Tani mund të themi se shkolla mundet dhe duhet të realizojë pikat vijuese për t’ua bërë të dashur leximin fëmijëve:
1. Para se të nxjerr në pah atë që shkollat mund ta bëjnë, më lejoni t’i themi disa gjëra për kryefamiljarët.
Është me rëndësi që kur prindërit të zgjedhin shkollën për fëmijët e tyre, të zgjedhin atë që u ofron fëmijëve të tyre një atmosferë të rehatshme dhe të këndshme, edhe nëse fëmijët nuk i ngarkon me shumë informacione. Një atmosferë e mirë është shumë e domosdoshme për t’i bërë të dashur fëmijës leximin.
Disa shkolla u caktojnë nxënësve një kohë specifike për të lexuar, i mbikëqyrin dhe e organizojnë një aktivitet të tillë. Kjo u jep shkollave të tilla një avantazh ndaj shkollave të tjera. Arsyeja se ngarkimi i kohës së fëmijëve me orë të njëpasnjëshme dhe të obligueshme dhe angazhimi i madh i privon nxënësit nga kënaqësia e leximit të librave që i zgjedhin dhe u pëlqejnë. Angazhimi i madh në shkollë shpesh shpie në marrjen e qëndrimit negativ ndaj leximit dhe librit, ndonëse kjo mund t’i shpëtojë shikimit të familjes ose shkollës.
Mësuesit shpesh kanë trajnime që u mundësojnë të zbulojnë aftësitë dhe talentet e nxënësve, shumë më mirë sesa prindërit. Për këtë arsye është shumë e frytshme të jemi në kontakt me shkollën për të siguruar pozitën e fëmijës sa i përket leximit dhe për të marrë sugjerimet e shkollës. Është veçanërisht e dobishme të takoheni me mësuesit e fëmijës dhe të pyesni për progresin e fëmijës në përfitimin e shkathtësisë së leximit, për librat që i lexon dhe nëse u pëlqen leximi.
Ne gjithashtu duhet të pyesim sa i interesuar është fëmija për të lexuar dhe çfarë duhet të bëjmë nëse motivimi i tij është i ulët. “Ky kontakt me shkollën është i domosdoshëm për të forcuar shprehinë e leximit te fëmijët. Mirëpo, ne duhet të kemi mjaft durim, sepse nuk është një punë e lehtë.”
2. Është e pamohueshme se fëmija arsimohet në shkollë, se në shkollë ai gjen dikë që i shtrin dorën e ndihmës për t’i ndihmuar që ti përfitojë shkathtësitë e leximit dhe të shkrimit. Andaj qëndrirni i saktë ndaj shkollës është të inkurajojmë fëmijët të jenë të përkush- tuar dhe seriozë në kryerjen e detyrave të kërkuara: përsëritja e mësimeve të kërkuara, të mësuarit mirë dhe kryerja e detyrave të shtëpisë.
Fatkeqësisht shumë familje e bëjnë të kundërtën. Ata i inkurajojnë fëmijët të murmurisin dhe të ankohen për detyrat e shkollës dhe të flasin negativisht për shkollën. Natyrisht se kjo do të mbjellë në zemrën e fëmijës një pakënaqësi për shkollën dhe është e mundur që fëmija të braktisë mësimin, kështu që familje duhet të bëjë kujdes.
“Nëse fëmija vazhdimisht shfaq mospëlqim në bërjen e detyrave të shtëpisë, pas të gjitha përpjekjeve prej atyre rreth tij, këtë duhet ta marrim shumë seriozisht sepse është shenjë negative.”
3. Disa studime tregojnë se caktimi i pesë minutave nga orët e mësimit për të lexuar disa materiale atraktive dhe të këndshme mund të zgjerojë shkathtësitë e nxënësit në lexim, në të shkruar dhe artikulim. Këto pesë minuta do t’i përmirësojnë marrëdhëniet e nxënësit me mësuesit e tij. Një aktivitet i tillë ka mundësi të nxisë ndërveprimin midis fëmijës dhe mësuesit dhe do të jetë një shans i mirë që fëmija t’i përgjigjet mësuesit në detyrat e kërkuara.
Kjo lidhje e fortë është jetike për procesin e mësimit. Kemi një thënie nga trashëgimia islame: “Dituria është frymëmarrje e jetës dhe nuk është kopjim i fjalive!” Ideja këtu është që te fëmija të shohim interesimin për të lexuar me kënaqësi dhe dashuri, sepse nëse nuk arrihet ky objektiv i të mësuarit, të mësuarit do të jetë i gjymtë. E kuptoj se shumë mësues mund të protestojnë se koha e tyre nuk u mjafton për të shpjeguar tërë planprogramin, kështu shtrohet pyetja a tëkufizohet koha e leximit të lirë për të mundësuar realizimin e tërë planprogramit?
Ne mendojmë se ndërtimi i një lidhjeje të fortë midis fëmijës dhe librit është më e rëndësishme sesa sasia e informatave që i ngulisim në mendjen e tij. Ky është një investim për të ardhmen, sepse në këtë mënyrë individi do të bëhet lexues i mirë për tërë jetën.
4. Sot jemi dëshmitarë të një gjendjeje jo të mirë në arsim. Nxënësit dhe studentët llastohen dhe u jepen më pak detyra. Kjo po ndodh në shkolla të shtetit dhe private për qëllime të ndryshme. Sipas mendimit tim ky trend nuk është konstruktiv. E kundërta është ajo që kërkohet. Studentëve u jepen detyra shtesë për ta ngritur nivelin e tyre akademik dhe për të ndërtuar një lidhjeje emocionale dhe intelektuale midis atyre dhe librit. Një shkollë e suksesshme kishte adoptuar një metodë të frytshme të nxitjes së dashurisë për lexim te nxënësit. Kjo metodë mbështetej në këtë logjik:
Para se të përdorej kjo metodë, shkolla nuk kishte caktuar ndonjë kohë për lexim të lirë për nxënësit, ndonëse nxënësit kalonin shumë kohë kot, e cila do të mund të shfrytëzohej për lexim.
Nxënësit nuk ishin të prirë për të lexuar, prandaj nevojitej të shpikej ndonjë metodë kreative për t’i inkurajuar që të lexojnë dhe për t’i tërhequr në lexim të librave.
Për rrjedhim, shkolla vendosi t’i gjuante dy zogj me një gur: të zhvillohej shprehia e nxënësve për lexim dhe të përmirësohej të nxënit e tyre akademik. Për të realizuar këtë qëllim, shkolla e furnizoi bibliotekën kryesore dhe bibliotekën e çdo klase me një numër të madh të librave të shkruara në një mënyrë atraktive, të cilat shërbenin si plotësim dhe si zgjerim i kurrikulës. Ky ishte një hap i mahnitshëm.
“Duhet të kemi parasysh se shumë libra shkollorë janë të shkruar në mënyrë jo tërheqëse për nxënësit. Ato duket se janë dizajnuar për ta larguar nxënësin nga dituria.”
Atë që kjo shkollë e bëri ishte të furnizohej me shumë libra për kafshët, detet, pyjet, shumë libra për botën e mrekullueshme të mjekësisë dhe astronomisë, për zbulimet më të mahnitshme të fizikës dhe kimisë, disa biografi magjepse të shpikësve dhe shkencëtarëve pionierë në fushat e mësipërme. Disa nga librat më atraktivë të përdorura në këtë shkollë ishin ato që shpjegonin në një mënyrë mjaft komike zbatimin e fizikës dhe kimisë në jetën e përditshme. Libra të këtij lloji kishin edhe në lëndët e gjuhës,
shkencave shoqërore dhe humane. Në të gjitha këto libra, ideja ishte të paraqiteshin fakte me një stil narrativ, sidomos në librat që ishin përgatitur për shkollën fillore. Nxënësi mund të huazonte ndonjërin nga këto libra nga dita e mërkurë deri në ditën e shtunë. Përveç kësaj, realizohej edhe një aktivitet shtesë ditor: një pjesë e atij programi ishte që pesë nxënës të bënin referatin e librave që i kishin lexuar. Pastaj u formuan pesë grupe të përbërë nga pesë nxënës dhe u futën në një garë midis veti.
Si formë inkurajimi shkolla mbajti një ceremoni të madhe në fund të secilit gjysmëvjetor për t’i nderuar nxënësit të cilët kishin qenë më aktivë në huazimin e librave dhe në leximin e tyre. Në përgjithësi u arrit një sukses i madh, falë librave atraktivë që ishin përdorur për atë qëllim. Pas pesë vitesh të aplikimit të këtij programi, shkolla u bë e njohur në nivel kombëtar. Ajo u shqua për numrin e lartë të nxënësve të dalluar dhe integritetin moral të nxënësve të saj.
Tani po e marrë një shembull tjetër të një shkolle të mesme, të rëndomtë, në të cilën ligjëronte një mësues i jashtëzakonshëm. Ai kishte një kulturë enciklopedike dhe i pëlqente të debatonte për çështje kontradiktore. Meqenëse ai mbikëqyrte aktivitetet e nxënës- ve, ai çdo muaj formonte dy grupe nxënësish për të debatuar lidhur me çështjet kritike që i preokuponin njerëzit. Debati shtrihej në çështje edukative morale, mjedisore, shoqërore ose ekonomike. Të gjithë nxënësit e shkollës merrnin pjesë në diskutim, të gjithë ishin shumë entuziastë për progresin e debatit.
Ai ua ndizte emocionet në një mënyrë që i shtynte të garonin për të marrë pjesë në të. Ata lexonin gjerësisht libra relevantë që u jepnin një mundësi më të mirë për sukses kur merrnin pjesë në debat. Një numër i të rinjve që morën pjesë deklaruan se mësuesi solli një ndryshim të madh në jetët e tyre, ata njëmend filluan t’i inkurajonin nxënësit e tjerë për të lexuar më tepër dhe për t’i ndriçuar më shumë mendjet e tyre.
5. Nëse nuk ndryshon stili i mësimdhënies në shkolla, fëmijët tanë nuk do ta duan leximin. Kjo është vërtetuar nga shumë mësues dhe prindër me eksperiencë. Metodat e pranishme të të mësuarit me përsëritje, mësimdhënia mekanike, dhënia e shumë teksteve për t’u memorizuar nga nxënësit dhe mbajtja e ligjëratave si pjesë e mësimdhënies, këto metoda prodhojnë një student, i cili është pasiv ndaj procesit të mësimdhënies-mësimnxënies.
Qëndrimi pasiv do të shkaktojë shumë presion në vetëdije, do të prodhojë mërzitje dhe monotoni dhe do të nxis nxënësin të marrë një qëndrim armiqësor ndaj librave shkollorë dhe kurrikulës, një gjendje e rëndomtë e kohës sonë. Ajo që kërkohet është një metodë e re e mësimdhënies, në të cilën nxënësi merr pjesë më aktive gjatë orës mësimore dhe ora bazohet në debat, aplikim, hulumtim dhe zgjerim të anës praktike.
“Shumë studime tregojnë se kur nxënësi përpiqet dhe vërtet merr pjesë në marrjen e informatës, nëpërmjet kësaj mënyre ai/ajo do të vijë deri te mësimi i saj.”
Kur i jep nxënësit një detyrë e cila kërkon kontrollimin e disa referencave ose përdorimin e internetit ai do të ketë një ndjenjë të pavarësisë në përfitimin e diturisë. Ata do të jenë të ngazëllyer kur të eksplorojnë dhe zbulojnë faktet në fund të një hulumtimi. Ata pastaj do të ndihen përsëri të ngazëllyer kur i mbledhin faktet dhe i shpjegojnë në një hulumtim të vogël shkencor ose kur vërtetojnë një eksperiment të caktuar.
6. Është kategorisht gabim për një mësues, si dhe për një familje në shtëpi, që të përdorë leximin si pjesë e ndëshkimit. Disa mësues duket se mendojnë se detyrimi i një nxënësi për të lexuar një libër ose për të shkruar një temë njëzet herë, është ndëshkimi më efektiv dhe më i dobishëm. Mirëpo, kjo është gabim. Kur një nxënës e lexon një libër që detyrohet të lexojë, ai do të lexojë atë pa vullnet dhe procesi i leximit në këtë rast do të lidhet me një sjellje protestuese dhe refuzuese, e cila do ta huajësojë nxënësin nga libri, ndërsa ne kësaj po përpiqemi t’i shmangemi.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”