Nuk duhet të shqetësoheni kur fëmija juaj ju pyet se si lindin foshnjat. Ja se si mund t’i shpjegoni shtatzëninë dhe lindjen në mënyrë të përshtatshme për moshën e tij.
“Si lindin foshnjat?”, një pyetje me të cilën shumë prindër nuk ndihen plotësisht të përgatitur për t’u përballur – sidomos kur kjo pyetje bëhet nga fëmijët e vegjël.
Pyetja mund të vijë si rezultat i faktit që ju jeni shtatzënë me fëmijën e dytë (ose ju jeni burrë dhe gruaja juaj është shtatëzënë sërish), ose edhe sepse dikush nga të njohurit tuaj ka njoftuar për shtatzëninë apo lindjen e një foshnje.
Është krejt normale që një fëmijë të tregojë kuriozitet për këtë gjë sepse ndryshimet që i sheh, janë të dukshme për të gjithë (përkundër faktit se mbahen si diçka normale dhe për aq kohë sa munden, të fshehura). Nëse ndiheni të papërgatitur, mos ngurroni të merrni pak kohë për t’u përqendruar përpara se t’i përgjigjeni pyetjes.
Një përgjigje si: “Kjo është një pyetje e shkëlqyer!” mund t’ju japë pak kohë për t’u përgatitur.
Kur të ndiheni gati, përpiquni t’i përgjigjeni pyetjes së fëmijës tuaj thjesht, pa e bërë atë të duket ‘shumë e tejzgjatur’ apo komplekse si proces. Më poshtë janë disa këshilla të thjeshta se si mund ta shpjegoni shtatzëninë dhe lindjen në mënyrë të përshtatshme për moshën e fëmijës:
Si të shpjegoni prejardhjen e foshnjave?
Shpjegimi se si vijnë në jetë foshnjat mund të duket një detyrë e vështirë. Ja një udhëzues për t’ju ndihmuar ta bëni këtë bisedë, pavarësisht nga mosha e fëmijës suaj.
Filloni duke kuptuar çfarë di fëmija juaj: Nisni bisedën duke kuptuar se çfarë fëmija juaj tashmë di ose mendon se di për prejardhjen e foshnjave. Bëjini disa pyetje për të vlerësuar nivelin e të kuptuarit të tij dhe për të kuptuar se çfarë lidhin ata me shtatzëninë, edhe nëse idetë e tyre janë qesharake. Një bisedë e hapur do t’ju japë një ide më të qartë për fjalët dhe terminologjinë që duhet të përdorni, duke plotësuar në mënyrë kohezive boshllëqet në kuptimin e tyre.
Për shembull, mund ta filloni bisedën me një parashkollor duke e pyetur: “A e di ti se si hyri foshnja në barkun tim?” Dëgjoni me vëmendje përgjigjen e tij dhe pastaj jepni një shpjegim të përshtatshëm.
Këshillë
Në përgjithësi, fëmijët nuk kanë të njëjtat reagime instinktive ndaj seksit apo pjesëve të trupit si të rriturit. Ata nuk ndiejnë turp apo siklet, përveç nëse ky turp ose siklet u komunikohet drejtpërdrejt ose tërthorazi. Prandaj, përpiquni të qëndroni neutralë dhe të sinqertë.
Mund të shpjegoni se një foshnjë rritet nga bashkimi i spermës me vezën, por duke përmendur një mënyrë të ngjashme me natyrën, atë se si një fryt rritet nga një farë. Në faza të hershme, mund të jetë ndihmuese vetëm të shpjegoni se si foshnja në barkun tuaj bën shumë nga ato që foshnjat bëjnë pas lindjes, si të ushqyerit, gjumi dhe madje thithja e gishtit të madh. Fëmijët më të vegjël mund të kenë nevojë për siguri se foshnja është e sigurt dhe e rehatshme në mitër (dhe asesi nuk bën t’u shpjegohet marrëdhënia seksuale mes dy partnerëve).
Me fëmijët e moshës shkollore, mund të ndiqni të njëjtën qasje. Pyetni ata se çfarë dinë tashmë për prejardhjen e foshnjave dhe më pas zhvilloni bisedën duke u nisur nga dijet e tyre. Kjo është një moshë e mirë për të prezantuar terminologji të saktë anatomike, si “mitra” në vend të “barkut”.
Përdorimi i fjalorit etik të lartë
Foshnjat janë një dhuratë e bukur nga Zoti. Ai krijon çdo gjë në këtë botë dhe gjithashtu krijon njerëzit. Kur pyesin për prejardhjen, u shpregohet qartë. Kur një burrë dhe një grua martohen dhe duan të kenë një familje më të gjerë, ata i luten Zotit për një fëmijë, dy ose më shumë. Zoti vendosë që brenda trupit të nënës të rritet foshnja.
‘Ai ju krijon në barkun e nënave tuaja..’ (Zumer, 39:6)
Gjatë muajve, foshnja rritet dhe forcohet derisa të jetë gati të vijë në këtë botë. Kur vjen koha e duhur, Zoti e sjell foshnjën me kujdes dhe dashuri në jetën tonë. Zoti është furnizuesi dhe nga Ai kërkojmë të gjitha të mirat. Edhe foshnjat janë gjëja më e mirë që prindërit gëzohen. Kjo është një nga mënyrat se si Ai na tregon se sa shumë na do dhe kujdeset për ne.
E rëndësishme është të përdoret një gjuhë e thjeshtë dhe e përshtatshme për moshën e tyre, duke respektuar besimin dhe vlerat familjare.
Përdorimi i fjalorit shkencor
Gjithashtu, mund të shpjegoni bazat e aktit seksual dhe të sqaroni se foshnjat krijohen kur një organi seksual mashkullor depoziton farën/spermatozoidet në vaginë, e cila udhëton drejt vezës dhe të dyja bashkohen për të formuar një embrion. Diskutimi detyrimisht duhet të jetë i përshtatshëm për moshë sa më madhore dhe të jetë gjithëpërfshirës dhe moralisht në rregull, duke përmendur edhe shembuj tjerë në natyrë. (Për shembull, fëmijët në fazën e pubertetit fillojnë të mësojnë më shumë për ndryshimet e trupit të tyre dhe për riprodhimin. Ky është një moment i mirë për të përfshirë më shumë detaje dhe ato detaje të mësohen nga dhe për t’i ndihmuar të kuptojnë më thellë procesin e riprodhimit).
Shënim: Të gjitha informacionet që jepen nga ju, janë më të sigurta shumëfish sesa informacionet që i marrin në internet që në shumicën e rasteve i drejtojnë fëmijët drejt pornografisë, veçanërisht nëse përdorin internetin pa mbikëqyrje.
Pornografia nuk është asesi një burim i drejtë për t’i mësuar fëmijët për lindjen apo marrëdhëniet. Ajo krijon një perceptim të shtrembëruar dhe jo realist mbi intimitetin, marrëdhëniet dhe zhvillimin e trupit dhe ka pasoja psikologjike dhe emocionale. Nëse krijohet ambient i hapur, i sinqertë dhe moralisht i lartë, fëmijët do të shuajnë kurreshtjen e tyre duke i pyetur prindërit.
Ju si prindër mund të përdorni programe apo aplikacione që bllokojnë qasjen në përmbajtje të papërshtatshme dhe duke u ofruar atyre informacion të duhur dhe duke u kujdesur për sigurinë e tyre online, mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë në mënyrë të shëndetshme sesi foshnjat vijnë në jetë, pa rënë në kurthin e përmbajtjeve të dëmshme.
Përdorni përgjigje të shkurtra dhe të drejtpërdrejta
Çelësi për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje të këtij lloji është të dëgjoni me kujdes dhe të identifikoni saktësisht se çfarë kërkon fëmija juaj. Është e zakonshme të nxitohet dhe të jepet një përgjigje e tepërt apo e panevojshme. Kur vjen puna për të shpjeguar shtatzëninë dhe lindjen, përqendrohuni te tema dhe tregoni faktet qartë dhe shkurt.
Fëmijët më të vegjël ndoshta duan vetëm faktet bazë, ndërsa të rinjtë dhe adoleshentët mund të kenë pyetje më komplekse për seksin, marrëdhëniet, shtatzëninë dhe lindjen. Me kalimin e kohës, ju mund të shtoni më shumë detaje për të mbështetur një kuptim më të thellë të këtyre temave: si çështjet martësore, marrëdheniet seksuale vetëm pas martesës, rregullat e intimiteti etj. Si prind ose kujdestar, varet nga ju se sa thellë dëshironi të hyni në tema më të avancuara, por ndjekja e kureshtjes së fëmijës është një vend i shkëlqyer për të filluar.
Këshillë
Derisa seksi, shtatzënia dhe lindja janë tema të natyrshme dhe nuk duhet të ndihen të turpshme, kujtojini fëmijës tuaj që asesi të mos i diskutojë këto çështje me fëmijët e tjerë dhe të mos kërkojë gjëra në internet (Një arsye kryesore pse fëmijët nuk duhet të kërkojnë informacion nga shokët e klasës dhe mjedisin ku ndërvepron, apo informacioneve në internet rreth seksit dhe marrëdhënieve është se shumë nga burimet që mund të gjejnë nuk janë të besueshme ose të përshtatshme për moshën e tyre ose siç përmendem – i drejtojnë ata në pornografi. Në vend të informacionit të saktë dhe edukativ, ata mund të hasin në përmbajtje që është e pasaktë, e gabuar ose që promovon qëndrime të gabuara dhe të dëmshme).
Zgjidhni fjalët me kujdes
Kuptimi i fëmijëve zhvillohet përmes moshave dhe fazave të ndryshme të rritjes. Kur flisni, përdorni gjithmonë fjalë dhe koncepte që fëmija juaj tashmë i përdorë dhe i kupton.
Ndërsa një fëmijë 3-vjeçar dhe një 6-vjeçar mund të bëjnë të njëjtën pyetje për mënyrën si krijohen foshnjat, konteksti i tyre mund të jetë i ndryshëm. Një 3-vjeçar mund të jetë thjesht kurioz për të mësuar se si foshnja doli nga barku juaj, ndërsa një 6-vjeçar mund të pyesë se si krijohet në të vërtetë një foshnjë.
Gjithmonë mbani parasysh moshën dhe nivelin e pjekurisë së fëmijës kur jepni informacion për prejardhjen e foshnjave. Përdorimi i fjalëve të gabuara ndonjëherë mund t’i trembë fëmijët. Për shembull, nëse shpjegoni një prerje cezariane duke përdorur fjalë si “prerë,” është e mundur që fëmija juaj të alarmohet.
E njëjta gjë vlen për vendimin nëse do të përdorni terma specifikë apo të përgjithshëm. Për shembull, përshkrimi i “mitrës” ndihmon fëmijën të kuptojë se ajo është e ndarë nga stomaku ose barku, duke shmangur konfuzionin që fëmija mund të “ngelë shtatzënë” në bark.
Ndani ndonjë tregim
Nëse keni nevojë për ndihmë shtesë, gjeni një libër për edukimin seksual që përshkruan shtatzëninë dhe lindjen në mënyrë të përshtatshme për moshën. Ndarja e historive ndihmon fëmijën tuaj të kuptojë më mirë, ndërsa librat hapin derën për një bisedë konstruktive, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre në mënyrë efektive dhe të saktë.
Fëmijët janë natyrisht kuriozë dhe shpesh kanë shumë pyetje. Sa më komplekse të jetë pyetja, aq më shumë mund t’ju duhet kohë për të menduar për përgjigjen. Mos hezitoni t’i thoni fëmijës se ju nevojitet pak më shumë kohë për të gjetur një përgjigje të mirë, por sigurohuni që ta ndiqni bisedën. Është e rëndësishme që të mos i injoroni pyetjet e tyre.
Jini të sinqertë
Është një maksimë e vjetër, por e vërtetë: ndershmëria është politika më e mirë. Këto biseda rreth seksit dhe shtatzënisë mund t’ju duken të sikletshme ose të vështira, por nuk janë arsye për t’i shmangur ato.
Shënim: Tek populli ynë është e përhapur ideja e përrallave të tilla si ”e solli lejleku”, për të shmangur përgjigjen. Më mirë të thuhet e vërteta, përkitazi me moshën e tyre.
Nëse i injoroni ose shmangni pyetjet e fëmijëve, ata mund të ndihen të turpëruar ose të mendojnë se pyetjet e tyre janë të papërshtatshme. Nëse nuk marrin përgjigje të sinqerta nga ju, ata mund të kërkojnë informacionin diku tjetër, shpesh nga burime të gabuara si bashkëmoshatarët ose interneti.
Ju e njihni më së miri fëmijën tuaj dhe keni një ndjesi instinktive për atë që ai ose ajo mund të përballojë. Duke qenë të sinqertë – dhe duke mos u fshehur pas tregimeve të lejlekëve që sjellin foshnja – ju mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të zhvillojë një marrëdhënie të shëndetshme me trupin e njeriut, shtatzëninë dhe seksin.
Nga: Dr. Robin E. Weiss
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj
© Prinderimi.com Të gjitha të drejtat e rezervuara.