Fëmijët dhe adoleshentët në Shtetet e Bashkuara tani marrin më shumë se dy të tretat e kalorive të tyre nga ushqimet ultra të përpunuara, sipas një raporti të të dhënave përgjatë gati dy dekadash.
Ushqimet ultra të përpunuara – të tilla si pica e ngrirë, ushqimet e ngrohura në mikrovalë, ushqimet e paketuara dhe ëmbëlsirat – përbënin 67% të kalorive të konsumuara në 2018, nga 61% në 1999, sipas hulumtimit të botuar në revistën mjekësore JAMA Tuesday. Studimi analizoi dietën e 33,795 fëmijëve dhe adoleshentëve në mbarë vendin.
Ndërsa përpunimi industrial mund ta mbajë ushqimin më të freskët dhe të lejojë që disa ushqime të forcohen me vitamina, ai modifikon ushqimin për të ndryshuar konsistencën, shijen dhe ngjyrën e tij për ta bërë atë më të shijshëm, të lirë dhe të përshtatshëm – duke përdorur procese që nuk përdoren në vaktet e përgaditura në shtëpi. Ato tregtohen gjithashtu në mënyrë agresive nga industria ushqimore.
“Disa bukë me drithëra dhe ushqime të qumështit janë ultra të përpunuara dhe janë më të shëndetshme se ushqimet e tjera ultra të përpunuara,” tha autori Fang Fang Zhang, një epidemiolog i të ushqyerit dhe kancerit në Shkollën Friedman të Shkencave dhe Politikave të Ushqyerjes në Universitetin Tufts në Boston.
“Por shumë ushqime ultra të përpunuara janë më pak të shëndetshme, me më shumë sheqer dhe kripë dhe më pak fibra, sesa ushqimet e papërpunuara dhe të përpunuara minimalisht, dhe rritja e konsumit të tyre nga fëmijët dhe adoleshentët është shqetësuese.”
Informacioni I përdorur mbi dietat e fëmijëve në studim u mblodh çdo vit nga intervistues të trajnuar, të cilët u kërkuan fëmijëve ose një të rrituri që vepronte në emër të tyre të jepnin detaje se çfarë kishin ngrënë në 24 orët e mëparshme. Informacioni u mblodh si pjesë e Anketës Kombëtare të Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes.
Midis 1999 dhe 2018, përqindja e ushqimeve më të shëndetshme të papërpunuara ose të përpunuara minimalisht u ul nga 28.8% në 23.5% të kalorive të konsumuara, zbuloi studimi.
Përqindja e mbetur e kalorive erdhi nga ushqime të përpunuara mesatarisht si djathi, frutat dhe perimet e konservuara, dhe përmirësuesit e shijes si sheqeri, mjalti, shurupi i panjeve dhe gjalpi, tha studimi.
Rritja më e madhe e kalorive erdhi nga ushqimet e gatshme për t’u ngrënë ose të gatshme për t’u ngrohur, si pica dhe hamburgerët e ngrirë: nga 2.2% në 11.2% të kalorive, sipas studimit. Rritja e dytë më e madhe erdhi nga ushqimet e ëmbla dhe ëmbëlsirat e ambalazhuara, konsumi i të cilave u rrit nga 10.6% në 12.9%.
Lidhja midis shëndetit të fëmijëve dhe ushqimit ultra të përpunuar është komplekse, por një studim i fundit në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se fëmijët që hanë më shumë ushqime ultra të përpunuara kanë më shumë gjasa të jenë mbipeshë ose obezë si të rritur.
Ekspertët thanë se implikimet e studimit për shëndetin e ardhshëm ishin të rëndësishme duke pasur parasysh se fëmijëria është një periudhë kritike për zhvillimin biologjik dhe formimin e zakoneve dietike.
“Sistemi aktual i ushqimit është i strukturuar për të nxitur mbikonsumimin e ushqimeve ultra të përpunuara përmes një sërë strategjish, duke përfshirë çmimin dhe promovimet, marketingun agresiv, duke përfshirë të rinjtë dhe veçanërisht të rinjtë me ngjyrë dhe latin, dhe disponueshmërinë e lartë të këtyre produkteve në shkolla,” shkroi Katie Meyer dhe Lindsey Smith Taillie, të dy asistentë profesorë në departamentin e të ushqyerit në Shkollën Gillings të Universitetit të Karolinës së Veriut për Shëndetin Publik Global, në një koment mbi studimin. Ata nuk ishin të përfshirë në hulumtim.
Lajme të mira
Kishte një lajm të mirë që sugjeronte se përpjekjet për të trajtuar konsumin e pijeve me sheqer, si taksat e pijeve të gazuara, kishin qenë efektive: kaloritë nga pijet e ëmbla me sheqer ranë nga 10.8% në 5.3% të kalorive të përgjithshme.
“Ne duhet të mobilizojmë të njëjtën energji dhe nivel angazhimi kur bëhet fjalë për ushqime të tjera të pashëndetshme ultra të përpunuara si ëmbëlsira, biskota, petulla dhe brownies”, tha Zhang.
Të rinjtë e zinj, jolatin, përjetuan një rritje më të madhe në përqindjen e ushqimeve ultra të përpunuara në dietën e tyre në krahasim me homologët e tyre të bardhë. Studimi tha se nuk vlerësonte tendencat në grupe të tjera racore ose etnike për shkak të mungesës së të dhënave përfaqësuese kombëtare. Megjithatë, ai vuri në dukje se të rinjtë meksikano-amerikanë konsumojnë ushqime ultra të përpunuara me një normë vazhdimisht më të ulët, gjë që autorët thanë se mund të reflektojë më shumë gatim në shtëpi në mesin e familjeve latine.
Niveli arsimor i prindërve apo të ardhurat e familjes nuk kanë pasur ndonjë ndikim në konsumimin e ushqimeve të përpunuara, duke sugjeruar se ato janë të zakonshme në dietat e shumicës së fëmijëve, shtoi studimi.
Autorët thanë se studimi i tyre kishte disa kufizime: Kërkimi i njerëzve që të kujtojnë atë që kanë ngrënë nuk është gjithmonë një masë e saktë e marrjes dietike. Plus, ka një tendencë për të nën raportuar zakone të padëshirueshme shoqërore, siç është konsumimi i ushqimit të pashëndetshëm.
Për më tepër, mund të jetë një sfidë për të klasifikuar me saktësi ushqimin e ultrapërpunuar, sepse kërkon një listë të plotë të përbërësve – informacion që nuk ka gjasa të jepet nga fëmijët që i përgjigjen një pyetësori.
“Nevojiten metoda më të mira për vlerësimin dhe klasifikimin dietik të ushqimeve për të kuptuar tendencat dhe mekanizmat e veprimit të marrjes së ushqimit ultra të përpunuar”, shkruan Mayer dhe Taillie.
Autor: Katie Hunt, CNN
Përktheu: Agon Mehmeti, Prinderimi.com
Burimi: https://edition.cnn.com/2021/08/10/health/ultra-processed-food-kids-teens-diet-wellness