Kur dikush blen një pajisje moderne me të cilën nuk është i njohur, ai sigurisht nuk do ta përdorë pa e lexuar udhëzuesin për përdorimin e Tij. Prodhuesit shpesh paralajmërojnë që të mos përdoren prodhimet e tyre pa i lexuar udhëzimet se si përdoren. Shumë blerës kanë prishur pajisjet që i kanë blerë për shkak të gabimeve që i kanë bërë nga padituria.
Fëmija është më kompleks se çfarëdo mjeti modern. Edukimi i mirëfilltë i fëmijës kërkon një kombinim të diturisë, përvojës dhe shkathtësive. Megjithatë, njerëzit nuk e pranojnë këtë dhe kjo është arsyeja që disa njerëz kanë guximin t’i lindin shtatë fëmijë, pa lexuar ndonjë- herë edhe një pamflet të vetme, ose pa dëgjuar një ligjëratë ose konsultuar një specialist për edukimin e fëmijëve.
Ne tashmë po e paguajmë çmimin e kësaj çmendurie. Sot kemi shumë të rinj problematikë, ndërsa shumë të tjerë kanë dështuar në shkollimin e tyre dhe në jetën praktike. Megjithatë, ajo që e shohim sot të ngjallë shpresë. Shumë prindër kanë filluar të vetëdijesohen për nevojën e një edukimi të mirëfilltë dhe të specializuar.
Do të vazhdojë duke nxjerr në pah shpjegimet vijuese lidhur me këtë temë:
1. Me termin ”Njohuritë për edukimin e fëmijës” nënkuptoj kombinimin e të gjitha informatave dhe shkathtësive të kërkuara për krijimin e një mjedisi të favorshëm në trajtimin e të rinjve, edukimin e tyre, mbjelljen e sjelljeve të mira si dhe trajtimin e problemeve dhe gabimeve që lidhen me ta. Kjo gjithashtu do të thotë të kuptuarit e esencës së edukimit, të kuptuarit e varësisë së tij në ndërveprimin me të rinjtë dhe krijimin e një ndjenje të përkatësisë te ta.
Përveç kësaj, ne kemi nevojë t’i kuptojmë parimet, vlerat, sakrificat, ideologjitë dhe konceptin e përfshirë në këtë proces. Prandaj, ne nuk mund të arrijmë sukses kur të ballafaqohemi me sfidat e edukimit nëse nuk jemi të pajisur mirë. Arsyeja është se edukimi i fëmijës është një proces kompleks, i cili kërkon shumë dituri të dobishme, urtësi, baraspeshë emocionale, përvojë dhe informata praktike. Natyrisht se tërë kjo nuk rëndon në peshore, nëse nuk ia bashkëngjisim mirësinë dhe udhëzimin e Allahut, pa të cilin kurrë nuk bën të përpiqemi dhe duhet gjithnjë ta kërkojmë.
2. Edukimi i fëmijëve është edhe interesant, edhe i vështirë. Një pjesë e kësaj vështirësie vjen nga ndenja e barrës kur sakrifikojmë për ta arritur atë, përderisa një pjesë e saj vjen nga ndjenja e zhgën- jimit kur nuk mund të arrijmë rezultatin e dëshiruar në personalitetet ose karakterin e të rinjve tanë.
Është interesant të përmendim përshkrimin, që një hulumtues i bën pemës kineze të bambusë. Kur të mbillet fara e saj, ajo vazhdon të depërtojë në tokë me rrënjën e saj fijore për afër katër vjet dhe asgjë nuk shihet prej saj përveç një filizi të vogël nga baza e saj që është sikur sythi. Megjithatë, në vitin e pestë, ajo arrin një lartësi të mahnitshme prej tetëdhjetë shputave. Edukimi i fëmijës është i ngjashëm. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë edhe kur nuk shohim ndonjë rezultat ose ndryshim të dukshëm. Ato janë aty dhe papritmas e shfaqin veten. Për rrjedhim, duhet të mos dëshpë rohemi e as të humbim shpresën.
3. Shoqëritë tona po përjetojnë një transformim të shpejtë, duke kaluar prej mjediseve të thjeshta rurale që dikur kanë qenë në mjedise më të mëdha dhe më komplekse të shoqëruara nga ndryshime të mëdha, që kanë ndikuar direkt te të rinjtë.
Në mjediset e ngushta rurale, mbështetja e ndërsjellë në mes të popullatës është e madhe, duke iu falënderuar kontaktit më të shpeshtë në mes tyre. Për këtë arsye, interesimi i ndërsjellë i tyre për njëri-tjetrin në kohë të vështira është më i madh. Kjo e bën secilin anëtar të komunitetit të bartë një ndjenjë të përgjegjësisë për sjelljen e fëmijëve të tjerë përveç fëmijëve të tij, për shembull për fëmijët e shokëve, fqinjëve, ose të afërmve. Kjo është sikur i tërë komuniteti të jetë një entitet i vetëm sa i përket edukimit dhe mbështetjes së edukimit të fëmijëve.
Megjithatë, gjërat janë përkeqësuar me shtimin e individualizmit, pasi shumë prindër tani nuk pëlqejnë ndonjë formë të përzierjes në punët e fëmijëve të tyre. Po ashtu, sot shihet një tendencë e përgjithshme e njerëzve drejt egoizmit dhe marrjes vetëm me punët e familjes shumë të ngushtë, ndërkaq më herët njerëzit qëndronin më shumë bashkë dhe ishin më tepër të interesuar për njëri-tjetrin. Kjo ka bërë që njerëzit gradualisht të tërhiqen drejt izolimit. Për këtë arsye prindërit nuk duhet të presin shumë mbështetje nga komuniteti për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata duhet të bartin vetë barrën e edukimit të fëmijëve të tyre. Kjo gjithashtu nënkupton se çdo reformë në jetën tonë duhet të vijë prej brenda shtëpisë dhe jo prej jashtë.
Për rrjedhim, familja shembullore muslimane mbetet shpresa e fundit për ta shpëtuar shoqërinë me shembujt perfekt, edhe pse fatkeqësisht një familje e tillë nuk pritet të ketë mjaft bashkëpunim nga shoqëria në përgjithësi.
4. Rënia e çdo civilizimi vjen nga dekadenca e shoqërisë, e cila arrin në këtë gjendje për shkak të kolapsit të familjes. Edhe pse ka arsye të ndryshme për kolapsin e familjes, ne duhet të përqen- drohemi në më të rëndësishmet prej tyre, të cilat janë dobësimi i besimit në fe dhe largimi i tij nga zemrat e njerëzve. Pastaj si faktor tjetër mund të përmendet dobësimi i kujdestarit në raport me përgjegjësinë e tij ndaj të rinjve. Përveç kësaj mund të përmendim edhe dhënien e të rinjve pas kënaqësive trupore dhe gjërave të tjera dhe mosveprimi ose veprimi i dobët i prindërve për t’i mbrojtur ata.
Në dritën e kësaj, përpjekjet për reformimin e familjes do të jenë kontribut për mbijetesën e shoqërisë në përgjithësi, do ta mbrojë Umetin (kombin islam) tonë dhe do të ndalë dobësimin e besimit.
5. Është e rëndësishme të përmendim se sfidat me të cilat prindërit ballafaqohen janë të llojeve të ndryshme. Disa fëmijë u ndihmojnë shumë prindërve të tyre në udhëzimin e vëllezërve dhe motrave më të vegjël. Ata janë dhuratë e veçantë nga Allahu. Fëmijët e tillë janë të begatuar me edukatë, inteligjencë, zell dhe bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, përderisa ka fëmijë të tjerë, të cilët e prishin qetësinë dhe rehatinë e familjes për një dekadë ose më shumë. Për këtë arsye, ne duhet t’i lutemi Allahut për fëmijët tanë pa pushuar. Në anën tjetër, ne duhet t’i shohim fëmijët më kryeneç në mesin e fëmijëve tanë më tepër si një sfidë dhe një çelës në edukimin e fëmijëve. Kjo duhet të na inkurajojë të lexojmë tërë atë që kemi mundësi për të mësuar mënyrat si t’i qasemi një situate të tillë, sikurse do të vepronim nëse te fëmijët tanë do të shfaqej ndonjë sëmundje fizike ose mendore. Ne nuk duhet vetëm të ankohemi dhe ta pranojmë dështimin. Reagimi ynë ndaj situatave të vështira është test për ne dhe nuk duhet të dështojmë.
Të supozojmë se një familje ka një djalë përtac, i cili urren të shkojë në shkollë. Ata duhet të mësojnë tërë atë që munden për t’u informuar se çka duhet të veprojnë në një situatë të tillë, pastaj të marrin një qëndrim të prerë dhe të unifikuar ndaj dëshirës së tij për t’u tërhequr nga shkolla. Një qëndrim i tillë duhet të merret pasi të këshillohemi me një ekspert dhe të shterim çdo formë të inkurajimit të tij për të shkuar në shkollë. Prandaj pas çdo vështirësie që hasim duhet të pasurohemi me njohuri të reja për edukimin e fëmijëve dhe të forcojmë vendosmërinë për të vazhduar me udhëzimet tona. Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë.
6. Njohuritë për edukimin e fëmijëve nuk janë të domosdoshme vetëm për prindërit, mirëpo për tërë anëtarët e familjes, sepse vetëm prindërit nuk mund të bartin tërë përgjegjësinë. Nëse keni fëmijë të tri gjeneratave, për shembull para-tinejxher, tinejxher dhe të rritur dhe gjithashtu keni fëmijë parashkollorë, atëherë është e pritur që të gjithë ata të kooperojnë për mbjelljen e edukatës islame dhe moralit në familje. Në të njëjtën mënyrë, çdo anëtar i një familje ka përgjegjësi në përmirësimin e gabimeve.
Ajo që ne dëshirojmë është të shndërrojmë dobësinë te fëmijët tanë në mundësi për të treguar pasurinë e familjes në trajnim dhe edukim të fëmijëve. Për shembull, një vajzë në një familje ngel në një provim dhe fillon të qajë. Kjo ofron një mundësi që asaj t’i shfaqet simpatia, mëshira dhe butësia që i nevojitet për të kapërcyer këtë sprovë dhe për të arritur sukses në të ardhmen.
Ose imagjino kur dy djem harrojnë ndershmërinë dhe gjatë një fjalosje midis tyre përdorin fjalë vulgare. Edhe kjo ofron një mundësi për ta mësuar shkelësin se si të kërkojë falje dhe për ta mësuar partnerin e tij se si të falë me zemërgjerësi, pasi i është bërë e padrejtë. Ose kur kemi rastin e një djali në familje, i cili përgojon një person tjetër. Këtu paraqitet rasti që të mbrohet personi i përgojuar, të përmirësohet përgojuesi dhe t’i mësohet e keqja e veprës së tij. Në fakt, ne dëshirojmë që t’i shndërrojmë ato gabime, të cilat kanë potencial t’i destabilizojnë familjet injorante dhe të shkujdesura, në faktorë për forcimin e lidhjeve familjare. Kjo do të promovojë një shpirt të bashkuar dhe do të përmirësojë nivelin e vetëdijes në familje. Ne sigurisht se mund ta arrijmë këtë me mirësinë e Allahut.
7. Ndoshta njëri prej gabimeve më të mëdha që mund t’i bëjmë në familjet tona dhe në jetën publike është të besojmë se të tjerët mendojnë sikur ne, ose se pikëpamja ndaj gjërave nuk duhet të ndryshojë prej nesh. Ky është një gabim i madh dhe shumë i rëndomtë. Kur Allahu krijoi dallime në fytyrat tona, Ai gjithashtu krijoi dallim në personalitetet tona dhe në mënyrat e të menduarit. Ashtu siç ka përfitime të panumërta në dallimet në dukjen e fytyrës, mosngjashmëria në personalitete dhe formë të të menduarit sjell përfitime të mira.
Për këtë arsye, një metodë që mund të dalë e dobishme në qasje ndaj një fëmije, mund të mos jetë e tillë për një fëmijë tjetër. Atë që një fëmijë e pëlqen mund të jetë e urryer nga një tjetër, e kështu me radhë. Me këtë dëshirojmë vazhdimisht të pasurojmë përvojat në edukimin e fëmijëve, duke ndryshuar qasjen tonë me secilin fëmijë. Edhe pse e di se kjo është e vështirë dhe kërkon angazhim, ajo është e domosdoshme, ose përndryshe do të pësojmë shumë. Ne gjith- ashtu jemi në dijeni për shumë prindër, të cilët pyesin pse një metodë e caktuar ka sukses me disa fëmijë, por jo me të tjerët. Pyetja që duhet të bëhet është: Si do të funksiononte një metodë e caktuar për shumë fëmijë?
8. Kur t’i shqyrtojmë kërkesat për edukimin modern të fëmijëve, ne shpejt do të ndjejmë se prindërit janë të mbingarkuar me shumë kërkesa, ndoshta jashtë mundësive të tyre. Unë mendoj se kjo ndjenjë është e justifikueshme dhe është e vërtetë, prandaj trajnimi i fëmijëve kërkon punë serioze për shtatë ditë në javë dhe 24 orë në ditë.
Kjo i ngjan thyerjes së një shkëmbi. Mirëpo, përkundër natyrës së saj, dy gjëra nuk duhet t’i harrojmë. Së pari, përpjekjet për t’i mësuar fëmijët tanë shpërblehen nga Allahu. Ata kanë ardhur në këtë botë nëpërmjet neve dhe ne jemi ngarkuar me detyrën e udhëzimit të tyre në mirësi dhe në mbjelljen e dashurisë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij në zemrat e tyre. Prandaj presim që Allahu t’i regjistrojë ato si vepra të mira në regjistrat tona dhe të ngritë shkallët tona tek Ai me lutjet e tyre pas vdekjes sonë. Kur të materializohet kjo, do të jemi të kënaqur me shpërblimin që kemi fituar për trajnimin e fëmijëve. Së dyti, ajo që sot pritet që ne të sakrifikojmë për fëmijët tanë ka qenë e kërkuar më herët nga prindërit tanë për ne dhe do të jetë e pritur nga fëmijët tanë për fëmijët e tyre gjithashtu. Prandaj ky është një rast i marrjes dhe dhënies sikur një hua. Ne mund të arrijmë shumë nëpërmjet diturisë, përvojës, optimizmit, durimit dhe këmbënguljes, inshaAllah.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Edukimi i fëmijëve”
Prinderimi.com