Nga: Elissa Strauss, CNN
Fëmijëve u nevojitet inkurajim për të dalë dhe për të përjetuar botën, dhe prindërve dhe kujdestarëve u duhet ndihmë për të kuptuar se si ta ofrojnë atë ndihmë pa i bërë të ndihen të pasigurt apo të ekspozuar tepër.
Njeriu mund të shpresojë që aftësia e fëmijëve për t’u mërzitur do të ishte e barabartë me një oreks për të gjitha gjërat e reja –sikur të ishte prindërimi kaq i lehtë. Provimi i gjërave të reja është i vështirë për shumë fëmijë, qoftë ushqim i ndryshëm, aktivitet apo aftësi. Ata pëlqejnë atë që njohin, dhe njohin atë që pëlqejnë.
Pandemia nuk ndihmoi.
Qasja ndaj risisë dhe të panjohurës u ndërpre këto vite të fundit. Kishte më pak ekspozim ndaj gatimeve të tjera, aktivitete të kufizuara jashtëshkollore dhe udhëtime, dhe më pak takime me miq të rinj në shtëpitë e të cilëve kanë erëra, ushqime dhe rregulla të ndryshme, ndër të tjera mundësi të humbura. Duke e bërë më keq, Covid-19 e ktheu botën në një vend më të frikshëm, ku të gjitha gjërat e reja dhe të panjohura vinin me një rrezik shtesë të sëmundjes.
“Kur fëmijët janë të shqetësuar, ata priren të preferojnë parashikueshmëri, familjaritet dhe përsëritje, dhe nuk u pëlqen pasiguria, paparashikueshmëria dhe ndryshimi. Këto tre fjalë të fundit janë një pjesë e madhe e jetës gjatë pandemisë,” tha Eli Lebowitz, drejtor i Programit për Çrregullimet e Ankthit në Qendrën e Studimit të Fëmijëve në Yale dhe autor i “Çlirimi nga Ankthi i Fëmijës dhe OCD: Një Program i Provuar Shkencërisht për Prindërit.”
“Të gjithë fëmijët përjetuan humbje, qoftë humbje e jetës normale të tyre, jetesës së familjes së tyre apo të dashurve,” tha Lebowitz. “Nuk është për t’u habitur që po shohim fëmijët të tërhiqen në vendet ku kanë kontroll.”
Një nga punët e mia kryesore si prind është të ekspozoj fëmijët e mi ndaj një shumëllojshmërie të gjerë njerëzish dhe përvojash. E bëj këtë me shpresën që ata të bëhen më mendje-hapur, duke mbledhur një spektër të gjerë ngjyrash me të cilat mund të pikturojnë historinë e jetës së tyre.
Fatkeqësisht, të gjithë jemi pak të ndryshkur. Fëmijëve u nevojitet inkurajim për të dalë dhe për të përjetuar botën, dhe prindërve dhe kujdestarëve u duhet ndihmë për të kuptuar se si ta ofrojnë atë ndihmë pa i bërë të ndihen të pasigurt apo të ekspozuar tepër. Një ekuilibër i tillë kërkon mendueshmëri dhe qëllim, që fatmirësisht nuk është i pamundur për t’u arritur.
Këtu janë disa këshilla të aprovuara nga ekspertët se si t’i bëni fëmijët tuaj të provojnë gjëra të reja pa i trembur.
Filloni me atë që ata njohin
Merrni diçka që fëmijët tuaj tashmë e pëlqejnë ose janë të mirë në të, dhe shtyjeni t’i provojnë në një mjedis të ri ose në një mënyrë paksa të ndryshme, tha Maurice J. Elias, profesor i psikologjisë në Universitetin Rutgers dhe bashkëautor i “Prindërimi Emocionalisht Inteligjent: Si të Rritni një Fëmijë të Vetëdisiplinuar, Përgjegjës dhe të Aftë Shoqërisht.”
“Ne duam që fëmijët tanë të ndihen të sigurt për fuqitë e tyre dhe të përdorin atë si një trampolinë për të provuar diçka të re. Në çfarë janë të mirë fëmijët tanë? Me çfarë janë të rehatshëm ata? Si mund t’i ndihmojmë ata të avancojnë në atë?” tha ai. Për shembull, “nëse luajnë një instrument muzikor, cili është një vend tjetër ku mund ta luajnë atë instrument?”
Nuk ka nevojë të mësohet një instrument i ri, figurativisht dhe metaforikisht duke folur – vetëm një mundësi për të shtyrë fëmijën tuaj të provojë diçka të re me aftësinë ose hobi që njohin.
Rutinat janë miqtë tuaj
Ndonjëherë një gjë e re funksionon më mirë kur është pjesë e një gjëje të vjetër. Kjo është një taktikë veçanërisht e dobishme me fëmijët neurodiversë si dhe të tjerët të prirur ndaj ndryshimit, tha Karen VanAusdal, drejtoreshë e lartë e praktikës në Bashkëpunimin për Mësim Akademik, Social dhe Emocional me bazë në Çikago.
“Rutinat dhe ritualet mund të jenë shumë ngushëlluese dhe të dobishme,” tha ajo. “Unë besoj në ruajtjen e tyre dhe pastaj shtrirjen e një pjesë (të tyre) për të shtuar diçka të re, duke i lejuar fëmijës veprimin dhe fuqinë për të vendosur nëse dëshiron ta bëjë atë.”
Këtu është një shembull i vogël nga vetja ime: Djemtë e mi dhe unë shpesh dalim për të ngrënë ushqim korean të enjten në mbrëmje. Së fundmi, ne provuam një restorant të ri ku ushqimi ishte paksa ndryshe. Ata, për habinë time, nuk e menduan keq! Ideja e të ngrënit në një restorant korean së bashku ndjehej aq e sigurt, emocionuese dhe familjare sa ishin të gatshëm të provonin ushqime që nuk i kishin provuar më parë.
Bëni një listë
Pyetni fëmijën tuaj çfarë gjëra të reja dëshiron të provojë – ose bëjeni ata të shkruajnë një listë, tha VanAusdal. Ndihmojini ata të kuptojnë se çfarë i shqetëson kur shmangin gjërat e reja, qoftë një natë e kaluar te një mik apo një pjatë e re makaronash.
Ndonjëherë akti i identifikimit dhe emërtimit të frikës mund të ndihmojë në zvogëlimin e tyre. Është një mënyrë për të ndjerë kontrollin mbi emocionet dhe për të kuptuar lidhjen midis ndjenjave, mendimeve dhe veprimeve.
“Si pjesë e këtij bisedimi, mund t’i bëni ata të bëjnë një ushtrim ku imagjinojnë të bëjnë diçka që e duan të bëjnë. Dhe pastaj t’u kërkoni të mendojnë çka nëse kurrë nuk e kanë provuar atë,” tha ajo. “Kjo do t’i ndihmojë ata të shohin se ndërsa mund të ketë një rrezik të vogël të përfshirë (në bërjen e gjërave të reja), shpërblimi mund të jetë i madh.”
Simpatizoni dhe inkurajoni
Lebowitz inkurajon prindërit dhe kujdestarët të praktikojnë si njohjen e frikës së fëmijës ashtu edhe shprehjen e sigurisë që fëmija mund të trajtojë detyrën. Të dyja janë po aq të rëndësishme, tha ai, dhe jo gjithmonë intuitive. Disa janë të prirur t’u thonë fëmijëve se diçka që ata frikësohen nuk është e frikshme, gjë që mund të zhvlerësojë emocionet e tyre. Të tjerë janë të prirur të ngushëllojnë dhe t’u thonë se është në rregull nëse nuk dëshirojnë të bëjnë diçka që i frikëson, gjë që mund të vërtetojë frikën e tyre.
“Komunikoni pranimin. Pranoni se diçka mund të jetë e frikshme, shqetësuese ose e pakëndshme ose e vështirë,” tha Lebowitz. Këshilla e tij: Thuajini drejtpërdrejt se ju e dini se kjo është e frikshme ose e vështirë për ta. Bëjeni në rregull. Por mos u ndalni aty.
Është e rëndësishme të projektohet vetëbesim tek fëmija juaj, shtoi Lebowitz. “Thuajini që besoni se ata kanë aftësinë për të trajtuar ato sfida dhe për të toleruar parehatinë ose shqetësimet ose ndjenjat negative” që mund të vijnë bashkë me bërjen e gjërave të reja ose të frikshme.
Prindërit dhe kujdestarët janë si pasqyra për fëmijët, tha ai, dhe “nëse reflektimi që krijon prindi është i cenueshëm, i dobët ose i paaftë, atëherë kështu ata e shohin veten.”
Konsideroni nëse po bëjnë mjaftueshëm
Prindërit dhe kujdestarët gjithashtu duhet të bëjnë disa reflektime të tyre, tha Lebowitz. A ka vërtet nevojë fëmija juaj të provojë tofu, artet marciale apo një natë te shtëpia e gjyshes?
Apo, ndoshta, a po ecin në mënyrë perfekte, të papërsosur, në rregull?
Ai tha se është e dobishme të konceptohet ky proces përmes lenteve të ushqimit. A është dieta e tyre aq e kufizuar sa po dëmton shëndetin e tyre? Apo, hanë një dietë kryesisht të balancuar që ju, prindi, dëshironi të ishte më aventuriere, por nuk paraqet rrezik për mirëqenien e tyre?
“Me të vërtetë ka rëndësi cila është. Nëse fëmija juaj funksionon në përgjithësi, ata po bëjnë bazat, ata kanë disa miq, atëherë inkurajojeni, por mos u stresoni tepër për gjithçka që nuk po bëjnë,” tha Lebowitz. “Ndonjëherë duke bërë atë na ndalon të përqendrohemi në gjërat që ata po bëjnë.”
Rreth autorit:
Elissa Strauss mbulon kulturën dhe politikën e prindërimit. Libri i saj mbi fuqinë radikale të prindërimit dhe kujdestarisë do të publikohet në vitin 2024.
Përkthyer nga: Arianë Limani, Prinderimi.com