Fëmijët i dëgjojnë shpesh këto shprehje nga burime të ndryshme, por ata nuk ndikohen aq shumë nga të gjitha burimet, sa ndikohen kur i dëgjojnë ato nga prindërit e tyre, pasi ata janë burimi parësor që ka ndikim në jetën e tyre. Ata janë gjithashtu burimi i parë dhe kryesor për formimin e personalitetit të tij. Shumë nga njerëzit e mëdhenj dhe të rëndësishëm të kësaj bote, shpikës dhe eksploratorë të famshëm, i kanë dëgjuar këto fjalë nga mësuesit dhe shokët e tyre të shkollës, por nga prindërit e tyre kanë dëgjuar vetëm fjalë motivuese, të cilat i kanë nxitur dhe i kanë bërë që të besojnë në vetvete dhe në aftësitë e tyre, prandaj nuk u kanë kushtuar rëndësi fjalëve të shokëve dhe njerëzve të tjerë.
Ata e kanë vazhduar rrugën e tyre, duke i gdhendur emrat e tyre me shkronja prej ari në memorien e historisë, mes radhëve të yjeve që shkëlqyen më shumë në këtë jetë. Njëri nga këta është edhe dijetari i madh Majkëll Faradej, kimisti dhe fizikani anglez, i cili e kishte braktisur shkollën për shkak të trajtimit të ashpër që i bënte mësuesja e tij, e cila e rrihte dhe tallej vazhdimisht me të, sepse ai ishte thuthuq dhe nuk e shqiptonte dot shkronjën “R”. Për këtë arsye, ai vendosi që t’i braktiste studimet, por nëna e tij kishte një mendim tjetër. Ajo u kujdes për të dhe ia përgatiti të gjitha kushtet. Me këtë nxitje që i dha atij, ai u bë një nga dijetarët më të mëdhenj të botës. Ai zbuloi benzinën, tretjen e klorit, analizën elektrike, ligjet e elektricitetit e shumë e shumë shpikje të tjera.
Po kështu ka ndodhur edhe me shkencëtarin e madh Tomas Edison, shpikësin e elektricitetit dhe shu- më shpikjeve të tjera. Mësuesit e tij e thërrisnin në shkollë nënën e tij dhe i thoshin: “Ai është shumë kokëfortë”, si dhe e këshillonin atë që ta çonte djalin e saj për të mësuar ndonjë zanat ose profesion tjetër, ndërsa nxënësit e tjerë e quanin atë “i shastisur” ose “budalla”, përderisa drejtori i shkollës e quante atë “veza e prishur”. Por, nëna e tij Nensi, nuk ua vuri veshin këtyre mesazheve negative, sepse ajo kishte pikasur tek djali i saj gjenialitetin e tij premtues, i cili ishte shfaqur tek veprimet dhe pyetjet e tij.
Ndryshe nga mësuesit e tij, ajo mendonte se djali i saj ishte i veçantë, prandaj vendosi që t’i jepte mësim vetë, pasi ishte mësuese fëmijësh, derisa e ktheu atë në një yll të vërtetë dhe në një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij.
Edison thoshte për nënën e tij: “Që në moshë të vogël e kuptova, se nëna është absolutisht krijesa më e mirë. Nëna ime më ka mbrojtur me gjithë forcën e saj, kur mësuesi im më quajti “I prishur”. Në këtë moment vendosa që të bëhem i aftë, për ta merituar besimin që ajo kishte tek unë. Ajo ishte shumë e sinqertë dhe kishte shumë besim tek unë. Po të mos kishte qenë besimi i saj tek unë, nuk do të isha bërë kurrë shpikës”. (Marrë nga libri “Pjesë nga jeta e dijetarëve”).
Shprehje të tilla si: “Ti je budalla”, “Nuk ka asnjë dobi prej teje”, “Vëllai yt është më i mirë se ti”, “Ti nuk vlen për asgjë”, si dhe shumë shprehje të tjera demora- lizuese si këto, janë nga më të rëndat dhe më të ash- prat, që mund t’i dëgjojnë fëmijët nga prindërit e tyre. Ato kanë ndikim të madh në mbytjen dhe pengimin e ambicieve të fëmijëve, si dhe në fshirjen e shenjave treguese tek këta fëmijë, që mund të ishin bërë yje në të ardhmen.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Abdulhamid Bilali, ”Si ta bësh fëmijën tënd yll”