Kur të vijnë në botë, fëmijët nuk dinë asgjë për vlerat ose parimet. Ata nuk dinë të dallojnë të mirën nga e keqja. E as nuk e dinë çka është e pranueshme në shoqëri e çka nuk është. Këtë e mësojnë nga të tjerët.
Tregimet janë metoda ideale për t’i mbjellë të gjitha llojet e vlerave dhe etikës superiore. Kjo është alternativa më e mirë për predikimin direkt dhe qortimin. Të marrim për shembull ndershmërinë. Kjo është një cilësi superiore, njëra nga virtytet kryesore. Ka shumë tregime për të mbështetur këtë virtyt dhe për të theksuar ëmbëlsinë e kësaj cilësie. Kemi një tregim për një grua, e cila jetonte me bashkëshortin në Mekë.
Ajo njëherë i tha: “Bashkëshort i dashur, shiko se kemi mbetur pa ushqim dhe pa veshmbathje. Shko në treg dhe shiko nëse mund të gjesh punë.” Njeriu shkoi, kërkoi dhe kërkoi, mirëpo nuk gjeti punë. I lodhur, ai shkoi në Qabe, fali dy reqate dhe iu lut Allahut ta nxirrte nga kjo vështirësi. Pastaj doli nga xhamia dhe brenda oborrit të saj gjeti një çantë në rrugë. Kur e mori çantën dhe e hapi, në të i gjeti një mijë dinarë të arit. Ai u kthye në shtëpi me nxitim dhe i tregoi bashkëshortes.
Ajo i tha: “Duhet të shkosh në xhami ta kërkosh pronarin e parave, sepse ato nuk janë të lejuara për ne.” Kështu njeriu u kthye në vendin ku i kishte gjetur paratë dhe shpejt e dëgjoi një person duke thënë: “Kush e ka parë një çantë me një mijë dinarë?” Njeriu i varfër u gëzua dhe i tha: “Po. Unë e kam çantën që e përmende. E gjeta në oborrin e xhamisë.” Pronari i parave e shikoi për një kohë njeriun e varfër dhe i tha: “Në rregull. Mbaji një mijë dinarë dhe merri nëntë mijë të tjera. Të gjitha janë tuat.” Njeriu i varfër, i cili po çmendej nga gëzimi, i tha: “Çka nënkupton me këtë? Pse m’i jep të gjitha këto para?”
Njeriu i tha: “E kam takuar një njeri në Siri, i cili m’i ka dhënë dhjetë mijë dinarë të arit dhe më ka thënë: “Lëri një mijë dinarë në një çantë në Qabe dhe pastaj kur dikush t’i gjejë dhe t’i marrë, shpalle se të kanë humbur. Nëse ai i kthen, jepja nëntë mijë të tjera, sepse ky është shpërblimi për ndershmërinë.”
Pasi nëna t’ua rrëfej fëmijëve këtë tregim, ajo mund të fillojë një bisedë me ta, për të nxjerrë mësimet nga tregimi. Një fëmijë dymbëdhjetë vjeçar mund t’i nxjerrë këto mësime nga këndvështrimi islam dhe etika:
Allahut të plotfuqishëm duhet t’i kthehemi në çdo kohë të vështirë.
Shpesh ndodh që gruaja kujdeset që familja të mos marrë gjëra të ndaluara nën pronësi të saj.
– Në tregimin e mësipërm shohim se si burri dhe gruaja vendosën të mos përvetësonin paratë që i gjeti burri.
Në tregim shihet besnikëria e njeriut, të cilit një i huaj ia kishte besuar një shumë të madhe parash.
Natyrisht se shembulli i mësipërm është vetëm një, në mesin e shumë tregimeve që mund të përdoren për të mbjellë vlera superiore në mendjen e fëmijëve. Vlera si besnikëria, ndershmëria, mëshira, bujaria, falja, të jetuarit i pavarur nga të tjerët, serioziteti dhe mirësia, të mbështeturit në Allahun, dashuria ndaj Tij dhe të kërkuarit ndihmë nga Allahut.