UDHËZIM ADMINISTRATIV I (MASHT) NR 06/2014 KODI I MIRËSJELLJES DHE MASAT DISIPLINORE PËR NXËNËS TË SHKOLLAVE TË MESME TË LARTA
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,
Në bazë të nenit 22 të Ligjit të Arsimit Parauniversitar nr. 04/L-032 dt. 29 gusht 2011, nenit 31 të Ligjit për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, Ligji nr. 04/L-138, Gazeta zyrtare nr. 7/26 mars 2013 si dhe duke u bazuar në nenin 8, paragrafin 1.4 dhe shtojcën 6 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive (22.03.2011), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV
Kodi i mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta
NUMËR: 06/2014 DATË: 28.01.2014
Neni 1
Qëllimi
Ky Udhëzim administrativ ka për qëllim të përcaktojë të drejtat, obligimet. veprimet e ndaluara, vijueshmërinë në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimin e tyre ndaj nxënësve të cilët i
shkelin rregullat e kodit të mirësjelljes.
Neni 2
Obligimet e nxënësit
1. Për të krijuar atmosferë pune për zhvillim të procesit mësimor përcaktohen këto obligime për nxënësin:
2. Të vijojë mësimin sipas orarit të përcaktuar nga institucionet arsimore dhe të aftësimit (IAA).
3. Të respektojë Kodin e mirësjelljes, rregullat e IAA dhe rregullat tjera që e rregullojnë këtë fushë.
4. Të respektojë integritetin e personalitetit të secilit anëtar të personelit të institucionit edukativo-arsimor dhe aftësues (IAA).
5. Të jetë i përgatitur për mësim dhe praktikë profesionale.
6. Nxënësi obligohet të shkoj në shkollë me çantë, fletore dhe libra.
7. Ta ruaj inventarin dhe pasurinë e IAA.
8. Të ketë kujdes për higjienën dhe
mjedisin e IAA.
9. T’i arsyetojë mungesat në kohën e duhur.
10. Ta mbaj uniformën e shkollës gjatë procesit mësimor dhe praktikës profesionale, nëse shkolla e ka përcaktuar që nxënësi të ketë uniformë.
11. Nxënësi pas mbarimit të mësimit, mund të jetë i pranishëm në shkollë vetëm në aktivitete të organizuara nga përgjegjësit e IAA.
Neni 3
Veprimet e ndaluara
1. Nxënësit i ndalohet:
1.1. Mungesa e paarsyeshme nga Institucioni edukativo-arsimor dhe aftësues(IAA);
1.2. Mbajtja e armëve të ftohta dhe të zjarrta si dhe mjeteve të tjera që e rrezikojnë jetën e nxënësve dhe personelit në IAA;
1.3. Veprimet e dhunshme si kërcënimi, konflikti, vandalizmi, mosrespektimi, fyerja ndaj nxënësve dhe personelit
në IAA dhe jashtë tyre;
1.4. Bartja dhe konsumimi i drogës, duhanit dhe alkoolit në IAA;
1.5. Hyrja me vonesë në orë mësimi ose praktikë profesionale;
1.6. Prishja e rendit dhe e qetësisë në IAA;
1.7. Lëshimi i orës së mësimit apo të Praktikës profesionale pa lejen e mësimdhënësit. punëdhënësit;
1.8. Përdorimi i telefonit celular në IAA;
1.9. Bartja dhe përdorimi i ditarit të klasës;
1.10. Falsifikimi i dokumentacionit të IAA;
1.11. Kopjimi gjatë punës me shkrim;
1.12. Dëmtimi i inventarit dhe i mjeteve të punës;
1.13. Bartja e uniformës fetare;
1.14. Veshjet ekstravagante dhe grim i tepruar.
Neni 4
Vijueshmëria në mësim dhe praktikë profesionale dhe masat disiplinore
1. Nxënësi i cili mungon pa arsye 15 orë mësimi, i thyhet nota e sjelljes në 3.
2. Nxënësi i cili mungon pa arsye 25 orë mësimi, i thyhet nota e sjelljes në 1.
3. Nxënësi i cili mungon pa arsye më shumë se 32 orë mësimi, pezullohet përkohësisht një deri në tre muaj nga procesi mësimor dhe transferohet në shkollë tjetër më të afert të komunës fqinje me program të njëjtë për vijim të procesit mësimor.
Neni 5
Masat edukativo-disiplinore
1. Ndaj nxënësit mund të merren këto masa disiplinore:
1.1. Vërejtje me gojë;
1.2. Vërejtje me shkrim;
1.3. Pezullim i përkohshëm nga garat, ekskursionet, vizitat, shëtitjet;
1.4. Pezullim i përkohshëm nga shkolla deri në 3 ditë;
1.5. Pezullim i përkohshëm prej 1 deri në 3 muaj.
Neni 6
Vërejtjet
Vërejtja i shqiptohet nxënësit i cili bën shkelje të lehta të rregullave të shkollës, kompetent për shqiptimin e kësaj mase është kujdestari i klasës.
Neni 7
Vërejtje me shkrim
Vërejtje me shkrim i shqiptohet nxënësit i cili i përsërit shkeljet e rregullave të shkollës. Këtë masë disiplinore e shqipton drejtori i shkollës me propozimin e kujdestarit të klasës.
Neni 8
Masa pezullim i përkohshëm nga aktivitetet jashtëshkollore
1. Pezullim i përkohshëm nga aktivitetet jashtëshkollore si garat, ekskursionet, vizitat, shëtitjet, i shqiptohet nxënësit i cili me sjelljet e tij pengon aktivitetet jashtëshkollore.
2. Pezullimin nga aktivitetet jashtëshkollore me propozim të organizuesit të garës, e shqipton kujdestari i klasës.
Neni 9
Masa pezullim nga shkolla
1. Pezullim nga shkolla deri në 3 (tri) ditë, i shqiptohet nxënësit i cili nuk përmirësohet edhe pas shqiptimit të vërejtjeve paraprake.
2. Masën e shqipton drejtori i shkollës me propozim të kujdestarit të klasës.
Neni 10
Pezullim nga shkolla nga 1 (një) deri në 3 (tre) muaj
1. Pezullim për 1 (një) muaj, i shqiptohet nxënësit i cili nuk përmirësohet edhe pas shqiptimit të masave paraprake.
2. Pezullim prej 1 (një) deri në 3 (tre) muaj i shqiptohet nxënësit :
2.1. Që bën sjellje të dhunshme apo agresive e cila nuk lejon vazhdimin e procesit edukativo-arsimor dhe aftësues të nxënësve tjerë;
2.2. Që mungon mbi 32 orë mësim pa arsye nga mësimi;
2.3. Moszbatimi i vendimeve të organeve të shkollës si dhe rastet e tjera që parashihen me Rregullore të shkollës.
3. Këto masa i shqipton drejtori i shkollës me propozim të kujdestarit të klasës dhe pas njoftimit të këshillit të shkollës.
Neni 11
Procedura për zbatimin e masave
1. Iniciativën për të gjitha masat, e merr kujdestari i klasës ose udhëheqësi i aktivitetit jashtëshkollor.
2. Për të gjitha masat e marra duhet të njoftohet prindi dhe të merren informatat kthyese se prindi është në dijeni.
3. Njoftohet edhe nxënësi.
4. Të gjitha masat duhet të shënohen në ditar dhe në procesverbal.
5. Masat e shqiptuara me shkrim publikohen në tabelet për shpallje.
Neni 12
Mësimi alternativ
1. Drejtori i shkollës obligohet që ta njoftoj DKA për shqiptimin e masës sipas nenit 10 të këtij UA dhe të kërkojë sigurimin e mësimit alternativ.
3. DKA është e obliguar që për nxënësit e pezulluar të sigurojë mësim alternativ.
Neni 13
Obligimet e shkollës për hartimin e rregulloreve
Obligohen shkollat që të hartojnë rregullore për kodin e mirësjelljes dhe masave disiplinore të shkollave të mesme të larta.
Neni 14
E drejta në ankesë
1. Shkalla e parë- këshilli i shkollës.
2. Shkalla e dytë- DKA
3. Pala e pakënaqur me masat e shqiptuara ka të drejtën e ankesës në afat prej 3 ditësh pas marrjes së vendimit.
4. Organi kompetent, ankesën e shqyrton në afat prej 3 ditësh nga dita e pranimit të ankesës.
5. Ankesa kundër masës disiplinore të shqiptuar i bëhet organit kompetent të shkallës së dytë (DKA).
6. Ankesa e pezullon zbatimin e vendimit deri në vendimin e shkallës së dytë në përjashtim kur rrezikohet siguria e nxënësve.
Neni 15
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij UA, shfuqizohet UA. nr. 6/2010 i dt. 11.5.2010.
Neni 16
Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas nënshkrimit nga ana e Ministrit.
Prof. dr. Ramë Buja, ministër