Trendi i kopjimit
Shembulli suedez dhe realiteti ynë
Po vërejmë shpesh, dhe me siguri do të shohim edhe më shumë në vijim, në këtë grup por edhe në grupe të tjera, postime, me gjasë nga mësimdhënës të rinj që për herë të parë i nënshtrohen ndonjë testi për t’u punësuar në arsim, të cilat pyesin: “Çfarë pyetjesh ka filan testi?” ose “Çfarë pyetjesh bien në filan komunë?”. Që kjo formë nuk është e hijshme, e pranojnë edhe vetë këta që postojnë, sepse fshihen pas anonimitetit, postojnë si “Anonymous”.
Por si mund të kërkojmë ndershmëri nga nxënësit, kur vetë nuk jemi të gatshëm të përballemi me një test pa ndihmë? E vërteta është se në sistemin tonë arsimor është krijuar një lloj “ndërvarësie” aspak e mirë midis mësimdhënësve dhe nxënësve kur bëhet fjalë për kopjimin. Nxënësit janë gjithnjë e më të etur për të kopjuar, në testet shkollore dhe sidomos në ato kombëtare. Por a janë vetëm ata fajtorë? Shpesh mësimdhënësit u krijojnë hapësira, mbyllin sytë, madje edhe vetë i drejtohen rrugëve të ngjashme, duke kërkuar paraprakisht pyetjet e testit ose duke shkëmbyer informata si të ishin vetë nxënës në kërkim të ndihmës.
Të them të drejtën, as unë nuk jam i amnistuar në këtë proces. Mirëpo vjen një kohë kur duhet reflektuar.
Më ka rastisur të dëgjoj një shembull shumë domethënës, një grup punëtorësh nga Aeroporti i Prishtinës kishin ndjekur një kurs në Suedi bashkë me kolegë suedezë. Në fund të kursit, si zakonisht, u mbajt një test. Suedezët hynë të parët. Kur dolën, punëtorët tanë i pyetën menjëherë: “Çfarë ishin pyetjet e testit?”, dhe mjaftonte t’ua shikoje fytyrat e habitura, sepse ata nuk e kuptonin pyetjen. Ata nuk e dinin çfarë ishte kopjimi.
Ky shembull flet vetë. Kur kultura e kopjimit mungon,merreni me mend as pyetja për pyetjet nuk ekziston te suedezët!
Nëse duam të ndryshojmë diçka te nxënësit, pse të mos nisemi nga vetja” Integriteti nuk mësohet me fjalë, ai jepet me shembull”.
Fehmi Kryeziu
Mësimdhënës!