Trajtimi i urinimit në shtrat
1. Shmangia e masave ekstreme. Ekstremizmi është një gabim në çdo çështje. Sa i përket problemit në fjalë, shohim se disa familje nuk e marrin problemin mjaft seriozisht. Ata besojnë se ai do të shërohet me kalimin e kohës. Kjo nuk është plotësisht e gabuar, mirëpo nëse problemi vazhdon, për shembull deri në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, morali i fëmijës do të pësojë shumë. Ideja këtu është që problemi mund të mos shkojë derisa të ketë lënë gjurmë të thella dhe shqetësuese, të cilat mund të mbijetojnë gjatë tërë jetës së individit.
Disa familje të tjera gjithashtu janë të prira për zgjidhje ekstreme, mirëpo në kahen e kundërt.
“Ato e ndëshkojnë fëmijën duke e rrahur ose përbuzur ose duke i bërë ndëshkime të tjera të cilat e çojnë në dëshpërim dhe frustrim dhe ia humbin disponimin dhe ia zbehin lumturinë. Këta njerëz nuk e dinë se në vend që t’i ndihmojnë fëmijës të dalë nga ky problem, ata ia shtojnë atë. Familjet duhet të përdorin gjuhë pozitive dhe inkurajuese për t’i ndihmuar fëmijës të kapërcejë këtë problem në kooperim me të. Ndëshkimi nganjëherë është i mirë, por ai duhet të marrë formën e privimit të fëmijës nga disa gjëra që i pëlqejnë. Mesazhi që familja duhet t’ia përcjell fëmijës është se ata e kanë marrë seriozisht problemin, mirëpo pa shfaqur shqetësim dhe mosbesim, sepse shqetësimi dhe mosbesimi i prindërve do ta komplekësojë fëmijën. Kjo do t’i përkeqësojë punët në vend që ta zgjidh problemin.
2. Shmang dhënien e pijeve para gjumi. Është me rëndësi që fëmija të mos pijë lëngje për së paku tri orë para gjumit, sidomos lëngje si kafja, qaji dhe lëngje të gazuara.
3. Ndodh që fëmija të braktisë urinimin për një kohë dhe pastaj t’i kthehet përsëri. Është detyrë e jona në këtë rast të ekzaminojmë situatën dhe të gjejmë shkakun mbrapa këtij problemi. Ka shumë gjasë që një ngjarje specifike të ketë ndezur një shkallë të lartë të shqetësimit, frikës dhe nervozes, si për shembull mungesa e njërit prind për një kohë të gjatë, grindja midis prindërve, ose ardhja e një foshnje të re në familje, të cilës familja ia kushton tërë vëmendjen dhe i harron fëmijët e tjerë. Duke gjetur shkakun, ne do të jemi më afër trajtimit të problemit Mund të jetë shumë e dobishme që nëna të kalojë dhjetë minuta ose më tepër me fëmijën dhe të bisedojë me të para gjumit me një tonë sigurues dhe të këndshëm, duke zgjedhur tema të këndshme. Kjo mund të jetë shumë efektive në largimin e problemit të urinimit.
4. Tualeti të jetë afër dhomës së fëmijës. Nëse tualeti është larg dhomës së fëmijës, ka gjasë që fëmija të frikësohet të shkojë natën në të. Është shumë e njohur se fëmijët frikësohen të ecin natën. Është e pëlqyeshme që një dritë e vogël të jetë e ndezur në dhomën e fëmijës dhe në korridorin që shpie deri në tualet.
5. Kapsllëku. Prindërit duhet të kontrollojnë nëse fëmija vuan nga kapsllëku, sepse kapsllëku i bën presion fshikëzës urinare, kështu fëmija duhet ta zbrazë atë më shpesh.
6. Të mësohet fëmija të zgjohet natën. Nëna duhet të përpiqet ta zgjojë fëmijën natën. Do të ishte ide e mirë të zgjohet dy orë pas gjumit për të shkuar në tualet dhe gjithashtu është e mirë të zgjohet tri orë pas zgjimit të parë. Ky plan duhet të jetë i përkohshëm, derisa ai të fitojë shprehin të zgjohet vetë. Më vonë kur fëmija është më i pjekur, lëre të vejë alarmin për t’u zgjuar në kohën e përshtatshme.
7. Shpërblimi dhe ndëshkimi. Është me rëndësi të dimë si të përdorim shpërblimin dhe ndëshkimin për të bërë që fëmija të heqë dorë nga shprehitë e këqija. Është mirë që nëna ti japë një plus fëmijës për çdo natë që kalon pa urinuar. Nëse kalojnë dy javë pa urinuar, atëherë ajo i jep njëzet pluse. Pasi të shtohen pluset, atij do t’i jepet një shpërblim i përshtatshëm. Ndëshkimi gjithashtu mund të përdoret. Një fëmijë nëntë vjeçar mund të ndëshkohet duke e urdhëruar t’i dërgojë rrobat e urinuara te makina e larjes, ose t’i laj vetë. Po ashtu, ai mund të privohet nga një pjesë e parave të xhepit, ose mund të privohet nga dalja me shokë.
8. Konsultimi i një specialisti. Më lartë e përmendëm se disa shkaqe të urinimit mund të jenë fizike. Për rrjedhim duhet të konsultohet një mjek për këtë, sidomos nëse metodat e përmendura dështojnë.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”
Përfundim i publikimit të librit
Jam përpjekur të sjell para lexuesit problemet më mbizotëruese në jetët e fëmijëve, të cilat janë burimi shqetësimit për prindërit dhe për tërë familjen. Le t’ia kujtojmë vetes disa nga pikat kryesore të diagnos- tifikimit të problemeve dhe trajtimit të tyre:
1. Nuk ka asnjë problem që vjen vetëm nga një shkak. Kur problemi është i madh dhe kur është i përhapur do të gjeni shumë faktorë që e kanë shkaktuar. Në të njëjtën mënyrë, problemi nuk mund të zgjidhet vetëm nga një sugjerim ose qasje.
Meqenëse shkaqet dhe zgjedhjet janë komplekse dhe të ndryshme, ne duhet të përpiqemi të kemi më tepër se një qasje në zgjidhjen e tyre.
2. Kur t’i shikojmë shkaqet e problemeve që i kemi diskutuar do të gjejmë se shumica prej tyre nuk shkaktohen nga faktorë psikologjikë ose gjenetik. Ato janë rezultat i socializmit dhe kulturës. Marrja me problemet që lidhen me kulturë është shumë më e lehtë sesa me probleme që janë trashëguar, nëpërmjet gjeneve.
3. Një fjalë e urtë thotë: “Parandalimi është më i mirë se kurimi”. Kjo është më se e vërtetë për problemet me fëmijët. Prandaj, mund të themi me bindje se përpjekja kryesore duhet të drejtohet në sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm familjar. Një atmosferë e shëndetshme familjare, do t’i shpëtojë fëmijët tanë nga shumica e problemeve të cilat i vuajnë fëmijët dhe do t’i ndihmojë fëmijët në largimin e shumicës së problemeve që ndodhin për çfarëdo arsye.