1. Duhet ta përsëris se sikur adhurimi, shprehia e angazhimit për sukses në shkollim zhvillohet nëpërmjet mbjelljes së saj nga familja. Fëmijët e marrin këtë shprehi nga familjet dhe shkollat e tyre. Me këtë pohim synoj t’i përkujtoj prindërit se motivi i ulët për mësim ose performanca e dobët në shkollë e fëmijëve të tyre zakonisht është rezultat i moskryerjes së detyrës së prindërve ndaj fëmijëve të tyre ose është shkak i disa gabimeve që ata i kanë bërë gjatë edukimit të tyre.
2. Atmosfera familjare, e cila e përkrah të mësuarit mund të jetë ndihma më e rëndësishme që një familje mund të sigurojë për fëmijët e saj.
Një fëmijë sqaron me këto fjalë çfarë i ndihmoi të fitonte vendin e parë në garat e diturisë në mes të shkollave të mesme në nivel kombëtar: “E arritura ime ishte vërtet një befasi për mua. E pranoj se para së gjithash ka qenë një begati e Allahut, i Cili më ka mundë- suar të arrijë. Pastaj, jam mirënjohës për përpjekjet heroike të prindërve të mi dhe të motrës më të madhe. Ata të gjithë krijuan një atmosferë në të cilën performanca mesatare nuk kishte vend.” Përpjekjet e tyre mund t’i përmbledh në këto pika: Prej kur kam qenë pesë vjeçar, babai im më thoshte atë që një njeri i urtë ua përsëriste fëmijëve të tij: “Fëmijë të dashur, nëse kërkoni lavdinë e kësaj bote, atëherë rruga drejt saj është nëpërmjet të kërkuarit të diturisë dhe nëse e kërkoni lavdinë e botës tjetër, rruga drejt saj është nëpërmjet të kërkuarit të diturisë.” Ai kurrë nuk humbiste rastin për të theksuar rëndësinë e diturisë. Vëllai i gjyshit tim ishte një mjek i shquar dhe babai im shpesh më thoshte: “Ti do të bëhesh sikur ai, vërtet e ke shansin të bëhesh më i madh sesa ai!” Për shkak të ndikimeve të tilla kur arrita shkollën e mesme, fillova të ëndërroja më tepër e më tepër për arritjet e shkëlqyera. Dëshira ime ishte të studioja mjekësinë. Elhamdulilah, tani jam aty.
Familja ime pa dallim më thoshin se ishin të gatshëm të paguanin tërë atë që nevojitej për studimet e mia; babai im një herë më dha një shumë të madhe të hollash kur isha në vitin e dytë të shkollës së mesme, për të blerë të gjithë materialin që më nevojitej për një shpikje. Nëna ime gjithmonë më thoshte: “Mos mendo për kostën e shkollimit tënd. Jam e gatshme të shes gjithë arin tim për hir tëndin, nëse ke nevojë.”
Kurrë nuk do të harroj se si nëna ime anulonte takimet me shoqet ose të afërmet sa herë që i tregoja se kisha një test të nesërmen. Sa i përket motrës sime më të madhe, ajo shpesh më pyeste: “Si janë gjërat, Avicena jonë?” Me këtë ajo dëshironte t’i shtonte aspiratat e mia dhe të më inkurajonte që të bëhesha një mjek sikur Avicena. Nuk mund të numëroj sa herë më ka befasuar me ëmbëlsira ose me një gotë çaj. Ajo vërtet ishte nëna ime e dytë.
Në fillim të adoleshencës, lënda e gjeografisë për mua ishte lënda më e vështirë. Këtë që e ndieja e shfaqja dhe brengosesha për një dështim të mundshëm në këtë lëndë. Vërtet, dështova në gjeografi. Atëherë imagjino zhgënjimin tim, kryesisht për shkak se kisha pikëlluar familjen dhe kisha thyer shpresat që ata i mbanin për mua. Askush në shtëpi nuk mund të imagjinonte që unë do të dështoja në ndonjë lëndë. Edhe në këtë rast, qëndrimi i babait tim ka qenë i admirueshëm, sepse kur dëgjoi për rezultatin, ai tha: “Do të dëshiroja të mos ndodhte, mirëpo të jesh i sigurt se kjo nuk është asgjë më tepër se një marrje në thua në jetën tënde, sepse provimin tjetër do ta kalosh shumë lehtë.” Pastaj babai filloi të më tregonte për pengesat që kishin hasur shumë burra të mëdhenj. E kuptova se babai po përpiqej të më mbronte nga ndonjë ndjenjë e zhgënjimit dhe ai pati sukses në këtë.”
3. Kur një baba zbulon se biri i tij nuk dëshiron të studiojë ose të arriturat e tij akademike janë më të vogla në krahasim me shokët e tij, nuk mjafton që ai vetëm të nxitet të punojë më shumë. Ai duhet të hulumtojë më thellë nëse ka ndonjë pengesë fizike ose psikologjike për të mësuar. Fëmija mund të ketë problem me të dëgjuarit ose mund të ketë nevojë për syze.
Disa fëmijë e kanë të kuptuarit të ngadalshëm, kështu ata nuk mund ta ndjekin tërë atë që e thotë mësuesi. Një fëmijë mund të ketë ndonjë problem në të folur, si për shembull të belbëzojë. Ai mund të jetë shumë i turpshëm, kështu nuk mund të bisedojë para shokëve të klasës. Është me rëndësi të trajtohet ndonjëri prej këtyre problemeve, që të sigurohet përmirësimi në motivin e studimit te fëmijët.
4. Shkolla ku vijon mësimet fëmija ka efekt të madh në motivin e fëmijës për të mësuar. Shkollat e mira janë zakonisht të rralla dhe mjaft të shtrenjta. Këtë duhet ta kenë të qartë prindërit, kështu që të përgatiten për të financuar shkollimin e fëmijëve të tyre duke ndarë një shumë të caktuar nga të ardhurat e tyre mujore për shkollimin e fëmijëve në shkolla dhe universitete të suksesshme.
Sa u përket karakteristikave të një shkolle të mirë, kam spikatur dy pika që e bëjnë një shkollë të mirë:
Mësimdhënia shihet me seriozitet. Stafi i shkollës janë të kënaqur me shkollën dhe me kushtet e tyre. Shumë studime tregojnë se morali i lartë i stafit dhe administratës dhe ndjenja e besnikërisë ndaj vendit në të cilin punojnë, do të ngjallte një shpirt të optimizmit te nxënësit dhe do t’i nxiste ata të punojnë me zell. Prandaj prindërit duhet të kenë kujdes se në çfarë shkolle i regjistrojnë fëmijët. Nuk duhet të shikohet objekti i jashtëm i shkollës, mirëpo brendia e saj. Ata duhet të vlerësojnë profesorët, e jo gjërat materiale dhe strukturën e shkollës.
5. Meqenëse shkollat janë vendi primar për edukimin e fëmijëve, duhet të ketë një bashkëpunim të shkëlqyer midis prindërve në komunitet dhe një bashkëpunim prind-mësues dhe anasjelltas. Kjo do të bëhet me qëllim të këshillimit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Janë bërë hulumtime të mjaftueshme, që tregojnë se përgjigja e nxënësit ndaj mësuesit të tij ose të saj do të jenë në nivelin më të lartë kur stili i mësimdhënies së tyre të jetë interesant dhe tërheqës. Kjo nuk arrihet nëse mësuesi nuk gëzon një shëndet të lartë intelektual dhe moral. Po ashtu nuk do të arrihet pa një ambient të mirë dhe atraktiv, një shkollë të pajisur me kondicioner dhe me mjete të teknologjisë moderne.
Nëse shkolla e zgjedhur është shkollë shtetërore, atëherë ajo ka nevojë për funksionim efikas të mbështetjes së familjeve, duke pasur më tepër ndërveprim nëpërmjet të kontakteve të familjeve me shkollën që të ndjekin progresin e fëmijëve.
Nëse shkolla e zgjedhur është private duhet të sigurohemi se është një shkollë e mirë para se të vendosim ta dërgojmë fëmijën në të. Pasi fëmija të regjistrohet duhet të jemi në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit. Të shohim se çfarë kishte shkruar një mësuese në ditarin e saj të jetës: “Kur jepja mësim në një klasë të tretë, shikoja me admirim dhe lakmi sjelljen e një nënë të një nxënëse. Vajza ishte jetime, mirëpo nëna e saj i kushtonte mjaft vëmendje që barazohej me kujdesin e një babai dhe një nënë më të mirë. Ajo nënë e shquar merrte pjesë në të gjitha takimet e prindërve, thërriste në telefon çdo javë për të pyetur për të bijën dhe me jepte disa sugjerime. Më kujtohet një ditë kur më tha: “Bija ime më ka gënjyer dy herë, mirëpo nuk i kam treguar se e kam zënë duke gënjyer. A mund të kujdesesh për këtë?” Ajo nënë më ftoi dy herë në shtëpinë e saj dhe ishte shumë mikpritëse gjatë vizitave të mia.”
6. Meqenëse jemi njerëz, gjithmonë kemi nevojë për inkurajimin e të tjerëve që të na shtohet vullneti në punë. Komplimentet, inkurajimi dhe shpërblimi duhet të jenë në qendër të vëmendjes së kujdestarit, kjo përfshin edhe përmbajtjen nga sjelljet negative të mësuesit ose të prindit.
Kemi një baba i cili në çdo rast të përshtatshëm ia përcjell të birit sinjalin se është i shtrenjtë tek ai dhe se mendon për të ardhmen e tij. Ai i jep komplimente për ndonjë të arritur dhe çdo herë që i jep shpërblim për ndonjë të arritur; ai i premton më tepër për të arriturat e tjera. Disa prej dhuratave të tij ia jep edhe pa pasur ndonjë shkas të këtillë. Shpërblimi duhet t’i përshtatet moshës së fëmijës.
Një fëmijë shumë i vogël kryesisht do të ketë nevojë për shpërblime të prekshme, mirëpo derisa rriten shpërblimet e tyre duhet të jenë më tepër morale. Kur fëmija të hyjë në moshën e adoleshencës, shpërblimi më i mirë ose dhurata që mund ti ofrojë familja është kontakti aktiv dhe bashkëndarja e halleve të tij ose të saj.
Disa prindër u vendosin fëmijëve të tyre synime shumë të larta për t’u arritur. Hasim në prind, biri i të cilit është i treti në klasë, mirëpo nuk ia jap asnjë kompliment, e as nuk ia ofron asnjë dhuratë. Në vend të kësaj, ai e merr në llogari pse nuk ka dalë i pari. Kjo është mënyrë e gabuar e edukimit dhe rezultat i saj mund të jetë ndjenja e frustrimit dhe pamjaftueshmërisë te fëmija. Sigurohu që të shpërblesh dhe të inkurajosh. Po! Ke të drejtë të shpresosh për më tepër, mirëpo në vend që ta thuash atë, mendo për hapa që e çojnë fëmijën deri aty.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”