Marrëdhëniet janë sfiduese në vetvete, por kur përballen me stresin shtesë të vështirësive financiare, bllokimeve dhe ankthit të përgjithshëm, nuk është çudi që shumë familje po kalojnë përmes divorcit.
Divorci është një proces i vështirë për të gjithë, dhe edhe kur zhvillohet në mënyrë miqësore, zakonisht çon në një periudhë pikëllimi për familjen. Hidhërimi shfaqet si pasojë e çdo humbjeje – qofshin humbjet e përvojave, të së kaluarës, apo të shpresave për të ardhmen. Megjithatë, ky proces mund të menaxhohet duke mbështetur fëmijët në mënyrë të duhur:
Procesi i hidhërimit te fëmijët
Hidhërimi është një përjetim individual, dhe çdo person e përjeton ndryshe. Te fëmijët, ky proces mund të shfaqet në valë emocionale, ku periudhat e trishtimit të thellë alternohen me momente stabiliteti. Me kalimin e kohës, intensiteti i këtyre valëve zvogëlohet, por prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm që përpunimi i emocioneve mund të zgjasë. Kjo situatë bëhet edhe më komplekse kur marrim parasysh zhvillimin emocional dhe kognitiv të fëmijëve.
Fëmijët nën moshën 7 vjeç shpesh e kanë të vështirë të kuptojnë perspektivat e të tjerëve. Për ta, bota duket sikur sillet rreth tyre, dhe kjo mund të çojë në fajësim të vetvetes për divorcin e prindërve. Prindërit duhet të jenë të hapur dhe të sinqertë, duke shpjeguar se divorci nuk është faji i tyre. Kjo duhet bërë me gjuhë të përshtatur për moshën e fëmijëve dhe të përseritet sa herë që ata kanë nevojë.
Strategjitë për të ndihmuar fëmijët:
1. Njohja dhe emërimi i ndjenjave
Fëmijët shpesh e shprehin hidhërimin përmes sjelljeve, jo fjalëve. Ata mund të mos kenë fjalorin për të përshkruar emocionet e tyre. Prindërit mund të ndihmojnë duke pranuar dhe emërzuar ndjenjat që shfaqen, si për shembull: “Kam vënë re që dukesh i zemërëuar kohët e fundit”. Ky hap i ndihmon fëmijët të përpunojnë emocionet e tyre dhe eventualisht të flasin për to. Gjithashtu, duhet theksuar se çdo ndjenjë është e pranueshme dhe normale.
2. Përdorimi i aktiviteteve krijuese
Një strategji e dobishme është përdorimi i aktiviteteve si ndërtimi me Lego. Fëmijët mund të zgjedhin ngjyra të ndryshme për ndjenja specifike dhe të krijojnë struktura që pasqyrojnë emocionet e tyre. Ky aktivitet i ndihmon ata të kuptojnë dhe të pranojnë ndjenjat e shumëfishta për një situatë të vetme.
3. Minimizimi i shqetësimeve
Fëmijët shpesh shqetësohen për prindërit e tyre, duke menduar se ata janë të vetmuar ose në rrezik. Një ide praktike është krijimi i një “kutie letrash” ku fëmija mund të shkruajë shqetësimet e tij. Prindi mund të lexojë letrat dhe të adresojë çdo shqetësim kur të jetë në gjendje të flasë me fëmijën.
4. Ruajtja e rutinave
Fëmijët kanë nevojë për stabilitet dhe parashikueshmëri. Kur gjithçka ndryshon, ata mund të ndihen të pasigurt. Prindërit duhet të mbajnë sa më shumë rutina të pandryshuara dhe të jenë të qartë për rregullat në secilën shtëpi.
5. Mbajtja e lidhjes me të dy prindërit
Nëse është e sigurt dhe e mundshme, është e rëndësishme që fëmija të ketë kontakte të rregullta me të dy prindërit. Kjo mund të nënkuptojë telefonata të përditshme ose vizita jashtë planeve të zakonshme. Fëmijët duhet të ndihen të lirë për të shprehur nevojën për të dy prindërit pa ndjenja faji.
6. Krijimi i traditave të reja
Me kohë, fëmijët mund të fillojnë të shijojnë aspektet pozitive të jetës së re familjare. Traditat e reja, si darkat e veçanta me secilin prind, mund të ndihmojnë fëmijët të ndihen më të sigurt dhe të pranojnë ndryshimet.
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj