udhëzimi Administrativ 32/2013, Organizimi i kurrikulës me zgjedhje ne te gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn ne fuqi shtatë (7) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare.