Marihuana më e fortë e disponueshme për njerëzit sot do të thotë se adoleshentët që e pinë atë kanë 11 herë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të shëndetit mendor sesa ata që nuk e pinë, sipas hulumtimit të botuar në revistën Psychological Medicine.
“Lidhja midis kanabisit dhe çrregullimeve psikotike mund të jetë më e fortë se sa sugjeron hulumtimi i mëparshëm, i cili bazohej kryesisht në të dhëna më të vjetra kur kanabisi ishte më pak efektiv se sa është sot,” thanë studiuesit, duke paralajmëruar se adoleshentët janë veçanërisht të prekshëm ndaj efekteve të kanabisit.
Shkencëtarët shqyrtuan të dhënat e mëparshme mjekësore nga Universiteti i Torontos, Qendra për Varësinë dhe Shëndetin Mendor dhe ICES, i njohur më parë si Instituti për Shkencën e Vlerësimit Klinik.
Bëhet fjalë për të dhëna për 11 mijë adoleshentë nga Ontario, ku janë marrë në konsideratë edhe të dhënat për shtrimet e tyre, thirrjet në shërbimet e urgjencës dhe informacionet për vizitat ambulatore të mjekëve tek pacientët e vegjël.
Ata thonë se hulumtimi i tyre është i pari që tregon “një lidhje midis përdorimit të kanabisit tek adoleshentët dhe diagnozave të mëvonshme të çrregullimeve psikotike”.
“Ne gjetëm një lidhje shumë të fortë midis përdorimit të kanabisit dhe rrezikut të zhvillimit të çrregullimeve psikotike në adoleshencë. Ne u befasuam sepse nuk gjetëm prova të një lidhjeje të tillë midis njerëzve në moshën e rritur,” tha një nga pjesëmarrësit në studim, André McDonald.
Shkencëtarët supozojnë se truri i sotëm i adoleshentëve në zhvillim reagon shumë më keq ndaj kanabisit dukshëm më të fortë sesa disa dekada më parë.
“Forca mesatare e tetrahidrokanabinolit (THC), përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, është rritur nga afërsisht 1 për qind në 1980 në 20 për qind në 2018”, thanë studiuesit.