Përgjigja në këtë pyetje është gjëja më e rëndësishme në këtë tematikë sepse shumë prej nesh tani e kuptojnë se në edukimin e fëmijëve dhe në ndërveprimin me ta duhet të përdoret një metodë e re. Tani shumë besojnë në mbajtje të konsultave në jetën familjare, në dialog dhe negociata. Mirëpo, për shkak se u mungon dituria dhe ekspertiza e kërkuar lidhur me parimet dhe edukatën që duhet të kenë gjatë dialogut, përpjekjet e tyre shpesh përfundojnë në fjalosje, grindje dhe divergjenca në pikëpamje.
Duke pasur parasysh këtë, ka shumë raste kur dikush në familje thotë: “Shpresoj të mos diskutojmë më tej për këtë temë, që të mos i tendosim nervat ose të mos nxehet debati e pastaj dikush të lë ndejën në mënyrë demonstrative.”
Ka shumë për të thënë lidhur me këtë, mirëpo për shkak se jam i vendosur të jem i shkurtër, atë do ta përmbledh si vijon:
Sigurimi i atmosferës së duhur për dialog
Dialogu është ndërveprim i shpirtrave para se të jetë ndërveprim i mendjeve. Dialogu midis një familjeje është shumë më i vështirë sesa midis dy shokëve ose dy njerëzve që negociojnë një marrë- veshje biznesi. Arsyet për këtë vështirësi janë të shumta, në mesin e të cilave është fakti se shtëpia është një vend i sjelljeve spontane, ku palët në dialog e njohin njëri-tjetrin shumë mirë dhe secili e ka formuar mendimin final se si duket personi tjetër.
Babai i njeh aspiratat e të birit, si dhe pikat e tij të dobëta dhe pasi është përpjekur t’i ndihmojë shumë herë më parë, ai nuk sheh arsye të dialogojë me të. Nëna gjithashtu mendon se bashkëshorti i saj ka nxjerrë urdhër për një çështje dhe duke e ditur se ai nuk e kthen mbrapsht vendimin, ajo mendon se dialogu me të vetëm do të ngrehë tensione dhe nuk do të sjellë përfitime.
Për më tepër, ekziston një ndjenjë e keqe te baballarët ose nënat se dialogu me fëmijët i përul ata, ndërkaq mendimi i përgjithshëm është që të rriturit të konsiderohen më të mençur dhe më të informuar se çka është e mirë sesa fëmijët. Prandaj është e natyr shme që detyra e babait me një botëkuptim të tillë është të japë urdhra dhe të pretë që fëmijët t’i binden. Nga ky këndvështrim, suksesi dhe frytdhënia e dialogut në familje kërkon një lloj të veçantë të mjedisit. Sigurimi i atij mjedisi kërkon përkushtim, durim dhe inteligjencë dhe mbi të gjitha, dhembshuri dhe mëshirë. Shtrohet pyetja, se çfarë mund të bëjmë në këtë aspekt?
1. Kur anëtarët e familjes ulen për të dialoguar, është me rëndësi për ta që të përcaktojnë qëllimin e parë, i cili është të forcojë ndjenjën fisnike të dashurisë që e ndajnë me njëri-tjetrin dhe të përmirësojnë lidhjen e shpirtrave që i mban bashkë ata. Kjo është më e rëndësishmja për suksesin e dialogut dhe vetëm pas saj vjen problemi për të cilin bëhet dialogu. Pra, në radhë të parë vjen dëshira për forcimin e lidhjeve në mes anëtarëve të familjes dhe nën hijen e kësaj është arritja e rezultateve specifike. Ajo që meriton më së tepërmi vëmendje është përmirësimi i lidhjes midis anëtarëve të familjes, ushqimi i mëshirës së ndërsjellë dhe i nivelit të besimit të ndërsjellë të tyre.
Kur disa prindër dialogojnë me fëmijët e tyre, ai i ngjan dialogut të armiqve ose të kompanive rivale që garojnë ta largojnë njëra-tjetrën nga tregu. Kjo vetëm i dëmton marrëdhëniet brenda familjes pa ndonjë përfitim.
2. Dialogu i frytshëm kërkon një atmosferë të qetë dhe gatishmëri psikologjike të të gjitha palëve në të. Shpesh jemi dëshmitar të hyrjes në dialog pa përgatitje të terrenit. Për shembull, kur një nënë nuk pajtohet me ndonjërin prej fëmijëve të saj, ajo shpejt e thërret bashkëshortin dhe djalin më të madh në takim urgjent për të zgjidhur krizën ose kur babai merr ca informata të këqija për njërin prej fëmijëve të tij, ai e thërret për takim hetues fëmijën.
Nganjëherë, një bashkëshort vjen në shtëpi, i rraskapitur mendë- risht dhe fizikisht, pastaj bashkëshortja e mirëpret me një listë të nevojave urgjente ose ankesave për sjelljen e njërit prej fëmijëve të tij, ose proteston për një nevojë familjare që e ka kërkuar para një kohe të gjatë, por që nuk i është përmbushur ende, për shembull mbushjen e bocës së gazit, blerjen e vajit apo kripës, mungesa e të cilave ia pamundëson gatimin. Ajo nuk është e vetëdijshme se gjendja e mendjes së bashkëshortit është jo e gatshme për ndonjë dialog ose zgjidhje të konfliktit ose përmbushje të një kërkese.
“Kur njerëzit dialogojnë derisa janë në gjendje të rraskapitjes, mërzisë ose frikës, shpesh ndodh që të mos pranohen idetë dhe takimin e përshkon një ndjenjë pesimizmi dhe ashpërsie.”
Prindërit duhet të kërkojnë një kohë kur të gjithë anëtarët të jenë të pushueshëm dhe energjikë, kur nuk do të jenë nën presionin e ndonjë pune ose takimi. Është gjë e mirë që nëna ta befasojë takimin me ca ushqime të shijshme gjatë ose pas dialogut. Kjo do të bëj të dashur takimin për anëtarët e vegjël të familjes, pasi ata gjithmonë do të presin me padurim aspektet argëtuese dhe të këndshme të tij.
Disa familje, për shkak të kufizimit të kohës, zgjedhin kohën e drekës ose të darkës për të pasur dialog të nxehtë dhe si rezultat ndonjë anëtar mund të braktisë shujtën dhe të ngrihet i zemëruar nga ajo që dikush e ka thënë. Koha e ushqimit është kohë për gëzim dhe për interesimin e njëri-tjetrit për shëndetin dhe punën, për ndarjen e lajmeve të mira, e jo për zgjidhjen e problemeve.
3. Bërja dialog në familje, nënkupton pranimin e faktit se të gjithë anëtarët, fëmijët dhe të rriturit janë të lirë t’i shprehin mendimet individuale për çështjet në diskutim. Kjo plotësohet me pritjen se dialogu mund të mos çojë domosdshmërisht në pajtim të mendi- meve. Për rrjedhim, baballarët duhet të kenë një sjellje të atillë në takim, që sugjeron barazinë te anëtarët pjesëmarrës. Kjo është e domosdoshme, si për të siguruar suksesin e dialogut, ashtu edhe për të inkurajuar fëmijët t’i shprehin mendimet e tyre. Kjo gjithashtu do t’ua shtojë vetëbesimin atyre.
E di se kjo do të jetë një barrë shumë e rëndë për prindërit, por kush ka thënë se barra e edukimit të mirë të fëmijëve tanë është e lehtë? Nëse e njohim dialogun në mesin e anëtarëve të familjes si dialog në mesin e të barabartëve, atëherë duhet t’i shmangim disa shprehje të caktuara, si:
- “Me moshën që e ke dhe mungesën e përvojës, nuk je i kualifikuar të flasësh për këtë temë.”
- “Sugjerimi yt është i kot dhe i pakuptimtë dhe nuk mund të përdoret.”
- “Pyetja jote sugjeron se dialogu me ty do të jetë humbje kohe.”
- “Të kam thënë, ji i sjellshëm kur të flasësh.”
Ne i shmangim shprehjet e tilla kur të diskutojmë me moshatarët. Ne duhet t’i shmangim ato kur të bisedojmë me fëmijët gjithashtu. Natyrisht se nuk po dëshirojmë ta shpërfillim pozitën e një babai ose të kontestojmë të drejtën e prindërve për t’i udhëzuar, drejtuar dhe disiplinuar fëmijët e tyre, që është detyrë e tyre. Mirëpo, atë që po e them këtu është që sipas vendit të bëhet edhe kuvendi. Vendi i një dialogu është vend i konsultimit të ndërsjellë, negocimit dhe shprehjes së ndjenjave të ngrohta, e jo për hedhjen e ofendimeve dhe qortimeve.
4. Meqenëse në mesin e anëtarëve ka të vegjël dhe të rritur, dialogu nuk mund të jetë pa tensione. Prandaj të rriturit duhet të përpiqen ta minimizojnë atë duke bërë pak humor. Kjo duhet të ekzistojë nëse dëshirojmë të vazhdojë dialogu. Përveç kësaj, duhet t’i inkurajojmë anëtarët në dialog me mënyra si këto:
Lavdërimi i ndonjë ideje të sugjeruar nga një anëtar, qoftë fëmijë ose i rritur, duke i thënë:
- “Kjo është ide e mrekullueshme!”
- “Ky është një sugjerim i mirë!”
- “Çfarë mendimi i qëlluar!”
- “Sa supozim praktik!”
Ose diçka si:
- “Faleminderit për zemrën tënde të madhe.”
- “Durimi juaj me mua ishte i mrekullueshëm, edhe pse unë fola shumë.”
- “E admiroj aftësinë tënde të vetëshprehjes.”
Fillimi dhe mbarimi i uljes me disa anekdota interesante nga disa anëtarë.
- Dhënia e mundësisë për t’u shprehur edhe të vegjëlve tre-katër vjeçar ose më të mëdhenj për të thënë diçka dhe për të mahnitur çdonjërin me bisedën e tyre fëmijërore dhe me sugjerimet e çuditshme.
- Rrëfimi i ndonjë tregimi jetësor nga ndonjë anëtar për ndonjë gjë qesharake që i ka ndodhur në jetë.
- Thirrja e fëmijëve me emra të dashur si “Eja o njeri i urtë”, “Ja ku po vjen Ibn Sinaja i madh”, “Le të dëgjoj nga zotëri talenti” etj. Tërë kjo do të përhapë gëzim në mesin e anëtarëve në një mënyrë të veçantë, pasi njerëzit në mënyrë të natyrshme tërhiqen nga ata që i bëjnë të qeshin.
5. Zgjedhja e vendit për takim gjithashtu ka një efekt të madh në suksesin e tij, që nuk krahasohet me asgjë përveç ndoshta me vëmendjen që i kushtohet njëri-tjetrit gjatë dialogut. Është shumë e njohur se vendet e hapura si parqet e lodrave pengojnë koncen- trimin për atë që është duke u diskutuar, pasi zhurma pengon përqendrimin. Më e mira është të zgjidhet një vend i qetë dhe i mbyllur. Nuk është ide e keqe që ai i cili kryeson takimin dhe ai mund të jetë njëri prej bijve, të thotë në fillim “kërkoj që televizori të fiket, dhe askush të mos përgjigjet në ndonjë thirrje telefonike, derisa të zgjatë takimi, sepse kemi nevojë për vëmendje të plotë për atë që thuhet këtu.”
6. Sugjerimi i fundit sa i përket krijimit të një mjedisi të mirë për dialog ka të bëjë me kujdesin që duhet t’i kushtohet moslejimit të shndërrimit të një dialogu në fjalosje. Kjo është një gjë shumë e vështirë të arrihet, jo vetëm për familjet, por madje edhe për të rriturit, mirëpo ne duhet të bëjmë më të mirën që mundemi.
Siç e përmenda më herët, dialogu duhet të bazohet në respekt të ndërsjellë dhe gjuha e tij duhet të jetë edukative dhe e shoqëruar me qetësi të nervave. Kur dialogu humb këto cilësi, ai shndërrohet në grindje dhe disa prej shenjave janë:
- Kur dikush përsërit herë pas here argumentet që i ka cituar dhe të tjerët i përgjigjen duke i cituar kundër argumentet.
- Ngritja e zërit, bojkotimi i folësit dhe të sulmuarit e tij. Rënia e nivelit të mirësjelljes në bashkëbisedim.
- Tendenca e të rriturve për të përdorur gjuhën që shkatërron shpirtin e dialogut, sikur që i thotë të birit: “Nëse je burrë, përdore veturën pa lejen time, e do të shohësh se çfarë do t’ju gjej.”
- Kur dikush pyet dhe kërkon të dijë diçka që nuk është e qartë: “Dëshiroj të di me kë ishe pas darkës dhe çfarë po bënit tërë atë kohë?”
- Kur dikush jep kërcënime për ndëshkim si për shembull: “Nuk do të japë para për shkollë nëse nuk i përmirëson notat brenda disa dite.” Kur dikush bën gjykime të prera, si për shembull: “Ti nuk mundesh të kalosh me pesa ose nuk mundesh të bëhesh i sjellshëm me prindërit tu!”
Bërja e një mjedisi ideal për dialog kërkon të kemi shumë durim. Kur fëmijët të rriten, ata kërkojnë kohë më të gjatë për të dialoguar dhe kur arrijnë adoleshencën, brengat dhe nevojat e tyre bëhen më komplekse. Për rrjedhim, të kuptuarit e tyre ka nevojë për më tepër kohë, pasi bëhet më i vështirë. Allahu duhet t’i mbështetemi në çdo kohë. Në dialog duhet të kemi një person, i cili e drejton takimin. Ai e rregullon atë dhe e ka mundësinë ta ndërpres atë kur ta shoh të domosdoshme. Ndër tjerash ai cakton kohën sa mund të fletë secili pjesëmarrës.
Është e natyrshme që babai ose nëna ta drejtojë një takim të tillë, mirëpo është mjaft praktikë e mirë t’i kërkohet njërit prej fëmijëve ta bëjë këtë, duke i trajnuar edhe ata. Të gjithë anëtarët e familjes mund të bëjnë atë me radhë. Disa prindër të mençur, nganjëherë zgjedhin fëmijët më problematikë për ta bërë këtë, ose atë që më së paku beson në dialog. Kjo i ndihmon atij personi të ndjejë se ai ose ajo është personalisht përgjegjës për suksesin e dialogut dhe të përpiqet ta bëjë atë të suksesshëm, duke ua përkujtuar të tjerëve detyrat e tyre.
Ne nuk kërkojmë vetëm të zgjidhim problemet nëpërmjet dialogut, e as nuk kërkojmë vetëm të nxjerrim fëmijë të mirë nëpër- mjet edukimit dhe udhëzimit. Por, dëshirojmë të nxjerrim fëmijë të mirë, të cilët do të jenë baballarë dhe nëna të mira në të ardhmen. Kjo kërkon që ne të bisedojmë me ta sikur me të rriturit dhe ti trajtojmë si shokë dhe kolegë ose pjesëmarrës në një dialog që synojmë të jetë i suksesshëm. Kjo do t’i bëj ata gjithashtu t’i trajtojnë fëmijët e tyre si të pjekur dhe të rritur në të ardhmen.”Parim i përgjithshëm këtu është: nëse dëshiron një person të bëhet i respektueshëm dhe t’ju trajtoj juve dhe të tjerëve si njerëz të respektueshëm, atëherë trajtoje atë ashtu. Pa marrë parasysh sa i vogël është, ai meriton një trajtim të mirë. Në vijim kemi disa sugjerime për manifestimin e dialogut në familje: 1. Nëse je caktuar kryesuesi i një takimi familjar, fillo duke kërkuar pajtueshmërinë e tyre në kushtet e dialogut. Përkujtoju atyre se ndonëse mund të jesh më i riu prej tyre, menaxhimi i duhur i çështjeve në një takim e bën të domosdoshëm të kesh nën kontroll takimin, sikur të ishe i vetmi ekspert përgjegjës. Ju do të keni nevojë për kooperimin e tyre dhe kush ka ndonjë vërejtje për stilin e udhëheqjes, do të jetë i mirëpritur ta bëjë atë pas dialogut.
2. Është me rëndësi që kohëzgjatja e takimit të caktohet nga fillimi dhe sidomos nëse ka fëmijë më pak se dhjetë vjeçar, atëherë nuk duhet të zgjasë më shumë se tridhjetë minuta. Gjithashtu nuk është mirë të diskutohet më tepër se një temë në një ulje, kështu që të mos mbretërojë konfuzioni dhe që dështimi për të arritur një marrëveshje për një çështje të mos ndikojë negativisht te njëri-tjetri.
Familja duhet të pajtohet për atë që do ta diskutojë. Kryesi i takimit pastaj duhet të kujdeset që të mos shmanget çështja në diskutim. Të supozojmë se në një ulje të familjes temë e diskutimit është dështimi në testin e matematikës nga njëri anëtar i familjes dhe si t’i ndihmohet atij. Atëherë vëllai më i madh fillon ta kritikojë shkollën dhe menaxhmentin e saj ose stilin e mësimdhënies. Kjo do të ishte e padobishme dhe jashtë temës së diskutimit. Nëse anali- zojmë këtë shmangie nga tema, do të gjejmë se 40% e rasteve dalin nga tema gjatë një dialogimi. Prandaj është detyrë e udhëheqësit të takimit që të sigurohet se koha po shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
3. Anëtarëve duhet t’u jepet kohë e barabartë për të shprehur mendimet e tyre. Për shembull pesë minuta. Mirëpo, nëse takimi mbahet për të diskutuar një problem të një fëmije, atëherë atij duhet t’i jepet më tepër kohë për ta shprehur veten dhe për të ndriçuar të gjitha anët e errëta të problemit. Pas raundit të diskutimit është praktikë e mirë t’i jepet çdo anëtari dy ose tre minuta për të qartësuar pikat e tij më mirë dhe ndoshta për t’iu përgjigjur pikëpamjeve të shprehura nga anëtarët e tjerë, sidomos ato që mund të jenë kundër pikëpamjeve të tij.
4. Gjithashtu është praktikë e mirë që lideri të theksojë pikat ku ka pajtueshmëri në fillim të takimit, kështu që të mos humbet koha në to. Fatkeqësisht ne shohim se pas një diskutimi të gjatë të anëtarëve të një familje, dëgjojmë njërin prej tyre duke thënë: “A nuk e thashë ate”, “Nuk ka farë dallimi midis nesh?” ose “Dallimet tona janë vetëm sipërfaqësore dhe pajtohemi ose jo, rezultati është i njëjtë.”
“Nëse në fund të një takimi bëhen deklarime të tilla, atëherë pse i kemi bërtitur njëri-tjetrit dhe jemi shtyrë pa nevojë, duke shkatërruar një takim që mund të kishte qenë interesant dhe i kënaqshëm?!”
Kemi shembullin e një familjeje që dëshiron të blejë një shtëpi të re, detajet e së cilës janë diskutuar gjerësisht në mesin e anëtarëve të familjes, mirëpo ende nuk është marrë një vendim konkret. Familja mban një takim pas një kohe për të finalizuar çështjet lidhur me blerjen e shtëpisë. Kryesuesi fillon duke thënë: “Shpresoj, që nuk do të diskutoni për këtë dhe atë detaj, sepse ne jemi pajtuar për ato gjëra”, pastaj ai fillon t’ua numëroj pikat për të cilat janë pajtuar.
Një përmbledhje e tillë e pikave që janë jashtë rendit të ditës është e rëndësishme dhe e dobishme për të ndihmuar të fokusohet takimi në temën aktuale. Aty ku nuk bëhet kjo, mund të humbet kohë kot për gjërat e njëjta. Nëse ndodh kjo pas 15 minutash, kryesuesi i takimit mund të pauzojë diskutimin dhe të thotë: “E kuptoj se të gjithë jemi pajtuar për këtë dhe atë.” Nëse të gjithë ata e pohojnë këtë, atëherë ai mund të mos lejojë askënd të flasë përsëri për të njëjtën gjë.
5. Njëra prej përgjegjësive më të vështira për kryesimin e një dialogu është ti bësh pjesëmarrësit të besojnë në dobinë e tij dhe në frytdhënien e tij, përndryshe ata nuk do ta trajtojnë takimin dhe temën e tij me ndonjë seriozitet. Disa madje mund të tërhiqen nga takimi në fillim të tij duke thënë: “Unë pajtohem me atë që ju do të pajtoheni.” Ai e bën këtë sepse mendon se dialogu do të jetë i pafrytshëm dhe ata nuk do të arrijnë në ndonjë përfundim.
Kushdo që kryeson një dialog mund ta bëjë praninë e tij të ndihet dhe të dobishme duke i kushtuar vëmendje pikave që janë të theksuara më lartë. Ai do të përqendrohet në progresin e takimit, do të nxjerrë në pah çdo pikë të re për të cilën janë pajtuar dhe do të lavdërojë çdo ide të mirë të sugjeruar nga një anëtar. 6. Mjaft shpesh dialogu shndërrohet nga një diskutim familjar në një fjalosje midis babait dhe nënës ose midis dy fëmijëve, ose midis një vajze dhe nënës së saj, përderisa pjesa tjetër e familjes heshtin dhe presin përfundimin e grindjes së gjatë. Kjo mund të ndodhë sepse një anëtar e ka kritikuar mendimin e një tjetri ose e ka sulmuar disi. Është detyrë e kryesuesit të minimizojë incidentet e tilla aq sa ka mundësi dhe një këshillë që mund t’i ndihmojë është: ai nuk duhet t’i lejojë palët në konflikt të ulen ballë për ballë, sepse kjo do ta shtojë përqendrimin e tyre në grindje dhe do të nxisë shpërthimet e ndërsjella të tyre. Ai madje mund t’i marrë të drejtën e fjalës ndonjërit prej tyre derisa të mbahet një takim i veçantë midis tyre në prani të prindërve për ta zgjidhur konfliktin e tyre. Një gjë tjetër që mund të bëjë është që palët në konflikt të shikojnë atë në fytyrë, e jo njëri-tjetrin.
“Minimizimi i nxehjes së gjakrave në një diskutim dhe të siguruarit se zërat nuk ngrihen lartë është gjithmonë i kërkuar. Kështu nëse një anëtar i familjes thotë fjalë që e lëndojnë një person të caktuar, kryesuesi duhet ta detyrojë atë ri tërheqë ato fjalë dhe t’i kërkojë falje personit të lënduar. Përderisa nuk arrihet kjo, nuk do të jetë punë e mençur të mbahet një dialog. Nganjëherë, fëmijët e akuzojnë njëri- tjetrin me shaka. Ndonëse kjo shpesh merr formën e shakasë, ajo mundet nganjëherë të jetë indikacion i disa gjërave serioze që mbajnë zemrat. Një vajzë mund të jetë akuzuar nga familja e saj se është koprrace dhe egoiste. Gjatë një takimi familjar, vëllai i saj e shikon dhe i thotë: “Falënderimi i takon Allahut që nuk kemi asnjë anëtar koprrac dhe egoist në këtë familje. Dhe gjithçka që po thuhet për dikë në këtë familje nuk është fare e vërtetë.” Ajo që është më e rëndësishme është reagimi i vetë vajzës, nëse ajo ndihet e lënduar, atëherë kryesuesi duhet ta detyrojë vëllanë e saj të kërkojë falje për fjalët e tij. Sigurisht se mbajtja e diskutimit në një nivel të ndershëm, të lirë nga fjalët vulgare është detyrë e të gjithë anëtarëve të takimit. Kryesuesi gjithashtu duhet t’i lus anëtarët të ngrehin nivelin e diskutimit duke shmangur përsëritjet e pane- vojshme dhe bisedën për çështje të parëndësishme.
7. Qartësia e ideve dhe shprehjeve në një dialog ka rëndësi të madhe. Për këtë arsye është detyrë e kryesuesit të takimit ti përkujtojë të gjithë pjesëmarrësit në takim që duhet të jenë të qartë në përdorimin e gjuhës së tyre. Ata duhet të sigurohen që të thonë saktësisht atë që e mendojnë dhe kur të thonë diçka të dinë se çka nënkuptojnë me të. Nëse një anëtar i familjes thotë për shembull: “Shkolla e filanit është jocilësore, ajo nuk i kushton kujdes mësim- dhënies cilësore dhe edukimit të vajzave, prandaj ne duhet ta transferojmë atë në një shkollë tjetër.” Kryesuesi duhet të pyes se çka nënkupton saktësisht kur e quan shkollën jocilësore. Çka nënkupton me atë se shkolla nuk i edukon vajzat mirë dhe çfarë argumente ka që ta mbështesë opinionin e tij për shkollën.
Të marrim një shembull tjetër. Një familje është takuar për të përcaktuar shkaqet që një anëtar i familjes po del shpesh jashtë dhe nuk po kthehet deri vonë natën. Një anëtar thotë: “Njëri prej të afërmve tanë është përgjegjës për atë veprim të tij, ai e nxit të qëndrojë jashtë shtëpisë dhe kjo do të ketë pasoja të këqija në të ardhmen.”
Babai pyet: “Kush është ai i afërm?”
Djali përgjigjet: “Nuk mund ta përmend emrin se mos më bën ndonjë të keqe, por ai është i afërm i yni.”
Këtu, djaloshi duhet të sigurohet se asgjë që bisedohet në takim nuk do të zbulohet jashtë dhe përmendja e emrit të tij është e domosdoshme për të zgjidhur problemin. Shpesh dëgjojmë një djalë duke thënë diçka, si: “Nuk dëshiroj që vëllai im të përsëris mësimet me djalin e fqinjit.”
Kur bindet që të shpjegoj arsyen, ai thjesht thotë: “Ai është shumë mendjemadh”, ose “Ai nuk i respekton prindërit, kështu nuk dëshiroj që vëllai im i vogël të rrijë me të.” Mirëpo, shpejt bëhet e qartë se ajo që e thotë për djaloshin nuk është e vërtetë.
“Kur të angazhohemi në bashkëbisedim, ne shprehim shumë ide nëpërmjet përdorimit të shumë fjalëve në gjuhë. Mirëpo gjuha nuk është e përsosur, t’i shtojmë kësaj paaftësinë e përdoruesve të saj, Për këtë arsye gabimet janë të zakonshme gjatë përdorimit të gjuhës.
Për rrjedhim, qartësimi shtesë do të ndihmonte në minimizimin e dykuptimësisë dhe keqkuptimeve.
8. E dyta prej vështrimeve të fundit në çështjen e menaxhimit të dialogjeve dhe përgjegjësive të atyre që udhëheqin një dialog, ka të bëjë me akuzat që anëtarët i bëjnë njëri-tjetrit. Shpesh ndodh që gjatë diskutimeve të bëhen akuza pa i argumentuar, kështu ne shpesh dyshojmë në motivet dhe qëllimet e njerëzve, duke vepruar të kundërtën e asaj që Allahu e ka thënë në ajetet:
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” El Huxhurat, 12
“O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendobeni pastaj për atë që keni bërë.” El Huxburat, 6
Imagjino një situatë ku një djalosh thotë: “Nuk e kam vjedhur lapsin e shokut të klasës. Unë e kam vendosur në çantë gabimisht. Këtë e bëra sepse isha i hutuar.” Prandaj njëri prej vëllezërve më të mëdhenj i thotë: “Po gënjen. Ti e ke bërë atë me vetëdije.”
Në vetëmbrojtje djali i vogël e përsërit atë që e tha dhe vëllai më i madh e përsërit akuzën e tij. Në një rast si ky, kryesuesi ka detyrë të ndalojë djalin e madh nga turpërimi i mëtejmë i vëllait të tij të vogël, sepse ai është i pafajshëm, derisa të vërtetohet e kundërta. Ne duhet t’u besojmë fjalëve të anëtarëve të familjes dhe akuzat ndaj tyre duhet të bien kur ata të deklarohen të pafajshëm. Njerëzve mund të mos u pengoj nëse akuzohen për ndonjë gabim në idetë e tyre, mirëpo ata ndihen të turpëruar kur i akuzojnë në qëllimet dhe motivet e tyre. Prandaj ne të gjithë duhet të shmangim akuzat për njerëzit pa pasur argument për t’i mbështetur ato.
9. Vështrimi i fundit ka të bëjë me arritjen e një përfundimi të synuar në dialog. Kjo ka rëndësi të madhe, sepse qëllimi i një diskutimi është që të shtrohet një temë për të zgjidhur një problem ose për të marrë një vendim. Megjithatë, shpeshherë ky qëllim zhduket dhe dialogu ndryshon nga një lidhje shpirtërore dhe ideologjike në ofendime dhe përbuzje të njëri-tjetrit, nga një mjet i kërkimit të së vërtetës në një mjet të kontestimit të njëri-tjetrit, kërkimit për të mbizotëruar mbi ta dhe vënies në dyshim të aftësive të tyre. Kur të ndodh kjo, është e domosdoshme të ndalet diskutimi, për të ruajtur dashurinë, mëshirën dhe respektin në mesin e anëtarëve të familjes. I Dërguari a.s. na ka dekurajuar nga vazhdimi i një debati, të cilin e shohim se po del nga binarët. Ai ka thënë:
“I garantoj një shtëpi në Xhenet atij që tërhiqet nga një fjalosje, edhe nëse e ndien se ka të drejtë dhe një shtëpi në mes të Xhenetit kush i shmanget gënjeshtrës edhe nëse është shaka dhe një shtëpi në pjesën më të lartë të Xhenetit kush ka sjellje (karakter) të mirë.” (Ebu Davudi).
Në situata të tilla është mirë që diskutimi të ndalet dhe marrja e vendimeve të mbetet pezull derisa të gjendet koha e përshtatshme. Dikush mund të pyes pse kaq shumë udhëzime për të mbajtur dialog? A dëshiron ta shndërrosh shtëpinë në një qendër të kulturës apo të konferencës? A është madje kjo e mundur kur e kemi parasysh analfabetizmin e madh dhe prapambeturinë kulturore të popullit tonë? Po. Ne dëshirojmë që shtëpitë tona t’u ngjajnë qendrave kulturore dhe dialogjet tona të jenë të pajisura me të gjitha që u nevojiten për të qenë të avancuara dhe të frytshme. Kush tjetër nëse jo ne muslimanët meritojmë këtë?
Mbaje në mend:
- Dialogu midis anëtarëve të së njëjtës familje është më i vështirë se dialogu midis shokëve dhe kolegëve për shumë arsye.
- Synimi kryesor i një dialogu duhet të jetë të ruhen ndjenjat fisnike që lidhin çdo anëtar të familjes me pjesën tjetër.
- Duhet ta zgjidhim një kohë të përshtatshme për dialog, nëse dëshirojmë që dialogu të mos jetë i kotë.
- Kur të rriturit u referohen fëmijëve me terme përbuzëse dhe të parespektueshme, ata i largojmë nga takimi me ne.
- Është detyrë e të rriturve në familje të lavdërojnë idetë e mira të fëmijëve dhe t’i inkurajojnë për pjesëmarrje në dialog.
- Ne kemi nevojë të bëjmë përpjekje të vazhdueshme për të parandaluar dialogun të shndërrohet në grindje dhe në shkëmbim të fjalëve fyese.
- Një dialog i frytshëm kërkon të drejtohet nga një kryesues, sepse përndryshe bëhet kaos.
- Duhet të bëhet kujdes që të mos diskutohet më tepër se një temë gjatë një takimi dhe kohëzgjatja nuk duhet të kalojë më tepër se gjysmë ore, sidomos nëse ka fëmijë nën moshën dymbëdhjetë vjeçare.
Autor: Prof. Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Ndërveprimet në familje”
Përgatiti: Prinderimi.com